Kronike
Vijon operacioni ‘Shkolla të pastra’ në Tiranë, një i arrestuar, iu gjet kokainë e 2 pistoleta
Një tjetër person i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra” ka përfunduar në prangat e Policisë së Tiranës. Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Orges Ferazini, i cili dyshohet se ishte pjesë e rrjetit të shpërndarjes së drogës pranë shkollave në kryeqytet.
Ferazini u arrestua në banesën e tij në rrugën “Rreshit Petrela”, ku gjatë kontrollit policia gjeti dhe sekuestroi 363 gramë kokainë, të ndarë në 235 doza, si dhe një peshore elektronike.
Në banesë u gjetën gjithashtu dy pistoleta dhe municion luftarak, të cilat 28-vjeçari dyshohet se i mbante pa leje.
Ferazini ishte shpallur në kërkim pas operacionit “Shkolla të pastra”, ku Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas hetimeve të Policisë, në kuadër të këtij operacioni janë identifikuar 52 shpërndarës, të organizuar në disa grupe, të cilët dyshohet se shisnin heroinë dhe kokainë pranë shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve në Tiranë.
Për të shmangur identifikimin nga policia, shpërndarësit dyshohet se përdornin mënyra të ndryshme transporti, mes tyre monopatina, taksi dhe motorë të shërbimeve të picave. Për dokumentimin e aktivitetit të tyre, agjentët kanë kryer edhe blerje të simuluara të lëndëve narkotike.
Hetimet vijojnë për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit të rrjetit të dyshuar të shpërndarjes së drogës në Tiranë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.