Connect with us

Aktualitet

Viti 2023 shënoi temperaturën më të lartë të regjistruar në planet

Vitin e kaluar Toka theu rekordet vjetore të nxehtësisë sipas Agjenciës Evropiane të Klimës, ‘Copernicus’. Agjencia tha se viti 2023 ishte 1.48 gradë Celsius më i ngrohtë se temperaturat para zhvillimit të botës industriale. Kjo rritje ishte shumë afër kufirit prej 1.5 gradë Celsius, brenda së cilës bota shpresonte të qëndronte sipas marrëveshjes së Parisit për klimën të mbajtur në vitin 2015 me qëllim për të shmangur efektet më të rënda të ngrohjes globale. ‘Copernicus’ paralajmëron se muaji janar i këtij viti është aq i ngrohtë sa për herë të parë mund edhe të tejkalohet pragu prej 1.5 gradë, tha zëvendësdrejtoresha e Agjencisë, Samantha Burgess. Ky objektiv “duhet të (mbahet) gjallë sepse jetët janë në rrezik dhe duhet të merren vendime të vështira për këtë” tha zonja Burgess. “Këto vendime nuk ndikojnë tek ju dhe unë, por ato ndikojnë tek fëmijët dhe nipërit tanë.” Nxehtësia rekord e vitit të kaluar e bëri jetën të rëndë dhe ndonjëherë me pasoja fatale në Evropë, Amerikën e Veriut, Kinë dhe shumë vende të tjera. Shkencëtarët thonë se ngrohja globale është gjithashtu përgjegjëse për motin ekstrem, si thatësira e gjatë që shkatërroi pjesë të zonës lindore të Afrikës, shirat e rrëmbyeshëm që shkatërruan digat dhe shkaktuan mijëra të vdekur në Libi dhe zjarret në Kanada që ndotën ajrin nga Amerika e Veriut drejt Evropës. Ndërkohë të martën, drejtuesja e grupit të shkencëtarëve ndërkombëtarë që analizojnë rolin e ngrohjes globale tek moti ekstrem, shkencëtarja në Kolegjin Mbretëror, Friederike Otto tha “ne patjetër shohim në analizën tonë ndikimin që kishte 2023 si viti më i nxehtë”.

Ekipi i shkencëtarëve i njohur me emrin ‘World Weather Attribution’ analizon vetëm ngjarjet e motit që ndikojnë mbi jetën e të paktën 1 milion njerëzve ose shkaktojnë më shumë se 100 të vdekur. Zonja Otto tha se ekipi i saj ishte tepër i zënë pasi kishte mbi 160 ngjarje të tilla në vitin 2023 dhe mund të kryente vetëm 14 studime, shumë prej tyre mbi valët vrasëse të të nxehtit. “Çdo valë e të nxehtit që po ndodh sot është bërë më e mundshme dhe është më e nxehtë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu,” tha ajo.

Shtetet e Bashkuara përjetuan 28 fatkeqësi nga moti vitin e kaluar që shkaktuan dëme prej miliarda dollarësh. Kjo e theu rekordin e vjetër prej 22 fatkeqësive të motit në vitin 2020, njoftoi të martën agjencia amerikane për oqeanet dhe atmosferën (NOAA). Numri i këtyre fatkeqësive të kushtueshme është rritur ndërsa në vitet 1980 ka pasur mesatarisht tre fatkeqësi në vit dhe pak më pak se gjashtë në vit gjatë viteve 1990.

Fatkeqësitë në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar me kosto prej miliarda dollarësh përfshijnë një thatësirë, katër përmbytje, 19 stuhi të forta, 2 uragane, një zjarr i madh dhe një stuhi dimri. Ato së bashku morën jetën e 492 njerëzve dhe shkaktuan miliarda dollarë dëme, sipas agjencisë NOAA.

Masa e akullit në Antarktidë shënoi nivele të ulëta rekord gjatë vitit 2023, raportoi ‘Copernicus’.

“Temperaturat arritën nivele rekord për shtatë muaj. Ne kishim qershorin, korrikun, gushtin, shtatorin, tetorin, nëntorin, dhjetorin më të ngrohtë”, tha zonja Burgess. “Nuk ishte vetëm një sezon apo një muaj që ishte i jashtëzakonshëm. Ishte e jashtëzakonshme për më shumë se gjysmën e vitit.”

