Politike
“S’kam me lënë pa ju shkatërrue”, Bajrajt kallëzojnë në SPAK deputeten Marjana Koçeku
Anëtarë të fisit Bajri në Shkodër kanë kallëzuar në SPAK për shpifje dhe kanosje deputeten Marjana Koçeku, pasi kjo e fundit pretendoi se familjarë të saj janë kërcënuar, pasi u tërhoq nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Në kallëzimin e bërë ndaj Neomalsores nga Behar Brajoviç dhe Safet Bajri, me avokat mbrojtës Sokol Tahirajn, thuhet se deputetja nuk ka provuar para organeve kompetente deklaratat e bëra në rrjetet sociale.
Bajrat e Shkodrës thonë në kallëzimin e depozituar në SPAK se nuk ekziston asnjë provë që vërteton se kanë kërcënuar deputeten ose familjen e saj. Përveç kësaj, në denoncim thuhet se deklaratat e deputetes Koçeku cenojnë reputacionin e të gjithë fisit Bajri
Më tej, Behar Brajoviqç dhe Safet Bajri pretendojnë se zotimi “unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën” i Koçekut, është qartazi kërcënim i hapur, ndaj kërkohet nga SPAK hetimi edhe për veprën penale kanosja.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku la të kuptohej se ishte kërcënuar nga fisi i Bajrave, mesazhi ndaj të cilëve ishte me një gjuhë po me tone të forta paralajmëruese, duke thënë se nëse i prekin familjen do t’i shkatërrojë.
Zhvillimet vijnë vetëm pak ditë pasi Koçeku njoftoi largimin nga grupi parlamentar i PS. Më 14 qershor, përmes rrjeteve sociale, ajo shpalli shkëputjen nga shumica që e çoi në Kuvend. Një ditë më pas, deputetja publikoi simbolin e flamingos, tashmë të lidhur me protestat që prej javësh po zhvillohen në vend.
Mesazhet vijuan më pas me tone edhe më politike. Në një postim, Koçeku u shfaq duke u lutur në një kishë, ndërsa në një tjetër sfidoi hapur kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar shpërndarjen e Parlamentit dhe zgjedhje të reja.
Në kampin socialist reagimet nuk munguan. Zëra të ndryshëm i kërkuan deputetes të dorëzonte mandatin, me argumentin se ai është fituar nën siglën e Partisë Socialiste. Megjithatë, sipas burimeve nga parlamenti, deri tani në Kuvend nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare nga Marjana Koçeku për largimin nga grupi parlamentar apo kalimin e saj në statusin e deputetes së pavarur