Kosova
SHBA dhe BE e zhgënjyer me Kosovën
Bashkimi Evropian shprehu zhgënjim që qeveria e Kosovës nuk dëgjoi këshillat e bllokut dhe të Shteteve të Bashkuara për zgjatjen e afatit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës. Në një komunikatë të BE-së thuhet se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat e vjetra “por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar me dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”.
Ndonëse vendimi është një hap në drejtimin e duhur, thuhet në komunikatë, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët”.
Më tej komunikata thekson se marrëveshja e vitit 2016 parashikon një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12 mujor për procesin e konvertimit “i cili nuk është ndjekur.
Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni” – Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe Shtetet e Bashkuara” – thuhet në komunikatë.
Edhe Shtetet e Bashkuara u shprehën të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës refuzoi kërkesat për ta shtyrë afatin për zbatimin e vendimit për dhjetë muaj.
Në vendimin e fundit të Qeverisë Kurti, janë vendosur disa afate për konvertimin e targave, deri më 21 prill të vitit të ardhshëm.