Ka disa faktorë që e bënë 2023 vitin më të ngrohtë në histori, por faktori më i madh ishte sasia gjithnjë në rritje e gazeve serrë në atmosferë që bllokojnë nxehtësinë brenda planetit, tha zonja Burgess. Këto gaze vijnë nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit natyror.

Zoti Malte Meinshausen, shkencëtar që merret me mjedisin në Universitetin e Melburnit, tha se rreth 1.3 gradë Celsius e ngrohjes vjen nga gazet që shkaktojnë efektin serrë.

Agjencia Evropiane për motin ‘Copernicus’ ka të dhëna nga viti 1940 dhe mbështetet në një kombinim të vëzhgimeve dhe modeleve të parashikimit të temperaturave. Grupe të tjera, përfshirë agjencitë amerikane NOAA, NASA si dhe Zyrën Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar, të cilat bashkërendojnë të dhëna që nga mesi i viteve 1800, dhe do të publikojnë në fund të javës raportin e tyre për vitin 2023.

Megjithëse analizat aktuale bëhen mbi të dhëna që mblidhen në më pak se dy shekuj, disa shkencëtarë thonë se provat nga bërthamat e akullit sugjerojnë se kjo është periudha më e ngrohtë që Toka po përjeton në më shumë se 100,000 vjet.

“Kjo do të thotë që qytetet tona, rrugët tona, monumentet tona, fermat tona, të gjitha aktivitetet njerëzore nuk janë përballur kurrë me klimë kaq të ngrohtë”, tha drejtori i ‘Copernicus’ Carlo Buontempo në një konferencë për shtyp të martën.

Zoti Meinshausen, shkencëtar australian për klimën, tha se është e natyrshme që publiku të shtrojë pyetje nëse jemi larg objektivit që bota të mos ngrohet më shumë se 1.5 gradë. Ai tha se është e rëndësishme që njerëzit të vazhdojnë të përpiqen të frenojnë ngrohjen.

Por Drejtori i ‘Corpernicus’, Buontempo tha se bota do të bëhet më e nxehtë: “Nëse kemi parasysh trajektoren aktuale, pas disa vitesh, viti 2023 që ishte vit i rekordeve të thyera me siguri do të mbahet mend si një vit i ftohtë”./VOA

Aktualitet

15 vite jashtë drejtësisë/ Alfred Balla: Vendim i turpshëm i KPA, i drejtohem Strasburgut

Alferd Balla ka reaguar pasi KPA e përjashtoi për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Ai e konsideron një vendim të turpshëm vendimin e KPA, pasi sipas tij vendosi të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun e tij si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë.

“Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua.

Ky vendim më la shije jo të mirë edhe pse nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat. Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje. Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GjEDNj. Më keq me vjen për avokaten time, që kishte bindjen se çështja ishte e fituar, nisur nga gjithë praktika e vetë KPA-së…”, thuhet në reagimin e Alfred Ballës.

Continue Reading

Aktualitet

Operacioni i SPAK/ Abilekaj: Kokat e krimit u larguan, në përgjime del emri i deputetit të PS-së

Gazetari Enton Abilekaj ka deklaruar se operacioni i SPAK me 50 urdhër arreste mund të jetë dekonspiruar, pasi sipas tij, kokat e krimit janë larguar nga vendi.

Abilekaj është shprehur se në përgjime është ish kryetari i PS Lezhë ka poseduar në banesë qindra kilogramë drogë dhe bandat e trafikut ja kanë marrë atij drogën.

Diskutimi mbi suksesin e operacionit është komplekse pasi nuk janë arrestuar të gjithë personat, por duhet përshëndetur operacioni pasi është i pari që godet njëherazi të gjitha bandat kriminale në vend.

Duket sikur operacioni i dekonspirua dhe ata që janë kokat e organizatave kriminale janë larguar në rrethana misterioze. Diçka ka ndodhur që nuk kanë arritur të kapen. SPAK me një urdhër ka ndaluar publikimin e dosjes ku në 240 faqe ka disa biseda të zbardhur nga SPAK tregojnë që këto fletë arreste janë të pamjaftueshme.

