Politike
Apeli i GJKKO lë në fuqi arrestin në burg për Ilir Beqajn
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi vendimin për “arrest në burg” në kuadër të hetimeve për dosjen SASPAC (Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës).
Vendimi u mor këtë të enjte, 23 korrik, nga gjyqtarja Miliana Muça, e cila konfirmoi vendimin nr. 362, datë 25 maj 2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Në ankimin e tij, Beqaj kishte kërkuar që masa e sigurisë “arrest në burg” të zëvendësohej me “arrest në shtëpi”. Gjithashtu, ai kishte propozuar si alternativë edhe vendosjen e masës së “garancisë pasurore”, duke ofruar shumën prej 2 milionë lekësh ose një shumë tjetër që do të vlerësohej e përshtatshme nga gjykata.
Pas shqyrtimit të çështjes, Apeli i GJKKO vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke konfirmuar vijimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për ish-ministrin.
Kujtojmë se më 28 maj 2025, për dosjen e e “Sterilizimit”, u vendos që ish-ministri Beqaj të gjykohej veçmas, për veprat penale “vjedhje” duke shpërdoruar detyrën, dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Dosja lidhet me koncesionin e dhënë në vitin 2015 nga Ministria e Shëndetësisë për ofrimin e shërbimit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale në spitalet publike. Hetimet e SPAK ngritën dyshime për parregullsi në procedurat e dhënies së kontratës, favorizim dhe dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit.
Më 4 mars të këtij viti, Gjykata e Posaçme gjeti fajtor ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në dhënien e koncensionit të sterilizimit të mjeteve spitalore në vitin 2015 dhe e dënoi atë me 6 vite burg.
Si bashkëpunëtor i tij për të njëjtat akuza, fajtor u gjet edhe biznesmeni që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj, i cili u dënua nga treshja e gjyqtarëve po me 6 vite heqje lirie. Të dy ata morën pafajësi për akuzën e grupit të strukturuar kriminal.
Dënime më të ulëta, nga 1 deri në 3 vite burg, u dhanë për 6 të pandehur të tjerë, ish-zyrtarë që kanë qenë pjesë e komisionit për dhënien e koncensionit, për shkelje në procedurë.
Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata kanë vlerësuar se kostot për sterilizimin u frynë në mënyrë të padrejtë në 56.4% dhe se dëmi u bë detyrues për shtetin me firmën e ish-ministrit Beqaj. Ky i fundit u arrestua më 4 korrik 2024 dhe ndodhet i izoluar në paraburgimin e Durrësit.