Connect with us

Shkrime

Monika Stafa: A beautiful mind

Sot gjërat lëvizin më shpejt nga sa ndodhte më parë. Dhe jo vetëm në një këndvështrim të caktuar. Jeta po ashtu jetohet ndryshe, krejt ndryshe nga më parë. Ajo është më e ashpër e më nën tehun e presionit se kurrë ndonjëherë më parë.

Disa ngjarje të mëdha së fundmi e provuan këtë. Ato nisën të mjergullta dhe thuhet se bota do të jetë nën darën e tyre edhe për disa vite më tej.

Epidemia e madhe e flamës. Lufta në Ukrainë. Ndërsa raportet e pushteteve nuk duken të jenë më si dikur. Ato janë shpërbërë thuajse tërësisht. Bota shfaqet më e çoroditur. Tragjeditë që la pas pandemia apo artileritë në skalionet e luftës në Ukrainë lanë gjurmë në mendjen njerëzore.

Sepse natyra e tragjedisë është e tillë që kërkon më shumë se sa jep. Vec vulës së vet si një shenjë që s’don të fshihet ajo lë pas edhe vepra me autorë të ikur prej saj.

Letërsia i shënjon ato më mirë. Mesjeta prodhoi Dekameronin. Depresioni i madh solli Vitet e zemërimit. Inkuizicioni spanjoll u bë shkas për të frymëzuar Don Kishotin. Kolera i dha Albert Camus romanin Murtaja.

Covid -19, ndoshta do ta dëgjojmë pak më vonë ndërsa ende nuk ka mbërritur aq i lartë zëri i ndonjërit syresh.

Ndaj dhe dhembshuria për të pikëlluarin mbetet një ndjenjë njerëzore që duhet ta ketë cilido.

Por këtë e kuptojnë më mirë ata që kanë nevojë për të. Jo vetëm ata që kanë dhembje e trishtim prej një ngjarje ku kanë humbur të shtrenjtin e tyre. Por dhe ata që ndizen prej një dashurie të fortë, të lartë dhe fisnike.

Isha duke menduar ndërsa shihja në Netflix për pushtetet dhe qeverinë, për raportet mes qytetarëve dhe sundimtarëve;

Give us power and we give you all the sources of the country, kam qejf të citoj dikënd me këtë frazë.

Kisha dëshirë të besoja se bota kështu kish nisur. E po vazhdonte.

Personazhi ishte shkencëtar. Filmi aspak fanta-shkencë. Ishte një reality- fiction.

Këto “viruse” hidhen në qarkullim ndoshta për të pakësuar fuqinë e njeriut, ndoshta për t’i bërë të varur njerëzit nga një sy i madh, ndoshta për të rikrijuar klasa të pasura për të thelluar edhe më tej diferencimet midis shtresave…

Më me densitet, më me presion.

Në fund, njeriun e lanë të triumfojë. E lanë duke e bërë të besonte se e shpëtoi dashuria.

Sot por dhe në të kaluarën e largët të tij.

*

Pak kohë më parë Akademia e Shkencave mori vendimin për të botuar dy vëllime të studimeve shkencore të anëtarit të Asamblesë së saj, fizikantit të talentuar Artan Boriçi, që u largua papritur nga jeta dy vite më parë. Në to përmblidhen artikujt e tij të botuar në periodikët shkencorë të disa vendeve europiane dhe referatet e paraqitura në ngjarje të rëndësishme shkencore jashtë e brenda vendit.

Po kush ishte Artan Borici?

Boriçi u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 2020. Ai ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në, Zurich më 1996. Titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010. Punoi mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, duke shërbyer si zv/dekan i këtij fakulteti dhe si anëtar i këshillit shkencor.

Ai ishte një mbështetës i së ardhmes së Akademisë. Bashkëpunoi me sukses me disa qendra të mirënjohura të fizikës dhe matematikës në Zvicër, Gjermani e më gjerë duke u bërë pjesë e ekipeve të specializuara për kërkime bërthamore europiane.

Borici ishte një prej vlerësuesve të konkursit të përvitshëm për çmimin Nobel në fizikë duke dhënë kontribute origjinale në shkencën europiane. Studimet e tij janë pika reference brenda dhe jashtë vendit.

Ai humbi jetën pas një beteje me Covid-19 më 25 mars 2021. Akademia e Shkencave dhe vendi ynë humbën një shkencëtar të talentuar, një përfaqësues të dijes të nivelit europian dhe një nga studiuesit më të spikatur të kohës. Ai ka lënë pas një trashëgimi që nuk e nxë dot korniza e kohës duke mbetur pazgjidhshmërisht në Librin e Artë të Shkencës sonë.

Artan Borici ishte shkencëtar. Një njeri që sfidonte dogmën. Rregullat dhe disiplinën. Sfidonte kohët dhe vendet. I besonte ëndrrës më shumë sesa realitetit. Ndaj nuk e pa veten kurrë në një vend të mirëpërcaktuar.