Në përgjime është ish kryetari i PS Lezhë ka poseduar në banesë qindra kilogramë drogë dhe bandat e trafikut ja kanë marrë atij drogën.

Ne akoma nuk kemi një fletë arresti për këto fakte dhe në parlament nuk kemi parë një kërkesë për imunitetin e deputetit Ndreca sot kur në atë kohë ishte kreu i PS në Lezhë. Kemi tre deputetë të përfshirë në këtë çështje ku janë Rrajat, Ndoka dhe Ndreca.

Ne atë dosje edhe pse flasim për vitin 2021 nuk ka asnjë çështje për zgjedhjet pasi ishte vit zgjedhor por në dosje nuk ka asnjë fjalë që flet për votat. Rama i është drejtuar Ervis Martinaj në një miting në Kurbin“, tha Abilekaj.

Continue Reading

Aktualitet

Vendimi i KPA/ Ja detaji që çoi në largimin e Alfred Ballës nga sistemi i drejtësisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 21 maj vendimin për procesin e vetingut ndaj kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, Alfred Balla. Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK që vlerësoi ta përfundojë procesin ndaj Ballës pa një vendim përfundimtar, Kolegji vendosi ta ndryshojë atë dhe vendosi sanksionin e kërkuar nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, që i ndalon kreut të KLP-së të riemërohet për 15 vitet e ardhshme në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit. Balla nuk ishte i pranishëm në momentin e shpalljes së vendimit.

Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar. Pakica e trupës së KPK vlerësoi se Balla ose duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar, ose dispozitave të nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërperjen e vetingut me sanksionim 15-vjeçar

Komisioneri Ballhysa iu drejtua Kolegjit me ankim, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK dhe vendosjen e sanksionit 15-vjeçar për kreun e KLP. Komisioneri argumentoi se Balla i plotësonte kushtet për subjekt rivlerësimi dhe se ai vetë kishte deklaratën e pasurisë, atë në funksion të figurës, si dhe tre akte ligjore pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për kontrollin e profesionalizmit.

Duke iu referuar jurisprudencës së Kolegjit, Ballhysa vlerësoi se, jo domosdoshmërisht subjektet e rivlerësimit, në momentin kur fillonte procedura e vetingut duhet të mbanin të njëjtën detyrë funksionale për të cilën Kushtetuta dhe ligji i cilësonte si subjekte të tilla.

 

 

Komisioneri nuk e gjeti të drejtë arsyetimin e KPK se Balla e ka humbur statusin e subjektit të rivlerësimit si pasojë e një akti që ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës së tij. sipas Ballhysës, subjekti në vitin 2018 kishte kërkuar në KPK ndërprerjen e veinggut dhe njëherazi kishte kundërshtuar në gjykatë lirimin e tij nga detyra si ndihmës ligjor.

Po ashtu, kërkesën për njohjen e statusit si ndihmës jo magjistrat pranë Gjykatës së Lartë, Balla e ka adresuar dhe pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, që me vendimin të dhjetorit të vitit 2020 e ka pezulluar së shqyrtuari për shkak të padisë së ngritur në juridiksionin gjyqësor.

Këto argumente të Komisionerit u renditën edhe nga kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama, e cila u shpreh ndër të tjera se urdhëri i lirimit nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë të asaj kohe ishte absolutisht i pavlefshëm dhe si i tillë nuk kishte sjellë asnjë pasojë juridike, duke u konsideruar se nuk ekzistonte. Për pasojë, është vlerësuar se Balla nuk e ka humbur statusin e ndihmësit ligjor për shkak të këtij urdhëri.

Nga ana tjetër, Kolegji vlerëson se subjekti e ka humbur statusin për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve të tij, pasi nuk ka kontestuar këtë urdhër në rrugë ligjore dhe ka shfaqur vullnetin për t’u zgjedhur anëtar në një organ tjetër kushtetues. Kjo sjellje e subjektit është vlerësuar nga KPA si shkaku kryesor për përfundimin e marrëdhënies së tij të punës si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë. Po ashtu, është vlerësuar se përmbush kushtet për t’u vlerësuar si dorëheqje nga detyra, sipas përcaktimeve të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ku përcaktohet se dorëheqja nga detyra shoqërohet dhe me sanksionin që i ndalon riemërimin në disa funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Sipas KPA, subjekti ka përfunduar marrdhënien e punësimit si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë për shkak të vullnetit të tij, si dhe ka kërkuar të mos i nënshtrohet procesit të rivlerësimi edhe ndërsa ai vetë ka menduar se e gëzonte statusin e këshilltarit ligjor dhe ka hequr dorë nga këto të drejta. Pëfundimisht, trupi gjykues i Kolegjit, me shumicë votash ka vendosur ndryshimin e vendimarrjes së KPK, duke deklaruar edhe humbjen e së drejtës së Alfred Ballës për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. /Reporter.al/

