Connect with us

Kosova

Takimi Kurti-Vuçiç/ SHBA: Duhet të jeni konstruktiv. Ambasadori francez: Mos nga zhgënjeni

Takimi i ardhshëm për dialogun Kosovë-Serbi do të zhvillohet të hënën e datës 27 shkurt. •Vetë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohet nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak dhe Josep Borrel me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Në takim do të diskutohet për planin franko-gjerman, të cilin Kosova e ka pranuar në parim. • Departamenti i Shtetit ka kërkuar ditën e sotme që si Kurti po ashtu dhe Vuçiç të jenë konstruktiv në këtë takim. Të njejtën gjë ka kërkuar dhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, duke thënë se në atë takim nuk duhet të ketë zhgënjime për planin evropian.

“Disrespekt”, Bislimi s’flet për takimin Kurti -Vuçiç, përgjigjet shefi i BE: Presim që marrëveshja të pranohet

Takimi Kurti-Vuçiç/ SHBA: Duhet të jeni konstruktiv.

Tomas Szunyog dhe Besnik Bislimi

KOSOVË- Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ka dashur të flasë për takimin e së hënës në Bruksel Kurti-Vuçiq gjatë konferencës që pati pas nënshkrimit të marrëveshjes IPA 2023 me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. Duke dashur t’i shmanget pyetjes, Bislimi tha se është ‘disrespekt’ të flitet për tema të tjera në një ngjarje sikur nënshkrimi i kësaj marrëveshje.

“Është hera e parë që kemi një program IPA që i dedikohet tërësisht një sektori i cili është i goditur, të cilat do të shpërndahen tek qytetarët. Është hera e parë që në plotësi programi i besohet institucioneve të Kosovës. Është disrespekt për gjithë këtë punë që është bërë. Po më duket që është e padenjë të përgjigjem në këtë pyetje”, tha ai.

Ndërkaq, Szunyog, duke thënë se nuk mund të shtojë më shumë sesa që ka folur kolegu i tij, Miroslav Lajçak, tha se kanë pritje që palët ta pranojnë propozimin.

“Presim që të dyja palët të pranojnë propozimin europian dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive se si të zbatohet ajo. Marrëveshja është e rëndësishme për integrimin europian”, tha ai.

Szunyog tha se Kosova është ndër vendet që është ndikuar më negativisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Ambasadori francez në Kosovë: Kurti e Vuçiç të mos zhgënjejnë në takimin e 27 shkurtit

Takimi Kurti-Vuçiç/ SHBA: Duhet të jeni konstruktiv.

Olivier Guerot

KOSOVË- Konflikti dhe negociatat Kosovë-Serbi, janë të paparashikueshme dhe për këtë arsye asnjë diplomat nuk nxitohet me deklarata. Olivier Guerot, ambasador i njërit prej vendeve më të fuqishme të BE-së, Francës, në Prishtinë, është i kujdesshëm kur përgjigjet se çfarë do bëjnë Kurti e Vuçiç, të hënën e ardhshme në Bruksel.

Por, si një diplomat i vendit që ka bashkësponsorizuar planin (franko -gjerman), në një intervistë për Gazetën Express, ai u kërkon atyre të mos zhgënjejnë. I pyetur nëse Perëndimi ka vënë si afat përvjetorin e parë të luftës në Ukrainë si afat për ujdi, Guerot përgjigjet në mënyrë afirmative.

“Në përvjetorin e parë të luftës në Ukrainë, është thelbësore të arrihet një marrëveshje dhe të ruhet paqja në këtë rajon…”

Sidoqoftë, për ritmin e negociatave, megjithatë, e lë përgjegjës emisarin Miroslav Lajcak. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për shkak të refuzimit të Kryeministrit Kurti, mund ta komplikojë situatën dhe perspektivën e marrëveshjes mbi bazën e propozimit evropian, por Guerot sinjalizon se Perëndimi s’do të lëshojë pe.

