Connect with us

Kosova

Vuçiç i raporton Rusisë për çdo që ndodh në Serbi/ Tregon politikani serb

“Kur Serbia drejtohej nga Sllobodan Millosheviçi, Perëndimi, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, mbështeti fuqishëm ndryshimet demokratike në vend. Por tani, kur Serbia po kthehet drejt autokracisë nën presidentin Aleksandër Vuçiç, ky angazhim duket se është zhdukur” – Kështu shkruan kryetari i Partisë Liri dhe Drejtësi, Dragan Gjilas, në një tekst autorial për ‘Politico’.

Kujtojmë se javën e kaluar, protesta të shumta u zhvilluan në rrugët e Beogradit, teksa qytetarët marshuan duke kundërshtuar manipulimet  qe sipas tyre kanë ndodhur ditën e votimeve dhe jo vetëm në kryeqytetin serb, gjë e cila ka ndikuar në rezultatin final.

Më pas, kryeministrja në largim Ana Brnabiç falënderoi shërbimet ruse të sigurisë për informimin e Qeverisë së Serbisë për demonstratat e planifikuara, të cilat, sipas saj, ishin organizuar nga “disa shërbime perëndimore”.

Duke informuar ambasadorin rus në Serbi për trazirat në kryeqytet, presidenti Vuçiç dhe i dërguari rus ranë dakord gjithashtu se protestat ishin organizuar nga Perëndimi, ndërsa ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, dënoi “dhunën dhe vandalizmin kundër institucioneve shtetërore” e cila sipas tij, nuk ka vend në një “shoqëri demokratike”.

“Duket se qëndrimet e të dërguarve rusë dhe amerikanë janë të përafruara, teksa në dukje janë më të shqetësuar për stabilitetin e qeverisë serbe sesa për mashtrimin zgjedhor” – shkruan Dragan Gjilas duke shtuar se “në botën e sotme komplekse, një mbështetje e tillë perëndimore për liderin serb, i cili akuzon Perëndimin për nxitje të trazirave në vendin e tij, është befasuese”.

“Në shtëpi, Vuçiç luan me audiencën e tij populiste, duke dënuar Perëndimin për mosrespektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, ndërsa mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ai refuzoi të vendoste sanksione ndaj Rusisë, arrestoi ose bllokoi qytetarët rusë që kundërshtojnë luftën kundër Ukrainës të qëndronin në Serbi dhe i krahasoi në mënyrë nënçmuese protestat në Beograd me Meidan-in në Kiev. Në të njëjtën kohë, ai ushqen ndjenjat luftarake ndaj Kosovës, duke pretenduar se kushdo që nuk pajtohet me të është tradhtar. Dhe kjo ka kontrolluar pjesën më të madhe të hapësirës mediatike në Serbi për më shumë se një dekadë. Ndërkohë, jashtë vendit, Serbia perceptohet si një shtet i pabesë – një vend që ka mbajtur anën e Rusisë dhe nuk ka mirëkuptim apo ndjeshmëri për tmerret që po vuan Ukraina” – ka theksuar ne shkrimin e tij kryetari i Partisë Liri dhe Drejtësi, Dragan Gjilas.

Advertisement

TRENDING