Connect with us

Shkrime

UNË VË BAST SE…

Nga Viktor Malaj

“Bixhozi është një sëmundje barbarësh që, në sipërfaqe, duken si të qytetëruar” – Uilliam Ralf Inge*

Meqenëse qeveria shqiptare njoftoi kohët e fundit se do të rikthejë biznesin e basteve (bixhozit) onlajn, edhe unë po i jap vetes të drejtë të vë disa baste “me spec”.

Unë vë bast se, nëse ndalimi i lojërave të “fatit” dikur, duke përfshirë edhe bastet onlajn, u quajt nga qeveria “fundi i marrëzisë”, rikthimi i basteve onlajn sot nga e njëjta qeveri, siç tha edhe deputeti Erion Braçe, mund të quhet me plot të drejtë një “marrëzi pa fund”.

Luajtja e bixhozit në përgjithësi dhe organizimi dhe ligjërimi i tij nga autoriteti që paguhet për të na mbrojtur nga e keqja e përbashkët në veçanti, është dhe do të jetë një fatkeqësi, pavarësisht se kjo ndodh edhe në disa vende perëndimore. Zoti nuk ka lindur në Perëndim dhe as në Lindje dhe nuk mban shtetësinë e ndonjërit prej këtyre vendeve.

Bixhozi, jo vetëm bie ndesh me mësimet e feve kryesore, por jeta ka provuar pa mëdyshje se ai nxit dembelizmin, konfliktet, zhytjen në borxhe e depresione deri edhe në vrasje të njëpasnjëshme. Që të fitojnë pak individë, duhet të humbasë shumica e atyre që luajnë, por fituesi i përhershëm mbetet i zoti i “kazinosë”.

Pretekstet nuk mund ta shfajësojnë kultivimin e veseve. Pohimi se paratë e basteve do të përdoren për zhvillimin e arsimit e kulturës është i njëjtë me pretendimin se virtytet do të rriten duke kultivuar veset.

Vë bast se shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Gledis Nano nuk u bë për arsye se ai nuk kishte realizuar pritshmëritë dhe objektivat, por, ndoshta, thjesht dhe vetëm se politika, në përgjithësi, midis një drejtuesi të vlefshëm dhe të nevojshëm policie dhe një ministri politik, zgjedh gjithmonë këtë të dytin. Edhe procedura që u ndoq dhe “njoftimet” e medias për “dorëheqjen” e z. Nano flasin për karagjozllëk dhe mungesë serioziteti. Pehlivanllëku dhe çilimillëku në qeverisje nuk janë kurrë të dobishme për popullin dhe interesat e tij.

Po të jetë puna se duhet dorëhequr apo shkarkuar çdo zyrtar që nuk realizon objektivat apo pritshmëritë, atëherë ministri përkatës, shumë ministra të tjerë, vetë Kryeministri dhe qindra  zyrtarë të niveleve të larta në administratë do të duhej të largoheshin pasi kanë gati një dekadë në drejtim, ndërsa Drejtori i Policisë nuk kishte as një vit në atë post.

Unë vë bast se tenderat, koncesionet, PPP-të dhe monopolet, pavarësisht se aplikohen edhe në vendet perëndimore, janë, më së pari, pjesë e marifeteve të grabitjes “së ligjshme” të parave të popullit dhe pastaj, deri diku, mjete të rritjes së cilësisë së zhvillimit. Gjithashtu, iniciativa e lirë private është mjeti kryesor “magjik” për shtimin e produkteve dhe të vlerave materiale, por po kaq e efektshme në bjerrjen e vlerave morale.

Vë bast se sistemi dhe politikat e djeshme dhe të sotme qeverisëse po e çnjerëzojnë popullsinë shqiptare përditë e më shumë, duke rritur përbindshëm numrin e atyre që implikohen në korrupsion, prostitucion, drogë, bixhoz, vëllavrasje, divorce etj.etj. Nxitja e të gjitha instinkteve dhe vyshkja e arsyes, kultivimi i veseve dhe përçmimi i virtyteve është “teknologji” e suksesshme kundër shëndetit moral të shoqërisë.

Vë bast se, përveç barbarëve që na sunduan në dekadat paraardhëse, edhe ata që e krahasojnë sot Shqipërinë e dikurshme, herë me Afganistanin dhe herë të tjera me Korenë e Veriut, për t’u dukur vetë perëndimorë safi, po kontribuojnë ndjeshëm në shndërrimin e saj në Perëndimin e Egër (Wild West).

