Rajon
Horror/ E prerë copa-copa brenda valixhes, gjendet trupi i 28-vjeçares
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Beogradin, ku një 28-vjeçare ruse e shpallur e zhdukur prej fundit të muajit korrik është gjetur e pajetë brenda një valixheje në një kanal pranë kryeqytetit serb.
Trupi i viktimës u zbulua të enjten në mbrëmje nga banorë të zonës pranë kanalit në Padinska Skela, një zonë me dendësi të ulët banimi në anën tjetër të lumit Danub. Pas ekzaminimeve mjeko-ligjore, autoritetet konfirmuan identitetin e saj si Lyudmila Turkova, shtetase ruse për të cilën ishte raportuar zhdukja.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar arrestimin e një 25-vjeçari me shtetësi turke, i cili dyshohet si autori i vrasjes. Ai u ndalua në aeroportin e Beogradit, ndërsa dyshohet se po përpiqej të largohej nga vendi.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në orët e para të 26 korrikut, në një apartament me qira në lagjen Borça të Beogradit. Autoritetet dyshojnë se pas krimit, trupi është vendosur në një valixhe dhe është transportuar drejt Kanalit Vizelj, ku më pas është braktisur.
28-vjeçarja ishte zhdukur mbrëmjen e 25 korrikut, pasi kishte ndërprerë kontaktet me miqtë dhe nuk u ishte përgjigjur më mesazheve. Pas denoncimit, policia serbe nisi kërkimet, të cilat çuan në zbulimin e trupit dhe arrestimin e të dyshuarit.
Çështja i është kaluar prokurorisë serbe, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, motivit dhe përgjegjësive në këtë ngjarje të rëndë.