Connect with us

Kronike

Hetohen prodhuesit e betonit

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të betonit në qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, për të vlerësuar ekzistencën e mundshme të shenjave të kufizimit të konkurrencës.

Nga procedura e monitorimit të tregut të prodhimit dhe shitjes me shumicë të produktit beton është konstatuar një numër i madh ndërmarrjesh të cilat operojnë në të.

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të cilat ushtrojnë veprimtari në tregun e prodhimit të betonit janë ndërmarrje ndërtuese, duke e përdorur produktin beton si lëndë e pare për qëllimin e aktivitetit të tyre në fushën e ndërtimit.

Por, nga ana tjetër, nga monitorimi është konstatuar se disa nga ndërmarrjet konkurrente kanë marrëdhënie tregtare me njëri-tjetrin lidhur me plotësimin e nevojave për furnizim.

Gjithashtu, rritja e çmimit të betonit në të gjitha ndërmarrjet ka ndodhur në të njëjtën kohë në periudhën shkurt-mars të vitit 2022 dhe në të njëjtën masë rreth 30%. Ndërkohë, çmimet e shitjes së produktit beton ndërmjet ndërmarrjeve janë të përafërta, sipas kategorive të betonit.

Komisioni i Konkurrencës ka vlerësuar se çmimet e përafërta të shitjes së ndërmarrjeve prodhuese të betonit, rritja në të njëjtën periudhë, homogjeniteti i produktit dhe transparenca e tregut, marrëdhëniet tregtare ndërmjet konkurrentëve në këtë treg janë të gjithë elementë të cilët mund të çojnë drejt një sjellje të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.

Kjo sjellje mund të përbëjë kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës në kuptim të nenit 4 dhe 9 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës. Për këtë arsye, Komisioni vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të betonit në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.

Hetimi paraprak të përfshijë periudhën kohore nga 1 Janar 2020 deri në 30 shtator 2022 dhe pritet që raporti i hetimit paraprak të paraqitet në Komisionin e Konkurrencës brenda muajit janar.

Advertisement