Connect with us

Kronike

Audi luksoz u rrethua nga “Shqiponjat”/ Efektivët “nuk iu ndanë” Agasit për 40 kilometra

Pasditen e djeshme në dalje të autostradës, në zonën e Plepave të Durrësit, dhjetëra efektivë të Shqiponjave së bashku me agjentë të BKH-së realizuan me sukses arrestimin në flagrancë të biznesmenit të shumëkërkuar të SPAK, Ergys Agasit. Me të pikasur mjetin në Elbasan, forca të shumta policie i janë vënë nga pas një makine luksoze tip “Audi”, të cilën e kanë ndjekur për rreth 40 kilometra nga Elbasani drejt Peqinit, Rrogozhinës e pastaj në Durrës, në zonën e Plepave, aty ku “Audi” brenda të cilit ndodheshin Ergys Agasi pasagjer dhe ish-polici Ulian Shpataraku shofer, të cilët nuk kishin zgjidhje tjetër vetëm se të ndalonin, pasi makina e tyre u rrethua nga operacionalja.

Pas një pune disa javore të kryer në bashkëpunim mes Forcave të Operacionales dhe agjentëve të Burosë Kombëtare të Hetimit, ditën e djeshme u realizua me sukses ndalimi i biznesmenit kontrovers Ergys Agasit, të cilin SPAK e kërkonte prej afro 9 muajsh për llogari të skandalit të AKSHI-t. Në operacionin e djeshëm, përveç Agasit, efektivët ia dolën të arrestonin dhe ish-policin Ulian Shpataraku i cili prej 20 ditësh ishte në kërkim pasi akuzohej për kërcënim ndaj stafit të një hoteli në Dhërmi.

Ndaj këtij të fundit, i njohur ndryshe dhe si “besniku” i Ilir Prodës, është ngritur dhe një tjetër akuzë. Ai u arrestua në flagrancë për shoqërimin e Agasit, ndja akuzohet për përkrahje të autorit të krimit. Ndërsa mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas arrestimit të tij agjentët e BKH-së ushtruan edhe kontrolle në banesën e tij në zonën e Liqenit të Thatë.

Me t’i ndaluar te zona e Plepave të Durrësit, efektivët shoqëruan menjëherë dyshen drejt Tiranës. I veshur me bluzë të bardhë, pantallona të shkurtra dhe shapka me gisht e nën shoqërimin e gjashtë efektivëve Ergys Agasi mbërrit rreth orës 21 të mbrëmjes së djeshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, aty ku ai raportohet të ketë kaluar mbi 3 orë. Detaj që mori më së shumti vëmendje ishte se në dorën e tij Agasi, ndonëse tashmë ishte ndaluar për llogari të një sërë akuzave që rëndojnë ndaj tij, brenda në Komisariat u pa pa pranga në duar, ndërsa në njërën dorë mbante akoma orën “Richard Mille”, një prej markave më ekskluzive dhe më të shtrenjta të orëve luksoze në botë.

Pas Drejtorisë së Policisë, Agasi është dërguar në Bllokun e Sigurisë, ku pritet të qëndrojë 48 orë derisa të dalë para GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë, e cila ka caktuar ndaj tij “arrest me burg”. Siç kemi raportuar dhe më parë, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën ‘arrest në burg’ ndaj Agasit në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.

Arrestimi i bujshëm i Agasit vjen vetëm një ditë pasi mediat e huaja raportuan se gjykata franceze ka rrëzuar kërkesën për të fituar lirinë të biznesmenit Ermal Beqiri, i cili ndodhet prapa hekurave në Francë, ndërsa pritet që të ekstradohet drejt Shqipërisë e të përballet me drejtësinë shqiptare në lidhje me skandalin e AKSHI-t.

Prokuroria e Posaçme e akuzon Agasin, së bashku me biznesmenin Ermal Beqiraj, për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për manipulimin e tenderave të AKSHI-t, ndërsa hetimet përfshijnë edhe pretendime për përdorim të dhunës dhe pengmarrje, të biznesmenit Gerond Meçe.

Advertisement