Sepse vendi i tij ishte universi i tërë.

Shkenca që ai bënte.

Mikrobotët që ai ndërtonte. Ndaj dhe të gjithë e thërrisnin shpesh A Beautiful Mind.

Shkrime

Mesazhi i Escobar e ‘Dosja Britanike’, Berisha-Meta jo më deputetë?!

Nga Jakin Marena

Opozita vijon të jetë e ndarë në disa pjesë, si pasojë e situatës kaotike në të cilën gjendet PD, partia më e madhe opozitare në vend.

Themi se gjithçka vërtitet rreth PD, sepse partitë e tjera, të ‘vjetra’ apo të reja s’kanë asnjë peshë specifike politike që mund të sjellin përmbysje elektorale dhe për pasojë rrotacion pushteti, i cili me shumë gjasa do të vijojë të jetë në dorë të PS dhe për shumë mandate.

Demokratët janë në dilema të mëdha, dhe ku për shkak sentimenti apo dhe ‘genin’ specifik të shqiptarit, për t’u atashuar rreth më të fortit, më shumë janë të grumbulluar rreth Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha.

Ndonëse janë pa asnjë shpresë për të ardhmen me një lider si Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania e Madhe, dhe i trajtuar si i tillë dhe nga vendet anëtare të BE ose jo, përfshirë dhe vendet e rajonit, me Kosovën në përbërje, ndonëse nën arrest shtëpiak për korrupsion e dosje të tjera si “Gërdeci”, “21 janari” dhe afera CEZ-DIA në ngarkim të tij ku më shumë dhe ku më pak, sërish demokratët që janë mbledhur rreth tij shpresojnë te ndonjë ‘tekë’ e fatit, ndërsa pjesa që i qëndron më afër, nuk kanë nga shkojnë, sepse kanë përfituar nga pushteti i tij.

Kalojnë nëpër mendje ardhjen në pushtet për herë të dytë më 2005 me votë, falë makinacioneve dhe përçarjes së PS që udhëhiqej nga Fatos Nano, teksa tetë vite më parë, më 1997, Berisha ishte hequr nga pushteti me pushkë, dhe shpresojnë se mund të përsëritet ky rast fatlum.

Për hir të së vërtetës lumi nuk lëviz dy herë në të njejtat brigje, sa herë që fryhet nga shirat por gjen rrugën më të shkurtër për t’u derdhur në det, por ama demokratët vazhdojnë shpresojnë me sytë ‘nga qielli’ dhe herë dhe të drejtuar nga kati i tetë i pallatit ku flet përnatë Berisha.

Gjithsesi janë të pashpresë për të ardhmen, dhe një grup më i paktët, sipas parimit të enëve kumunikuese lëvizin herë në krahun e PD zyrtare të udhëhequr nga Lulzim Basha, ‘birit plangprishës’ politik të Berishës, e herë tek Rithemelimi i udhëhequr nga ‘ati’ i tyre shpirtëror.

Në fund të herës demokratët kanë hyrë në vitin e ri zgjedhor, pa asnjë shpresë për të ardhur në pushtet, teksa po mbushin 12 vite në opozitë, dhe shumë prej tyre besojnë se PS dhe Edi Rama, kanë tërë mundësinë e Zotit për të qeverisur dhe mandate të tjerë, sa kohë që PD është në këtë shkallë degradimi politik. Por dhe në një krizë të fortë lidershipi.

Zhgënjimi shtohet akoma më tepër dhe për faktin se Berisha është i mbyllur në pallatin e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, me vendim gjykate nën arrest shtëpiak dhe vetëm Zoti e di se si do të dalë në fund të herës përballë akuzave të rënda që janë në ngarkim të tij, e që SPAK, sado ta ketë marrë me nge këtë punën e Berishës, një ditë do të duhet që dhe dosjeve të rënda që përmendëm më sipër, t’u vërë nga një emër sipër dhe për pasojë të thotë dhe përgjegjësin kryesor për ta përballur me akuzat.

Njëherësh, Rithemelimi është një grupim politik në të ‘zezë’, pasi s’njihet ligjërisht dhe sa herë që partitë thirren nën ‘shërbim’, pra për t’u ballafaquar me votën e shqiptarëve, ka qënë dhe do të jetë i detyruar që kandidatët e vet t’i regjistrojë në emër të Partisë së Lirisë së Ilir Metës, apo të ndonjë partie tjetër fantazmë me të cilën ka afri, nëse Meta tregon ‘oreks’ të madh politik.

Por dhe sikur Berisha të tërhiqet në këtë moment nga drejtimi i Rithemelimit për t’u marrë me punët e e veta në përballjen e rëndë dhe familjarisht më drejtësinë, gjasat janë të sigurta se sërish një ‘non grata’ do ta udhëheqë këtë grupim politik.

