Connect with us

Rajon

Shqiptari rrëfen dhunën e policëve: Më goditën në kokë

Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve në Greqi njoftoi arrestimin e katër pjesëtarëve të policisë greke, të cilët akuzohen se kanë dhunuar një të burgosur shqiptar, e ndaj tyre rëndojnë veprat penale: për torturë dhe fyerje të tjera të dinjitetit njerëzor me bashkëpunim. Arrestimi është kryer nga Shërbimi i Punëve të Brendshme të Forcave të Sigurisë dhe 4 policët janë dërguar në prokurorinë kompetente.

“Siç rezultoi nga hetimi, të arrestuarit , një oficer, 2 policë dhe roja speciale, të ngarkuar me përgjegjësinë e ruajtjes dhe transferimit të të burgosurve në institucionin e vuajtjes së dënimit , kanë kryer akte rrahjeje dhe torture ndaj një të burgosuri të huaj,”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit.

E po ashtu sipas burimeve të VOA, veshjet e të burgosurit janë konfiskuar dhe janë ekzaminuar edhe nga mjeku. Ndërkohë që nga ana tjetër, mjetet greke të informimit kanë njoftuar se i burgosuri ishte një shqiptar, i dënuar për drogë dhe grabitje, dhe po trasnsferohej nga Selaniku drejt burgut të sigurisë së lartë të Koridhalosit në Athinë.

Sipas mediave greke, i burgosuri shqiptar ka dëshmuar se teksa ndodhej në “automjetin burg” ku po transferohej është goditur brutalisht në kokë nga policët, dhe ndonëse ka kërkuar ujë gjatë rrugës nuk i është dhënë. I burgosuri shqiptar deklaroi gjithashtu, sipas mediave greke, se kur mbërriti në burgun e Koridhalosit në Athinë i vendosën në kokë një helmetë në mënyrë që të mos shiheshin goditjet në kokë.

Por menjëherë është denoncuar nga rojet e burgut, duke nisur kështu një kalvar hetimesh për të burgosurin e paidentifikuar.

Policia greke ka kryer kohët e fundit një seri bastisjesh në burgje nën dyshimet se rrjete kriminale kanë urdhëruar disa nga vrasjet me pagesë të ndodhura kohët e fundit dhe ku viktima kanë qenë edhe shtetas shqiptarë. Rreth 25 vrasje të këtij karakteri janë regjistruar në 5 vitet e fundit dhe janë të lidhura me të burgosur grekë dhe të huaj që kishin vepruar në periudhën 2005-2015.

Advertisement

TRENDING