Politike
364.7 milionë euro? Ministri Karakaçi shpjegon ku shkojnë paratë e rrugës Milot-Balldren
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka vendosur të ndajë në rrjetet sociale një mesazh të shkurtër për sa i përket kostove të rrugës Milot-Balldren, ku është shprehur se për këtë projekt ka një dezinformim.
“Që prej momentit që kemi shpallur fituesin e projektit për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, kam vënë re një dezinformim për kostot e ndërtimit të kësaj rruge, që vjen si nga opozita, edhe nga disa media të mosinformuara si duhet. Është e pajustifikueshme që ata të cilët informojnnë publikun të vazhdojnë e të bëjnë të njëjtën gjë prej vitesh e vitesh, duke e trajtuar një rrugë si një pjesë stofi. Nuk është një gjë e gatshme që e marrin në dyqan. Është territor dhe s’është askund i njëjtë; ka fushë, ka mal dhe sipas karakteristikave të territorit ndryshojnë edhe kostot”, sqaroi ai.
Nga ana tjetër, ai sqaroi se kostoja e përgjithshme e ndërtimit nuk matet vetëm me kilometra.
“Në një kontratë koncesionare pagesa përfshin edhe operimin, mirëmbajtjen rutinë, sistemet inteligjente, tarifimin elektronik, si edhe mirëmbajtjen e thelluar për një periudhë 35-vjeçare. Mirëmbajtja e thelluar nënkupton se pas një periudhe kohe rruga do të rivishet edhe njëherë me asfalt për të ruajtur standardin e kërkuar. Shifra e përgjithshme prej 364.7 milionë eurosh është vlera totale e kontratës koncesionare për 35 vite, e cila përfshin projektimin, ndërtimin, sistemin elektronik, operimin dhe mirëmbajtjen, ndërkohë që kostoja e ndërtimit të autostradës është 182 milionë euro,”-thekoi ministri
Ministri sqaroi se projekti përfshin 2 ura të reja, tunel, rreth 9.5 km rrugë dytësore, sistem elektronik dhe 5 nyje disniveli.