E pranoi vetë një natë më parë Argita Berisha Malltezi në një emision televiziv, se drejtimi i Rithemelimit nuk do të dalë jashtë familjes Berisha. Pra, në mungesë të të atit Argita do të marrë drejtimin e Rithemelimit, dhe kjo është e sigurtë. E kemi parë se pas të gjitha protestave dhe tek ‘Rrugica e Salës’ e para bashkisë, këto të fundit të dhunshme dhe me molotov, qëndron ‘dora’ e Argita Malltezit Berisha, një udhëheqëse në prapaskenë e këtij grupimi politik.

Nuk ka asgjë te keqe, kur e pranon dhe vetë. Madje dhe kur e bën të sigurtë ambicien e saj për të kapur drejtimin e Rithemelimit, pasi ka qënë dhe është pronë e Berishajve që në krye të herës, sepse si të tillë e ka trajtuar përmbi 30 e kusur vite në pushtet apo në opozitë.

E themi këtë dhe për faktin se për Berishën do dhe pak ditë që të skadojë afati 6 mujor ku ai do të humbasë mandatin e deputetit. Pasi s’ka asnjë gjasë të dalë dhe për shumë kohë nga arresti shtëpiak. Ndonëse nuk mungojnë zërat nga korridoret e Rithemelimit, ndoshta të hedhura dhe për konsum politik, që në ‘finishin’ e skadimit të afatit për djegien e mandatit të deputetit, Berisha do të bëjë një ‘kolpo’ politike të ngjashme me atë të 8 janarit kur sulmoi selinë e PD buzë Lanës, dhe do të kërkojë të jetë prezent me forcë në një seancë parlamentare. Megjithëse do të duhet të llogaritet si prezencë, dhe kjo bëhet nga administrata e Kuvendit. Por kjo do të kishte një kosto të lartë politike, dhe ata që e udhëzojnë mund ta groposin për të dytën herë, tashmë tamam, pasi mund t’i rezervojë arrestin me burg në qeli kësaj radhe, për shkelje të vendimit të Gjykatës dhe dhunë.

Por Berisha nuk ka asnjë shans që të jetë deputet në legjislaturën e re, të dalë pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Pasi duke qënë ose nën arrest shtëpiak, ose në qeli, pengesat mund të fillojnë që në KQZ dhe përfundojnë në Komisionin e Rregullores e Mandateve, që mund të sjellin bllokimin e dhënies së mandatit të ri të deputetit. Në mos dekriminalizimi gjendja e arrestit do të jetë penguese që Berisha të mos hyjë në Parlament si deputet.

Rithemelimi me kryetarin nën arrest shtëpiak, pa mandat deputeti dhe të ‘prekshëm’ nga drejtësia tashmë pasi është pa imunitet, do të jetë si një qenie pa kokë që lëviz në kaos dhe pa orientim.

As ngjitja e Argitës në krye të Rithemelimit nuk zgjidh punë. Përkundrazi e zhyt më tepër këtë grupim politik në greminë. Kjo ndodh për shkak se Argita si tërë familja e saj është shpallur ‘non grata’ nga SHBA. Ka dhe bashkëshortin Jamarbër Malltezi në arrest shtëpiak për pastrim parash dhe përfitime nga vjehrri ish kryeministër Sali Berisha, me ngritjen e kullave shumëkatëshe dhe me vlera të forta monetare prej 5.4 milionë euro. Të pajustifikuara këto sipas drejtësisë.

Nëse Berisha, për shkak dhe të moshës biologjike pasi është 80 vjeçar, mund të jepte shpresa për Rithemelimin se do çlirohej një ditë nga lideri ‘non grata’ dhe nën arrest për korrupsion, marrja e drejtimit nga Argita vajza e tij, i humbet të gjitha këto shpresa për 20 vitet e ardhshme sëpaku, pasi mosha e saj është e re dhe ambicia e saj është e madhe për të mos e dorëzuar vetë lidershipin e Rithemelimit. Ia ka shuar shpresat dhe Gaz Bardhit e grupit të tij, pasi pikërisht për të trashëguar Rithemelimin nga Berisha në largim ka bërë tërë ato ‘pirueta’ duke ikur nga PD e Bashës dhe duke u rikthyer tek ‘armiku’ Berisha.

Por dhe tek aleati më i mundshëm, Ilir Meta kryetar i Partisë së Lirisë, situata nuk është aspak e qetë. Kjo duket hapur dhe nga luhatjet e humorit të Metës, i cili po përpiqet me të gjitha mënyrat që të jetë ‘mbret’ i rrjeteve sociale, me deklaratat që bën, mënyrën se si i qaset publikut, herë duke udhëtuar nëpër male, herë duke u kacavjerrur nëpër platforma metalike, herë në ambiente të mbyllura në palestra me veglat e forcës në dorë. Pa përjashtuar këtu qasjen sportive si tifoz i fortë i Celtic-ut, nën dëshirën e fortë për të imituar këmbënguljen proverbiale të malësorëve skocezë.

