Kosova
Letër e hapur Chollet – Escobar/ SHBA dalin garante për asociacionin
Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, perms një letre të hapur, i bënë thirrje Kosovës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke e siguruar atë se ky mekanizëm nuk e cenon Kushtetutën, sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.
Dy zyrtarët e lartë amerikan kanë dhënë garanci të fuqishme se SHBA është në mbështetje të Kosovës dhe se Kushtetuta e saj nuk do të cenohet nga Asociacioni.
Në letër thuhet se “Brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova mund të refuzojë opsionet që kërcënojnë strukturën e saj ligjore, por nuk mund të refuzojë zotimet e saj. Si vendi më pro-kosovar në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të mbështesin popullin e Kosovës për të siguruar që struktura e saj kushtetuese dhe ligjore të mos cenohet”.
Dy zyrtarët e lartë amerikan thanë se me themelimin e Asociacionit Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për të ardhmen e saj.
“Si mikja dhe aleatja më e afërt e Kosovës, ne besojmë se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në letrën e Chollet dhe Escobar.