Në këtë intervistë të realizuar me shkrim, francezi u përgjigjet edhe skeptikëve që pyesin nëse Kosova duhet ta pranojë një marrëveshje që nuk i sjell njohje nga pesë vendet, që nuk e qartëson rrugën drejt BE’së e NATO’s e as ulësen në OKB.

Ky diplomat, në përvjetorin e parë të luftës në Ukrainë e cila nisi më 24 shkurt me agresionin rus ndaj fqiut të saj Ukrainës, ka numëruar ato që Franca ka bërë për t’i dalë në  ndihmë Kyivit dhe popullit ukrainas në ndihmë, me një porosi të prerë nga Prishtina: Rusia nuk mund dhe nuk duhet ta fitojë këtë luftë.

Intervista e Plotë:

Gazeta Express: Keni disa muaj që keni ardhur në Kosovë. Me postimet e tuaja në Twitter po na tregoni që ka jetë edhe përtej politikës. Po i reklamoni  ushqimet, qytetet, malet e Kosovës, a keni gjetur diçka të veçantë këtu që ne vendësit ndoshta nuk e vërejmë?

Amb. Oliver Guerot: Kjo është përparësia kur vjen me një sy të ri! Jam i kënaqur çdo ditë që kam mundësinë të punoj në këtë vend të mrekullueshëm, të përfitoj nga mikpritja dhe bujaria e qytetarëve të tij, si dhe afrueshmëria e tyre, dhe të zbuloj peizazhet e tij. Sigurisht që ka disa gjëra që po shkojnë më mirë se të tjerat dhe puna e Ambasadës është të japë kontributin e saj, të sugjerojë, të inkurajojë. Asnjë ditë nuk harroj se jam një diplomat i huaj në një vend sovran: detyra jonë është të propozojmë, të mbështesim por sigurisht edhe të bëjmë të njohur pikëpamjen tonë. Nëse mesazhet e mia në Tëitter reflektojnë simpatinë time për Kosovën, jam shumë i lumtur.

Gazeta Express: Po hyjmë në përvjetorin e parë të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Fjalimi i Presidentit Macron në Konferencën e Mynihut u pa në disa media si një qasje e re e Francës karshi konfliktit. A janë Franca dhe aleatët në NATO të gatshëm t’i shkoni deri në fund “përballjes” me Rusinë dhe a po shihet gjëkundi fundi i kësaj lufte?

Amb. Olivier Guerot: Lufta është duke u zhvilluar, por ne tashmë mund të bëjmë një bilanc të agresionit katastrofik të kryer nga Rusia kundër Ukrainës, siç bëri Presidenti Macron. Ky bilanc dëshmon për një seri dështimesh. Dështim në terren. Trimëria e jashtëzakonshme e ushtrisë dhe popullit ukrainas, i liderëve të saj, prishi planin e një agresioni të shpejtë, sipas të cilit Ukraina do t’i rezistonte vetëm disa ditë. Dështim i mentalitetit kolonial dhe imperialist që kërkonte të legjitimonte këtë konflikt. Rusia sot është një fuqi destabilizimi dhe çrregullimi, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Kaukaz, në Lindjen e Afërt, të Mesme, në Afrikë, Dështimi për të parashikuar të ardhmen. Rezultati konkret i agresionit është konsolidimi i Ukrainës, është zgjedhja i Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Dështimi për ta rikthyer autoritetin e Rusisë në botë. Rusia tani ngjall dyshime të përgjithshme  tek të gjithë fqinjët e saj. Por, gjeografia e Rusisë nuk do të ndryshojë, ajo do të jetë gjithmonë në tokën evropiane. Nuk do të ketë paqe të qëndrueshme dhe të plotë në kontinentin tonë pa pasur parasysh çështjen ruse, por në mënyrë të zgjuar, pa asnjë zemërgjerësi. Por, presidenti Macron e tha qartë, sot nuk është koha për dialog, sepse ne kemi një Rusi që ka zgjedhur të intensifikojë luftën deri në krime lufte dhe sulme ndaj infrastrukturës civile.