Dhe Meta ka dosje të hapura në SPAK, duke filluar nga verifikimi i pasurisë, lobimi në SHBA dhe ndërhyrjet estetike të tij dhe bashkësortes Monika Kryemadhi, por dhe për aferën CEZ-DIA e akuza të tjera të forta, të cilat do të duhet t’i vertetojë. Sepse nuk mund t’ia lërë të gjitha në kurriz bashkëshortes Monika, dhe për çështje burrërie sëpaku. Këtyre akuzave u qëndron afër dhe ajo që është bërë nga ana e Filip Talos si spiun i Sgurimit të Shtetit, e ku Autoriteti i Dosjeve e ka dhënë verdiktin e vet: Ilir Metaj ka spiunuar tek Sigurimi i Shtetit kur ka qënë student.

Meta ka hapur gjyq dhe kërkon të vërtetojë se është një adash i tij ai që i bëri gjëmën Talos. Hetimi ka nisur, Prokuroria e Tiranës thirri Talon, i cili u qëndron deklaratave që ka thënë në Autoritetin e Dosjeve dhe në ambasadë. Nuk dimë cilën deklaratë të marrim për bazë, atë që ka bërë në fillim apo atë që e bëri në atë version, por të ndryshuar. Koha do ta vertetojë. Në fund të herës ajo që dimë është se dhe PL rrezikon të jetë në Parlament, pa Metën në radhët e veta si deputet, pasi kreu i kësaj partie, në mos nga njëra akuza në tjetrën do ngecë e nuk e shkel derën e Parlamentit si deputet me mandat të certifikuar.

Ky është problemi për opozitën kryesore në vend, pasi dy grupimet më të mëdha politike, mund të prezantohen pas vitit 2025 me kryetarë ‘non grata’ në Parlament, pa asnjë mundësi që të shkelin në derën e Kuvendit. Dhe kjo ndikon fort tek mbështetësit e tyre.

Dhe një shpresë sado të vagët që ka Rithemelimi tek vendimi i Apelit më 11 qershor për çështjen e vulës dhe logos së PD, shanset më të mëdha janë që kjo mundësi t’i jepet Lulzim Bashës dhe PD zyrtare. Për të qënë ata posedues të vulës dhe logos së PD e për ta lënë sërish Rithemelimin në të ‘zezë’. Pra jashtë listës së partive politike të regjistruar ligjërisht.

Pasi pikërisht në ‘metrat’ e fundit të rrugës drejt zgjidhjes së çështjes së kujt i takon vula e logo e PD, Berishës apo Bashës, vjen dhe një mesazh, le ta quajmë i ‘koduar’, i të dërguarit special të SHBA për Ballkanin Escobar të hënën, i cili foli posaçërisht për PD, jo për Rithemilimin. Dhe për PD me vulë dhe logo të saj, pra kush do të quhet PD pas 11 qershorit, me sa duket ishte fjala, dhe se rreth kujt duhet të bashkohen të demokratët, ku dukshëm kiy emër nuk është Berisha.

Escobar, mes të tjerave tha se ‘…më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”. Vetëm emrin nuk i ka vënë Berishës, me sa duket është një zgjedhje e zyrtarëve amerikanë për të mos i përmendur as emrin njeriut që e kanë shpallur ‘non grata’ për korrupsion madhor, minim të demokracisë si dhe shantazhim të drejtësisë, Sali Berisha.

Mesazhi amerikan me sa duket është i qartë, PD duhet të jetë një forcë politike që të mos ketë në përbërje të saj njerëz që na kujtojnë kohët e këqija të viteve ’90, pra pa emrin Berisha në krye të saj. Njëherësh ky mesazh shkon indirekt dhe në drejtim të zgjidhjes së çështjes së vulës, e cila duhet të zgjidhet me drejtësi dhe të mos merret shembulli i gjyqtarit Zhukri. Tashmë Zhukri është jashtë sistemit të drejtësisë për të gjitha shkeljet e veta që ia konstatoi Vettingu.

Ndërkohë që vula me shumë gjasa mund të qëndrojë në duart e PD zyrtare, drejtimi i të cilës nuk ka shanse që të jetë në dorë të atyre që na ‘kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90”. Çka e bën akoma më të komplikuar situatën në grupimin më të madh opozitar Rithemelimi, që duhet të mendojnë një zgjedhje pa Berishën. I cili përpos mesazhit të zyrtarit të lartë amerikan, ka marrë dhe një mesazh të nxehtë nga Londra, për atë që quhet “dosja Britanike” dhe që ka të bëjë me shpalljen ‘non grata’ të Berishës atje. Të gjitha këto situata mund t’i çorientojnë akoma më shumë demokratët dhe tërë spektrin opozitar, teksa zgjedhjet parlamentare të 2025-ës janë në prag.