Continue Reading

Aktualitet

Tentativë për të korruptuar gjyqtarët e Apelit të Korçës, GJKKO merr vendimin për Blerand Kozicin

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ka rrëzuar kërkesën e Blerand Kozicit. Ai kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” ose “Detyrim paraqitje”.

Blerand Kozii është arrestuar për transport të paligjshëm të emigrantëve dhe po ashtu ka tentuar të korruptonte gjyqtarët e Apelit të Korçës.

NJOFTIM PËR MEDIAT:

Kërkuesi Blerand Kozicimë datën 13.05.2024, Nr. 280 Regj.Themeltar,ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” në atë të “Arresti në shtëpi” apo “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 237 dhe 234 i K.Pr.Penale.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 280, datë 20.05.2024 u vendos:

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të pandehurit Blerand Kozici. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, afat i cili do të fillojë nga dita e njoftimit të vendimit.

Tiranë, me datë 20.05.2024.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Continue Reading

Aktualitet

Dekonspirimi i operacionit të SPAK/ Rrumbullaku justifikohet: 11 na ikën jashtë!

Pasi në media është përfolur se operacioni i SPAK me 50 urdhërarreste është dekonspiruar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, ka reaguar edhe drejtori i Policisw sw Shtetit Muhamet Rrumbullaku.

Përmes një reagimi për mediat, Rrumbullaku thekson se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga GJKKO.

Kjo sipas policisë tregon se nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit. Sa u takon personave që nuk janë arrestuar, policia sqaron se 15 rezultojnë jashtë vendit, ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.

Reagim:

Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sqarojmë se:

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në kuadër të këtij operacioni, hartoi planin operacional për ekzekutimin e masave të sigurisë.

Për zbatimin e këtij plani operacional u angazhuan 50 oficerë të Policisë Gjyqësore, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Ogranizuar, personeli policor i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të gjithë efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë, 80 % e efektivëve të RENEA-s, 100 punonjës të DVP Tiranë, 50 punonjës të DVP Durrës, 50 punonjës të DVP Lezhë, 50 punonjës të DVP Vlorë dhe 20 punonjës të DVP Shkodër.

-Gjatë operacionit, u kapën nga shërbimet e Policisë që morën pjesë në operacion dhe u arrestuan, 8 shtetas.

-6 shtetas, të cilët u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit, u kapën dhe u arrestuan jashtë shtetit, gjatë zhvillimit të operacionit, në bashkëpunim me partnerët italianë, spanjollë, belgë dhe gjermanë.

-Për 6 shtetas të tjerë u ekzekutuan vendimet e Gjykatës dhe ata u njohën me akuzat, në IEVP-të përkatëse.

-Gjatë verifikimeve në sistemin TIMS, rezultoi se 13 shtetas ndodheshin jashtë shtetit dhe ishin larguar para zhvillimit të operacionit, si dhe 6 shtetas  që ishin të shpallur në kërkim para operacionit, sipas vendimit të gjykatës, për vepra të tjera penale të kryera më parë.

-Ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.

Theksojmë faktin se asnjë strukturë e Policisë së Shtetit në nivel qendror apo vendor nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin “Revanshi” dhe deri tani nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bashkëpunim shumë të mirë, të bazuar në ligj dhe në besueshmëri të plotë me SPAK-un, me GJKKO-në dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Bazuar në rezultatet e punës, të arritura gjatë vitit 2023 dhe gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2024, rezultate të cilat janë të pakrahasueshme me periudha të mëparshme, tregojnë qartë angazhimin maksimal dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.

Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur për ta thelluar më tej procesin e vetëpastrimit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qytetarët dhe me mediat.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING