Politike
“Thikë pas shpine”/ Kryebashkiaku i Selenicës përplaset me PS për shkrirjen e Bashkisë
Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, ka reaguar ndaj propozimit për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Vlorën, në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.
Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Bellaj ka kundërshtuar deklaratat e deputetit socialist Ardit Bido, i cili sipas tij ka pretenduar se banorët e Selenicës kanë kërkuar vetë bashkimin me Bashkinë e Vlorës.
Kryebashkiaku e cilësoi këtë deklaratë si të pavërtetë dhe një goditje ndaj besimit të qytetarëve, duke thënë se askush nuk mund të flasë në emër të komunitetit pa marrë më parë mendimin e tij.
“Për shumë banorë të Selenicës, kjo u përjetua si një thikë pas shpine, në një moment kur pritej mbështetje për interesat e zonës”, u shpreh Bellaj.
Ai theksoi se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar: Selenica duhet të vijojë të jetë bashki më vete, duke argumentuar se kjo njësi vendore plotëson kushtet ligjore, ekonomike dhe historike për të funksionuar e pavarur.
Sipas Bellajt, territori, numri i fshatrave, burimet natyrore, potenciali ekonomik dhe puna e administratës vendore janë elementë që dëshmojnë se Selenica ka kapacitete për të vazhduar si bashki më vete.
Debati për reformën e re territoriale ka sjellë kundërshtime edhe në zona të tjera të vendit, ku banorët kanë protestuar ndaj propozimeve për bashkime të reja administrative. Vendimi përfundimtar pritet të përcaktojë hartën e re të njësive vendore në Shqipëri.