Që humbja e opozitës në këto zgjedhje është e sigurtë, këtë nuk e ka vënë askush në dyshim deri më tani. Misteri qëndron në faktin se sa e thellë do jetë kjo humbje, që ‘përkthehet’ automatikisht  në pyetjen se sa e thellë do të jetë fitorja e PS për të qeverisur në një mandat të katërt. Pasi sondazhet serioze deri më tani japin një fitore me mbi 84 mandate deputeti në këto zgjedhje për PS. Të presim, zgjedhjet nuk janë larg.

Continue Reading

OPINION

“SPAK-u, sëpata që pret nga dy tehet”/ Analisti: Goditjet mbi emisarët e krimit të organizuar

SPAK-u, sëpata që pret nga dy tehet – Nga Lorenc Vangjeli

SPAK-u është shndërruar në një sëpatë me dy tehe. Vret e pret në viset e politikës, administratës së lartë e pushtetit lokal dhe pret e vret edhe në trojet e helmuara në krimit të organizuar. Në pamje të parë duket se nami e batërdia po ndodh me tehun dhe shënjestrën e parë, por në Tiranë dukja gënjen gjithmonë. Goditjet mbi emisarët e krimit të organizuar, përtej çdo gjëje tjetër, janë sinjali i një strategjie të dukshme, për suksesin e të cilës është ende herët të flitet, por pasojat e saj direkte, janë një ogur i mbarë për shëndetin e politikëbërjes së nesërme: Po spastrohet fusha elektorale nga ndikimi i segmenteve të krimit në zgjedhje.

Një listë e pafundme me emra nën hetim, një pjesë në arrest, të tjerë në arrati dhe pothuaj të gjithë nën peshën e frikës, tanimë e ka humbur Eldoradon e tyre shqiptare dhe po humbet vlerën e saj si ofertë për ndikim në politikë. Pjesë të legjendës urbane të krijuar rreth tyre si rezervuarë të pasosur votash, të njohur për bëmat dhe gjëmat nga publiku, bejlerë arrogantë në çifligjet e tyre lokale, “bankierë” dhe sponsorizues të listave të pabesueshme me njerëz publikë në Tiranë, ata kanë kohë që janë dëshmuar si një pol jashtëzakonisht i rëndësishëm në shoqëri. Të pasur përtej përfytyrimit, herë diktues dhe kontrollues të trafikut të drogës, herë fajdexhinj që kreditojnë hallexhinj apo dhe biznesmenë që fitojnë tendera me kobure, miq që shkëmbejnë favore me njëri-tjetrin dhe armiq që shpërndajnë plumba e tritol ndaj njëri-tjetrit, ata tashmë kanë radhën të provojnë në lëkurë fatin e kthyer kundër tyre. Të egër dhe të pamëshirshëm, me një tentativë konstante për të hyrë në biznesin “normal” e për t’u shndërruar në biznesmenë në Shqipëri, shpesh pothuaj krejt analfabetë, ndryshe nga “kolegët” e tyre në Perëndim që përgjithësisht zgjedhin hijen në publik, ata kanë rrëmbyer vëmendjen provinciale të Tiranës duke demonstruar e duke u lëvduar me pasurinë gjigante apo të dashurat e famshme, makinat apo udhëtimet, ndikimin në politikë, në ekonomi apo në drejtësi. Për të arritur në ditën kur veç e veç e të gjithë bashkë, do të nisin të vërtetojnë për veten një aksiomë ndërkombëtare: Asnjë bandit nuk bëhet dot gjysh! Asnjë bandit nuk arrin moshën e pensionit! Përdorues dhe të përdorur nga segmente të politikës, në mos lufta brenda llojit, goditja e ligjit, po bën që jeta e tyre e shkëlqyeshme, mes luksit dhe vanitetit qesharak që kanë zgjedhur të bëjnë, të shuhet shpejt.

Falë dekriptimit të komunikimeve të tyre të dikurshme, gjithë jetëshkrimi i tyre është tashmë një “ditar” i lexuar nga shumëkush dhe jo vetëm në shqip. Në këtë lloj ditari të zi gjen konfliktet dhe miqësitë mes tyre, vrasjet dhe vëllazëritë, punët e kryera dhe aleancat me personazhe të rëndësishëm të politikës, por dhe policisë, provat e korruptimit të dhe bashkëjetesës hibride me shtresa të ndryshme të shoqërisë. Pronarët më të mëdhenj realë të Real Estate-s në Shqipëri dhe gjetkë, zotërues apartamentesh, vilash e trojesh të pafundme, ata janë gjithashtu posedues të një sasie të frikshme cash-i, i pamundur për t’u llogaritur, por përtej masës që mund të lëkundë edhe ekuilibrin makroekonomik të vendit. Deri më sot, në bashkëjetesën kriminale të tyre me segmente të politikës, të sistemit gjyqësor, të policisë dhe më gjerë, ata kanë qenë çakalli që ka bërë kërdinë kur vëmendja e publikut ulërinte për ujqërit e foltoreve politike.

