Politike
Protesta e ndaluar/ Berisha sfidon policinë
Ish-Kryeministri Sali Berisha e konsideron nul njoftimin që policia e shtetit i ka bërë dje që nuk e lejon organizimin e protestës më 6 dhjetor në Bulevardin e Tiranës sepse cenohet siguria kombëtare. Berisha tha se atë ditë do ta mbushë Bulevardin si kurrë më parë.
“Policia e Shtetit njoftoi mbrëmë se nuk njeh Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Lidhur me këtë njoftim, i rikujtoj këtyre vasalëve të Edi Ramës, se Kushtetuta nuk njeh kufizime për protestat dhe liritë e qytetarëve. Por krahas kësaj, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që vendos se protestuesi nuk ka asnjë detyrim që të njoftojë policinë. Së treti, policia e shtetit e Edi Ramës, po e trajton samitin e liderëve të BE, sikur këtu po mblidhen diktatorët e botës, në një kohë kur ata që vijnë në Tiranë janë shtetarë të zgjedhur me votën e lirë.
Komisioni Europian, për të qartësuar pozicionin evropian, kërkoi që e drejta për protestë të respektohet. Prandaj ai refuzimë shtë i paqenë. Ai tregon fytyrën e vërtetë të këtij regjimi që është i tmerruar nga populli opozitar që do të mbushë sheshin më datën 6 në orën 12. Në këtë datë do vërshojnë të gjithë ata që ëndrrën evropiane e kanë më të çmuarën për të ardhmen e tyre. Në datën 6 do të vërshojnë të gjithë ata që shohin vlerat evropiane si më të çmuarat.
Do jetë një protestë që nuk është parë ndonjëherë. Do jetë një protestë ku do buçasë në çdo anë thirrja, E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Thirrja: Edi Rama dhe narkoshteti nuk përfaqësojnë Shqipërinë, Edi Rama dhunues kryesor i votës së lirë në Europë pas Lukashenkos, Edi Rama, një vasal i verbër i Vuçiçit dhe avokat mjeran i Rusisë së Vogël dhe Putinit. Kemi kaq motive për të qenë në shesh duke garantuar sigurinë e plotë të miqve tanë, të cilët i përshëndesim dhe e konsiderojmë nderim të madh për kombin shqiptar. Por Edi Rama nuk përfaqëson votën e lirë, ai përfaqëson narkoshtetin dhe gjithçka që e shndërroi këtë popull në popullin e gomoneve. Kështu që ne duhet të jemi aty, të gjithë së bashku, dhe do jemi”, tha Berisha
6 dhjetori në Bulevard cenon sigurinë? Berisha: Nuk ka forcë që na ndal
Ish-kryeministri Sali Berisha ka nënvizuar sot se asgjë nuk e ndal protestën e tij më 6 dhjetor në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, edhe fakti se mund të cenohet siguria kombëtare ditën e samitit të rëndësishëm BE-Ballkani perëndimor.
“S’ka forcë në botë që ta ndalojë mbajtjen e atij tubimi që ka si qëllim madhor përkushtimin dhe vokacion ndaj vlerave perëndimore. Të dëshmojë revoltën e popullit opozitar ndaj një njeriu që i ka shndërruar qytetarët shqiptarë në popullin e gomoneve”, tha Berisha.