Rusia nuk mund dhe nuk duhet ta fitojë këtë luftë. Ne nuk mund të pranojmë si diçka të rëndomtë përdorimin e paligjshëm të forcës. Që nga fillimi, Franca mori pjesë në vendosjen e sanksioneve dhe ofrimin e mbështetjes ekonomike, humanitare dhe, natyrisht, ushtarake për Ukrainën. Franca ka dërguar pajisje me shuma të mëdha: artileri, mbrojtje kundërajrore në veçanti. Ne do të dërgojmë tanke dhe do të marrim pjesë në një program trajnimi për mijëra ushtarë. Në të njëjtën kohë, ne kemi dislokuar trupat tona në krahun lindor të NATO-s, veçanërisht në Rumani, Estoni dhe në qiellin evropian, por edhe në Mesdhe. Kjo është strategjia që po zbatohet që nga ditët e para të konfliktit.

Në afat të shkurtër, ne duhet të jemi të fortë. Dhe ne duhet të rrisim mbështetjen tonë për të ndihmuar rezistencën ukrainase dhe për t’i mundësuar asaj të ndërmarr një kundërofensivë e dhe vetëm ajo do të mundësojë negociata kredibile bazuar në kushtet e vendosura nga Ukraina, autoritetet dhe populli i saj. Kjo paqe do të jetë edhe më e mundshme dhe më e besueshme nëse jemi të fortë sot dhe nëse dimë të jemi të tillë në terma afatgjatë. Dhe jam i lumtur të shoh se Kosova dhe Franca kanë qëndrime identike për luftën në Ukrainë. Dje takova gazetarët ukrainas që janë vendosur në Kosovë. Franca ka strehuar 100,000 ukrainas. Më shumë se 20,000 janë të regjistruar në sistemin arsimor. Ne po punojmë në të njëjtin drejtim.

Gazeta Express: Vitin që shkoi, përvjetori i parë i luftës në Ukrainë, u ndërlidh me kontekstin e bisedimeve Kosovë -Serbi që po zhvillohen mbi bazën e planit franko – gjerman. U tha se një marrëveshje po kërkohet të ndodhë pikërisht në përvjetorin e fillimit të luftës. Palët ende nuk janë dakorduar me këtë propozim dhe lihet të kuptohet se do të ketë ende negociata? A ka një afat Perëndimi për një marrëveshje Kosovë-Serbi?

Amb. Olivier Guerot: Negociatat mes Serbisë dhe Kosovës lehtësohen nga Bashkimi Evropian dhe në veçanti nga Miroslav Lajçak. Është ai, në konsultim me të gjithë partnerët e përfshirë, që mund të sugjerojë ritmin e negociatave. Por të gjithë kanë interes për përparim të shpejtë në këtë dialog. Sidomos serbët në veri të Kosovës që aktualisht jetojnë në një situatë të vakumit institucional, por jo vetëm ata. Këto diskutime mobilizojnë shumë energji dhe kohë të dy qeverive. Kjo energji mund të përdoret ndryshe kur të arrihet një marrëveshje, për shembull për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.

Gazeta Express: Si ambasador i një shteti ko-sponsor i këtij propozimi a keni shpresa se Kosova e Serbia do t’i thonë po marrëveshjes dhe nëse ka një ujdi çfarë prisni të ndodhë? A do të gjejë qetësinë kjo pjesë e Europës?