Të pafuqishëm për të ndaluar, kontrolluar dhe devijuar goditjen dy tehëshe, segmente të politikës në veçanti dhe krimi në përgjithësi, tani po ballafaqohen me goditjen seriale për të spastruar fushën elektorale për zgjedhjet e ardhshme nga ndikime kriminale.

Eshtë urgjencë kombëtare dhe çështje e sigurisë kombëtare që të shprishet përfundimisht simbioza e frikshme mes politikës dhe krimit. Kush duhet të ikë në fillim në këtë marrëdhënie si ajo mes pulës dhe vezës, në dilemën kush shpiku kë? Me të gjitha gjasat, në politikën që e votojnë shqiptarët, por nuk e zgjedhin, nuk janë më shumë se një duzinë me njerëz politikë që kanë realisht peshë publike. Të tjerët peshojnë më pak se një qime mjekre dhe shtrydhen më lehtë se një puçër shpine. Në botën e krimit është ndryshe. Ata janë shumë më shumë dhe shumë më të vështirë për t’u goditur. Duke nisur me ta, duke sekuestruar paratë dhe rezidencat e krimit, simbioza krim-politikë që i merr frymën vendit, mund të mbetet pa frymë.

Përtej dyshimeve se çdo të ndodhë nesër, kohët kanë ndryshuar. Kush nuk e kupton, ka kohë ta kuptojë edhe më pas, qoftë në rolin e spektatorit skeptik të llojit: “Ky vend nuk bëhet!”, qoftë në rolin e protagonistit që duhet të përgatisë triko të bollshme leshi për dimrin që këtë vit po vjen shumë më herët në Shqipëri. Aty ku Real Estate i burgjeve, po mbushet me viktima të sëpatës me dy tehe.

Continue Reading

Shkrime

Nesër do jetë ditë e vështirë, vuloset e ardhmja e Kosovës

Analisti dhe profesori amerikan i universitetit John Hopkins, Daniel Serwer, thotë se pyetja e pashmangshme sot, sa herë që përmendet Ballkani, është se çfarë do të bëhet me Asociacionin?

Beogradi dëshiron që ai të formohet brenda Kosovës. Amerikanët dhe evropianët po insistojnë gjithashtu. Por, autoritetet e Kosovës po rezistojnë për të kundërtën. Çfarë duhet bërë?

Në një tekst autorial analisti amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, tha se “Prishtina u pajtua ta formonte Asociacionin në vitin 2013, në atë që u quajt “Marrëveshja e Parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve”.

Sipas tij, kjo marrëveshje e panënshkruar parashikonte që Asociacioni të kishte “përmbledhje të plotë të fushave si ekonomia, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe ai rural”. Gjithashtu, thuhej se autoritetet qendrore mund t’i delegonin komunave me shumice serbe, edhe kompetenca shtesë.

“Marrëveshja e vitit 2013 parashikon që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën drejt BE-së. Deri më tani, as Beogradi e as Prishtina nuk e kanë zbatuar pjesën e tyre të marrëveshjes” – ka shkruar Serwer.

Profesori amerikan i universitetit John Hopkins, tha gjtihashtu se Albin Kurti, tani kryeministër i Kosovës, teksa ishte në opozitë, e kundërshtoi formimin e Asociacionit. Edhe tani në pushtet, ai po vazhdon t’i rezistojë zbatimit, pavaresishte se presidenti serb Aleksander Vucici, vazhdon të insistojë në formimin e tij”.

Por, sipas Serwer, krijimi i një “bote serbe” në Kosovë, ka ngritur dyshime.

“Popullata në Kosovë shqetësohet se Serbia me anë të Asociacionit po përpiqet të krijojë një zonë të veçantë, autonome, jashtë autoritetit të Kosovës. Kjo pasi një i ngjashëm ka çuar edhe në luftë në Bosnjë gjatë viteve ‘90.

Ndërkohë, Beogradi asnjëherë nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të bllokuar përparimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo përfshin përpjekjet e fundit të tij për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Serwer duke kujtuar se “serbët janë tërhequr edhe nga institucionet e Kosovës në katër komunat veriore. Shteti serb gjithashtu ka bojkotuar zgjedhjet atje, ka rrëmbyer tre policë të Kosovës dhe ka shkaktuar trazira nga të cilat mbetën të plagosur paqeruajtësit e NATO-s, si dhe organizoi një sulm terrorist shtatorin e kaluar. Secila nga këto përpjekje llogaritet sfidë ndaj kornizës ligjore për të cilën Beogradi kishte rënë dakord se do të zbatohej në Kosovë”.

Për arsye që ende nuk dihen, Serwer theksoi se amerikanët dhe evropianët i premtuan Beogradit zbatimin e Asociacionit pa asnjë kusht. “Por, ata premtuan se ai nuk do të bëhet një nivel i ri qeverisjeje. Megjithatë, ata nuk kanë qenë të gatshëm të angazhohen për këtë në një marrëveshje zyrtare qeveritare”……………..

