OPINION
Yuri, Yuri, si më dëgjon? Marrje!
Tani që po shkruaj, jam e ulur në një lëndinë të gjelbërur, sepse që prej vitit 2021, sipas këshillës së ambasadores Yuri Kim, unë zgjodha të ha bar. Bëra këtë zgjedhje jo se doja, por sepse sipas mendimit tim është shumë më e ndershme të hash bar sesa të pranosh një opozitë false, apo akoma më keq të pranosh të të drejtojë korrupsioni.
Për shumë muaj, madje mund të them se për dy vite, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara u bë figura kryesore në edicionet informative. Ajo duke hyrë e duke dalë ku i takonte, por dhe ku aspak nuk i takonte, nuk la rast e mundësi për të treguar se me kë ishte e dashuruar dhe luftonte për të na imponuar me çdo kusht dashurinë e saj. Një ditë të bukur, kur pa se nuk po dashuroheshim me të njëjtin subjekt, na paralajmëroi se kush nuk dashuronte njësoj si ajo, do të hante bar.
Duke qenë se jam rebele, më pëlqen që gjithmonë të jem kundër rrymës, e sidomos kundër urdhërave. Mundohem të mos shkel ligjin ama kur përpiqen të më urdhërojnë shijet dhe të më përcaktojnë zgjedhjet, kthehem krejtësisht një “antiligjore” e denjë. Këtë zgjedhje bëra edhe pas orientimit që u përpoq të më jepte ambasadorja. Unë zgjodha të ha bar.
Zgjodha barin jo me kokfortësinë e budallait, por sepse kisha bindjen time të brendshme, njohurinë dhe pjekurinë e duhur për të ditur se unë duhet të zgjidhja luftën ndaj pushtetit dhe ndaj patericave të tija, qoftë kjo edhe me çmimin e ngrënies së barit. Në kohën e zgjedhjes, përveç bindjes sime nuk kisha asgjë tjetër me vete, por në këto dy vite gjatë rrugëtimit tim barëngrënës, fillova të armatosem edhe me faktet që dilnin e dalin përditë një e nga një, të cilët tregonin korrupsionin që ka pushtuar pushtetin. Përditë kuptoja se kisha bërë zgjedhjen e duhur, se bindja dhe njohuritë e mia nuk më kishin zhgënjyer, por më kishin drejtuar në rrugën e drejtë.
E ndërkohë që unë armatosesha më vërtetësi, ylli mbasadoresk i intervistave e kronikave televizive filloi të rrallonte daljet e saj. Përqafimet qeveritare me ambasadoren, fotot e saj me opozitën kallpe, nuk ishin më refren i lajmeve dhe portaleve. Divorci i dashurisë së ambasadores po dukej i afërt, ndërkohë që unë vazhdoja të haja bar, duke kërkuar të kem opozitë, duke kërkuar të heq nga pushteti të korruptuarit, duke kërkuar një qeveri të mirë dhe duke kërkuar demokraci ku vota të vendos, gjëra të cilat ambasadorja nuk donte të m’i lejonte.
Sot kam shumë dëshirë ta pyes ambasadoren, si është? Dua ta pyes nëse po vuan nga zhgënjimi i dashurisë, dua ta ftoj në një drekë ose darkë vegjetariane me bazë bari. Por duke qenë se jemi në nivele të ndryshme shoqërore e nuk do ta kem ndonjëherë mundësinë që ta takoj, e duke mos ia patur as numrin e telefonit e as e-mailin, thjesht po i drejtohem me ata telefonat që bënim dikur kur ishim fëmijë, ata me dy kuti shkrepse dhe fill pambuku. Do t’i drejtohem me shpresën se do të jetë më mirë që të kthehet në fëmijë për të qenë e pafajshme në këtë katrahurë politike që ajo krijoi me vetëdije të plotë pa menduar se dashuria për interes fundin e ka të keq dhe të shpejtë.
E ashtu mes lodrës tonë të komunikimit fëminor, me njerën nga kutitë e shkrepse në dorën time e me tjetrën në dorën e saj, ta pyes e ti them:
– Yuri, Yuri si më dëgjon? Marrje! O Zot sa më dhimbsesh!