Amb. Olivier Guerot: Natyrisht se shpresoj se po. Sepse të dy vendet, Serbia dhe Kosova, kanë interes që të angazhohen me vendosmëri për normalizimin. Propozimi i quajtur franko-gjerman, i cili është një propozim evropian i mbështetur fuqishëm nga Franca dhe Gjermania, ka benefite reale për Kosovën si për Serbinë. Jam i bindur se kjo pjesë e Evropës do të gjejë paqe. Vende të tjera në Evropë kanë përjetuar tensione, luftëra, urrejtje dhe kanë arritur t’i tejkalojnë ato. Luftërat midis Francës dhe Gjermanisë sollën rrëke gjaku dhe lot. E megjithatë arritëm të pajtoheshim. Pajtimi franko-gjerman nuk është domosdoshmërisht një model për t’u kopjuar pasi çdo situatë është unike, por sigurisht që mund të jetë një burim frymëzimi. Perspektiva evropiane mund të jetë gjithashtu një motivim i fortë. Në përvjetorin e parë të luftës në Ukrainë, është thelbësore të arrihet një marrëveshje dhe të ruhet paqja në këtë rajon të dëmtuar nga konfliktet e viteve 1990, dhe Franca dhe Gjermania janë të vendosura të angazhohen për arritjen e një marrëveshje.

Gazeta Express: Presidenti Macron në Mynih bashkë me Kancelarin Sholc takuan Presidentin e Serbisë Alexander Vucic ndërkohë që në takimin me Kryeministrin Kurti mori pjesë ministrja për Evropë dhe punë të jashtme e Francës. Pse ndodhi kjo?

Amb. Olivier Guerot: Në këtë takim mori pjesë Ministrja e Punëve të Jashtme, Catherine Colonna. Franca është plotësisht e përkushtuar për të mbështetur këto diskutime të rëndësishme. Vetë Presidenti i Republikës është angazhuar në disa raste, veçanërisht më 10 nëntor kur priti presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti në Elysée. Angazhimi i Francës për Ballkanin Perëndimor është i plotë. Presidenca franceze e Bashkimit Evropian ka luajtur një rol kyç në zhbllokimin e diskutimeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne po punojmë gjithashtu për të lehtësuar progresin në rrugën e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Republikës së Kosovës.

Gazeta Express: A ka ndonjë rezultat nga bisedat në Mynih ose me sakte çfarë mund të presim nga takimi Kurti Vuçiç i datës 27 në Bruksel?

Amb. Olivier Guerot: Më duket se ekziston një pritshmëri e përgjithshme e liderëve të dy vendeve për të bërë progres me këtë rast. Është një dinamikë e shtuar, dhe u takon atyre të mos e lënë të bjerë. U takon atyre të mos zhgënjejnë. Atyre u takon gjithashtu të bëjnë gjithçka që është në dorën e tyre për të shmangur ndonjë incident. Takimi i datës 27 mund të jetë një hap i rëndësishëm.

Gazeta Express: A mund të kemi marrëveshja mbi bazën e planit franko- gjerman (europian) pa Asociacionin. Kryeministri Kurti ka një pozicion të ngurtë se Asociacioni mund të hyjë në fuqi vetëm pas njohjes reciproke? A prisni të ndryshojë qëndrimi i Kurtit apo do të ndryshojë Perëndimi?

Amb. Olivier Guerot: Qëndrimi ynë është i njohur. Më 9 shkurt, Këshilli Evropian i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte, detyrimet për të cilat janë zotuar në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gazeta Express: Shumëkush e sheh me skepticizëm marrëveshjen potenciale. Kosova nuk siguron me të njohjen nga pesë vendet e BE’së, rrjedhimisht nuk qartësohet shumë as rruga drejte BE’së e as anëtarësimi eventual në NATO për shkak të vendeve mosnjohëse e lërë me në OKB ku janë dy veto. A mund të jemi më optimistë si Kosovë?

Amb. Olivier Guerot: Përkundrazi, mendoj se ka arsye për të qenë optimist. Optimist i arsyeshëm, por gjithsesi optimist. Dialogu ofron mundësi, nëse secili prej dy vendeve di t’i shfrytëzojë ato, kjo mund të krijojë perspektiva të reja. Por edhe për arsye të dinamizmit specifik për Kosovën, popullsinë e saj të re dhe plot frymë ndërmarrësie dhe potencialin e saj. Në vitin 1999 dhe më pas në vitin 2008 Franca ishte në anën e Kosovës. Ajo është ende dhe është e gatshme ta shoqërojë në rrugën drejt integrimit evropian dhe zhvillimit ekonomik.

Advertisement