Serwer tha gjithashtu se evropianët kanë sjellë pasoja për dështimin në themelimin e Asociacionit dhe kanë vonuar shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ai këtë e quan “keqpërdorim diplomatik”, duke theksuar se nuk ka kuptim që pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të kushtëzohet me zbatimin e Asociacionit. “Përveç presionit ndaj Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja duhet t’i kujtojnë Serbisë detyrimet e saj sipas marrëveshjes së vitit 2013. Ndër tjera, serbët duhet të rikthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje, Beogradi duhet ta përfundojë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe Serbia duhet t’i dorëzojë terroristët e saj në Kosovë për gjykim si dëshmi që e pranon kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar Daniel Serwer.

 

Continue Reading

Shkrime

Shqipëria dhe Greqia nuk flasin hapur për thelbin e krizës mes tyre

Nga Mero Baze

E vërteta është se raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë në krizë, por të dy palët nuk i referohen thelbit të kësaj krize, por shkaqeve që gjejnë rrugës. Shqipëria bën rolin e viktimës duke u nisur nga retorika e Greqisë për rastin Beleri, por në fakt ajo që Shqipëria po kundërshton, është ndjenja e paternalizmit që Greqia ka ndaj Shqipërisë historikisht.

Nga ana tjetër Greqia që bën sikur ka në dorë integrimin evropian të Shqipërisë, po ashtu është realisht e shqetësuar nga indiferenca me të cilën Shqipëria po i merr kërcënimet e saj, se sa nga fati juridik apo politik i Belerit.

Fjalimi i Edi Ramës në Athinë ishte një gjarpërim mes fjalësh për të thënë se nuk jemi më ata që kemi qenë dikur në vitet 2000, kur pritja e ambasadës greke, kishte më shumë të ftuar se pritja e presidentit të Republikës dhe kur për një drejtor drejtorie vendosej në Athinë. Nuk ishte i sinqertë as kur i referohet krizës formale shkaktuar nga arrestimi i Belerit, kur bën sikur mbron pavarësinë e drejtësisë shqiptare, dhe bën si viktimë e mendësisë nacionaliste greke.

E vërteta është se thellë thellë, Edi Rama, mezi pret të dëgjojë çdo gjë kundër SPAK prej Greqisë, pasi kështu forcon fabulën e tij për distancën që ka me drejtësinë e re, dhe po bën gjithçka që Greqia të vazhdojë ta mbajë ndezur këtë retorikë e cila e nxjerrë atë, më të mirë se sa është, në Bruksel.

Ajo për të cilën ai bën si viktimë e sulmit të politikës greke ndaj tij, është në fakt nderi më i madh që po i bën Greqia, ndërsa ajo që ai nuk e thotë hapur dhe grekët nuk e pranojnë dot, është se ai thjesht nuk e konsideron rrezikun grek për anëtarësim në BE. Madje e lut që Greqia të jetë në anën tjetër të barrikadës, pasi kështu ka dhe një arsye më shumë patriotike për një fjalim të ri.

Edhe më i pasinqertë është kryeministri Micotaqis në dy raste. E para në deklaratat e tij të sotme, ai padashje e nxjerr pikërisht ndjenjën e paternalizmit ndaj Shqipërisë reflektuar tek ideja që rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga Greqia, por këtë e maskon me çështjen Beleri. Çështja Beleri në aspektin e rrugës evropiane është në favor të Shqipërisë dhe jo të Greqisë. Kjo tanimë është e provuar me qëndrime zyrtare të Bashkimit Evropian dhe SHBA. Ndjenja e paternalizmit grek ndaj Shqipërisë po. Ajo është reale dhe dominon mendësinë e politikës greke. Dhe Greqia ngjan nervoze se në Shqipëri është bërë e parëndësishme.

Së dyti Mictoaqis gënjen kur thotë se nuk kishim pse e pengonim Edi Ramën të bënte vizitë në Athinë. Negociatat e dy palëve mund të shërbejnë për një serial Netflixi, për qindra probleme që nxori qeveria qendrore duke bërë presion mbi çdo pronar salle në Athinë që të mos e pranojë takimin me kryeministrin shqiptar dhe mbi çdo inxhinier grek të mos firmoste garancinë për sallën, dhe i hapi rrugë kur e pa që çështja u bë e rëndësishme dhe mund të dominonte fushatën e tyre elektorale.

E vërteta e thjeshtë është se rruga e Shqipërisë për në Evropë, mund të kalojë edhe nga Athina, nëse Athina është në një gjatësi vale me Evropën, por në rastin e Belerit që i referohet Greqia, nga Athina mund të kalohet për ndonjë buzuk, por jo për në Bruksel.