Vë bast me bindje të plotë se situata politike e viteve 1990-1991 s’ishte as revolucion dhe as demokratike, por, thjesht dhe me të drejtë, një reagim dhe protestë plotësisht e justifikuar kundër gjendjes së papranueshme ekonomike dhe sociale të vendit. Shumica dërmuese e atyre që protestuan dhe, sidomos, e atyre që u vetëvunë në krye të protestave, s’ishin as idealistë, as vizionarë, por luftëtarë të interesit vetjak dhe, jo pak prej tyre, dashnorë të paskrupuj të pushtetit dhe parasë.

Unë vë bast se shteti juridik dhe drejtësia e pavarur janë një përrallë “e ëmbël” dhe dobiprurëse për sundimtarët, pasi atje ku dëmsjellësit më të mëdhenj të popullit nuk ndëshkohen thuajse kurrë dhe ku e drejta blihet me para apo fuqinë e pushtet politik, është fyerje e inteligjencës dhe poshtërim moral të flasësh për drejtësi.

Vë bast se sistemi i sotëm politik nuk është demokraci, por oligarki, sepse të gjithë kanë të drejtën e zgjedhjes, por një pakicë fare e vogël fitojnë të drejtën dhe mundësinë e imponimit të vendimmarrjeve, sigurisht në shërbim të vetes së tyre.

Vë bast se media e shkruar dhe ajo vizive nuk krijohen me mision për të informuar popullin dhe as për t’i shërbyer atij. Qëllimi është ngritja e bizneseve që sjellin fitime për zotëruesit e tyre, dhe si biznese iu nënshtrohen ligjeve të tregut dhe moralit të fitimit material. Prandaj, jo rrallë përdoret si armë kundër qeverive sa herë kjo e fundit kërkon zbatimin e ligjshmërisë në ushtrimin e bizneseve.

Tashmë ekziston liria e mendimit dhe e fjalës, por më e madhe është mungesa e mendimit dhe liria për ta shpërdoruar fjalën. Fjalët pa mendim dhe mendimet pa vlerë janë ngopje me lugë bosh.

Vë bast se liria që propagandojnë “ujqërit” është liria që iu mundëson atyre ngrënien e “deleve” dhe jo liria që i bën delet të barabarta me ata vetë. Këtë të fundit (barazinë) ata e urrejnë dhe e luftojnë me të gjitha mjetet dhe mënyrat.

Vë bast se, në kuadrin e “lirisë së mendimit” dhe “rishkrimit të historisë”, ne kemi zëvendësuar një burim të mundshëm rrenash me qindra burime të tilla, saqë duket si një garë mashtruesish të paskrupuj ku fundi nuk duket aspak më i qartë se i dikurshmi.

Vë bast se egoizmi, si tipar dallues kryesor i “njeriut të ri” të sotëm, nuk prodhon as humanizëm, as harmoni, as familje të qëndrueshme dhe as shoqëri të njerëzishme, por më tepër një bashkësi qeniesh të gjalla që vetëm rrethanat ua imponojnë jetesën “në grup”.

Vë bast se tendenca për zhdukjen e shkallëshkallshme të termave “nënë” e “baba”, zëvendësimi i tyre me numra njësoj si kuajt në fushë, shpallja “familje” e çdo bashkimi individësh, pa dallime gjinie, pa synime riprodhimi të jetës dhe lejimi i këtyre “bashkimeve” për adoptime fëmijësh është sulm kundër qelizës shoqërore që mban emrin “familje” dhe degradim i shoqërisë njerëzore poshtë nivelit të botës së kafshëve sa i përket strukturës natyrore biologjike.

Vë bast se shumica e atyre që shkojnë në kisha e xhamia, apo që vetëshpallen me zhurmë, por edhe me hipokrizi, si besimtarë fetarë janë më shumë fanatikë të mosdijes sesa besimtarë të arsyeshëm e të ndërgjegjshëm të doktrinave fetare.

Për pak harrova të vë bast se Ballkani i Hapur nuk përbën as shpëtim dhe as rrezik për shqiptarët, s’është as i dobishëm e as i dëmshëm, por thjesht dhe vetëm një artific politik i disa udhëheqësve ballkanikë për t’u dukur paqësorë, perëndimorë dhe faktorë stabiliteti në Ballkan e më gjerë. Zhurma tjetër që bëhet, pro apo kundër tij, është thjesht armë për kredibilitet politik sipas interesave të palëve që e përkrahin apo kundërshtojnë.

Ka edhe shumë gjëra të tjera për të cilat do të vija bast, por edhe këto të sipërpërmendurat nuk janë pak, pasi, fatkeqësisht, ekzistojnë të gjitha mundësitë që këto baste t’i fitoj, pa dëshirë por i imponuar nga realiteti.

Advertisement