Connect with us

Bota

Trump zbulon lëvizjet e fundit të Iranit: Do të na paraqesë një propozim, por do ta shohim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha në një intervistë telefonike me Reuters se Irani planifikon të paraqesë një propozim që synon “përmbushjen e kërkesave amerikane” në negociata.

“Ata po paraqesin një propozim dhe do ta shohim. Irani dëshiron të flasë dhe të shohë nëse mund të arrijmë një marrëveshje”, tha Trump.

Kur u pyet se me kë është në kontakt SHBA-ja, Trump u përgjigj: “Nuk dua ta them, por po flasim me njerëzit përgjegjës tani për tani”.

Më herët Donald Trump tha nga zyra ovale se i ka idetë e qarta për mënyrën sesi do ti japë fund konfliktit me Iranin në rast të mos arritjes së një marrëveshjeje.

“Ne nuk kemi nxitim. Të gjithë thonë Trump është nënë presionin e kohës. Jo jo! E di kush është nën presionin e kohës? Janë ata. Ushtria e tyre ka rënë, Liderët e tyre janë zhdukur. Tani kanë lidership të ri ku po grinden zi qenë e mace se kush do të marrë kontrollin. Kemi arritur 75% të objektivave tona.  Kemi një bllokadë që është 100% efektive. Tani po presim dhe duam të shohim cfarë marrëveshje do të bëjmë. Nëse nuk do të duan të bëjnë marrëveshje do ti jap fund ushtarakisht.”, tha Trump.

Ndërkohë në një konferencë për shtyp në Pentagon, Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së Pete Hegseth thotë se Irani ka sot mundësinë më të mirë e të zgjuar. Hegseth theksoi se duhet të arrihet ‘Një marrëveshje e mirë ose do të godasim përsëri’.

Forcat e armatosura amerikane ndërkohë, po përgatisin plane emergjente për të goditur mbrojtjet iraniane në Ngushticën e Hormuzit në rast se armëpushimi i brishtë do të shembet. Kështu raporton CNN, duke iu referuar zyrtarëve amerikanë, sipas të cilëve fokusi është në neutralizimin e minave iraniane, të mjeteve të sulmit të shpejtë dhe të kërcënimeve bregdetare, me qëllim mbajtjen të hapur të këtij kalimi detar nga i cili kalon 20% e naftës botërore.

SHBA-të kanë dërguar tre transportues aeroplanësh në Lindjen e Mesme, që sic informon Komanda Qëndrore amerikane, për herë të parë në dekada po operojnë njëkohësisht.

Advertisement