Aktualitet
Shqipëria pushtohet nga turistët, mbi 15.4 milionë hyrje në 8 muaj, gushti rekord
Flukset turistike në Shqipëri vijojnë të jenë në rritje edhe gjatë sezonit veror të këtij viti. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë muajit gusht në territorin e vendit hynë mbi 3.4 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 2.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pjesa më e madhe e hyrjeve i përket shtetasve të huaj, të cilët gjatë gushtit regjistruan një rritje prej rreth 2%.
Edhe bilanci i tetë muajve të parë të vitit tregon një tendencë në rritje. Nga janari deri në gusht, Shqipëria regjistroi mbi 15.4 milionë hyrje, rreth 5.6% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm shtetasit e huaj kanë regjistruar mbi 9.4 milionë hyrje në vend gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, edhe daljet nga territori shqiptar janë rritur. Gjatë gushtit, nga vendi kanë dalë mbi 3.5 milionë shtetas, me një rritje vjetore prej 7.1%.
INSTAT bën me dije se të dhënat e gushtit janë aktualisht të publikuara në nivel të përmbledhur, ndërsa shifrat e detajuara sipas pikave kufitare dhe kombësive do të publikohen pas përfundimit të verifikimeve.