Kurse sa i takon shqetësimit që ka krijuar SPAK në politikën shqiptare, është ku e ku më larg se ai që ka krijuar në politikën greke. Dhe në këtë rast Micotaqis ka plot aleatë të heshtur në Shqipëri, përfshi dhe ata që thonë jemi me SPAK. Ndaj lodhet kot të na shpjegojë që SPAK ka gabuar. Po qe se shpëton politikën shqiptare nga SPAK-u, në emër të Evropës, janë gati ta marrin në supe të gjithë.

Atëherë mund të ribëhet i rëndësishëm për politikën shqiptare. Duke kërcënuar për integrimin evropian, nuk tremb njeri, pasi integrimi evropian, nuk është ndonjë rrezik më i madh se SPAK për politikën shqiptare. Eshtë vonë shumë dhe i paqartë se si mund ta tremb politikën shqiptare.

Continue Reading

Shkrime

Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Nga Enver Bytyçi

Vendet e QIUNT-it, d.m.th. ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, kanë kritikuar qeverinë e Kosovës pse kjo e fundit nuk lejoi para pak ditësh kryepeshkopin e Serbisë, Porferije, të hynte në territorin e saj.

E sigurt është se presidenti i Serbisë është ankuar te presidenti Macron për këtë fakt, edhe pse të gjitha këto ambasada e dinë arsyen pse Proferije nuk u lejua në Kosovë. Sepse Patriarkana e Pejës nuk ekziston, ajo është transferuar nga Peja në Serbi para shumë shekujsh. Sepse kjo Patriarkanë ishte dhe mbetet shpikje e Serbisë. Ajo as nuk ishte krijuar në Pejë, por në një fshat afër Kragujevcit, diku në Serbinë e sotme qendrore. Si e tillë, Kisha Ortodokse e Serbisë dëshiron të rikthehet në territorin e Kosovës, pra në Pejë, ndërkohë që është një institucion fetar me qendër në Beograd.

Kreu i Kishës Ortodokse të Serbisë dëshiron të vijë në Kosovë e të thotë se “Kosova është djepi i shpirtit serb”, pra se në Kosovë, praktikisht në Pejë, paska lindur Krishti i serbëve, shën Sava! Këtë të vërtetë ai e pohoi pas kthimit mbrapsht në Beograd kur u zotua se “Serbia do të kthehet në Kosovë”!

Ndërkaq u kërkohet autoriteteve të Kosovës të pranojnë diçka që nuk ekziston në Kosovë. Të pranojnë që poet serbë të vijnë nga Beogradi në Kosovë për t’u thënë serbëve të Kosovës “Mos u integroni në shtetin dhe institucionet e vendit, sepse Kosova do të rikthehet nën Serbi”! Ambasada e Francës dhe të katër vendeve të QUINT-it i njohin dhe i dinë këto fakte. Pse atëherë bëjnë presion mbi qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të saj?!

Shtetet e QUINT-it janë një forum konsultativ në funksion të shtetësisë së Kosovës. Ato për një periudhë kohe kishin nën vëzhgim, sipas Planit Ahtisaari, pavarësinë e Kosovës.

Dhe është e natyrshme që ky vëzhgim të vijojë, edhe pse “periudha e pavarësisë së vëzhguar” ka përfunduar para shumë vitesh. Kur u krijuar ky forum, ato premtuan ta ndihmojnë Kosovën për forcimin e shtetësisë dhe institucioneve. E në fakt po ndihmojnë në çdo rast Serbinë të jetë e pranishme në Kosovë,  madje nuk harrojnë thonë se këto vërejtje i bëjnë “për të mirën e Kosovës”! Së paku nuk duhet që t’i marrin shqiptarët për njerëz injorantë e kaq naivë. Nuk duhet gjithashtu t’u besojnë më serbëve, sipas të cilëve “shqiptarët janë njerëz me bisht”!

Nga ana tjetër, sipas deklaratës së ambasadave të QUINT-it, moslejimi i kryepeshkopit të Serbisë të hyjë në Kosovë “është në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit dhe me obligimet për dialogun”.

Edhe këtu ka diçka përtej këtyre spekulimeve. Pakoja e Ahtisaarit ka parashikuar njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe sjelljen e Kosovës ndaj Beogradit e kushtëzon me njohjen. Kurse ambasadorët që “e duan Kosovën aq shumë”, i kundërvihen vetëm Kosovës dhe i kujtojnë asaj detyrimet e Pakos së Ahtisaarit, ndërkohë që me Serbinë nuk kanë as vullnet, as dëshirë të sillen me të njëjtin kut. Për këtë arsye ka zhgënjim të madh jo vetëm te qytetarët.

Dialogu Kosovë-Serbi, ashtu si Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, u imponuan nga administrata Obama dhe ishte “për çështje teknike”. Kështu është thënë në vitin 2011, kur u imponua me kushtet e 9 pikave të Ban Ki Mun. Megjithatë nën kujdesin e këtyre pesë vendeve të QUINT-it ai shndërrua në dialog politik dhe tani jemi në pikën kur bëhen përpjekje për të revokuar pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING