Politike
NA DUHET NJE KRYEMINISTER SI ALBIN KURTI NE KOSOVE
“Sistemi i vjetër duhet të shkërmoqet”, kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka bërë thirrje për ndryshim të sistemit politik, duke e marrë Kosovën si shembull për Shqipërinë.
Në një deklaratë për protestat kundër qeverisë, që kanë hyrë në ditën e 130-të, Qori tha se vendi ka nevojë për një forcë politike me një “bosht moral” dhe për një kryeministër që, sipas tij, nuk është i korruptuar.
Duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Qori deklaroi se ai përfaqëson pikërisht këtë model.
“Kosova na mëson se duhet të kemi një kryeministër që nuk është hajdut. Z. Kurti nuk është i korruptuar dhe kjo është e dhënë e mirë. Na duhet një parti, që ka një bosht moral përpara boshtit të ideologjisë partiake. Ky sistem i vjetër duhet të shkërmoqet. Kosova duhet të na shërbejë si shembull”, u shpreh Qori.
Kreu i Lëvizjes Bashkë kritikoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si, sipas tij, ka reaguar ndaj protestave dhe protestuesve.
Qori tha se prej rreth 130 ditësh kërkohet dorëheqja e Ramës, ndërsa akuzoi kryeministrin se i ka etiketuar protestuesit si “grekë”, “serbë” apo “iranianë”.
“Është Edi Rama ai që na quan ne protestuesve ‘grekë’, ‘serbë’, ‘iranianë’ etj. Ramës i kërkohet dorëheqja prej 130 ditësh dhe prapë kryeministri shprehet se dorëheqja as që duhet t’ju shkojë ndërmend njerëzve. Kryeministri ynë ka një mendësi të vjetër në kohë”, deklaroi Qori.
Deklaratat vijnë në një moment kur protesta kundër qeverisë vijon prej muajsh, ndërsa përplasja politike është përqendruar te kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshimi i sistemit politik.