Connect with us

Shkrime

Jo ëndrra me sy hapur/ Vetoja ndaj Kosovës nuk hiqet

Është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian ku harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të unionit evropian e ka “domosdoshmëri”. Por, Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, thotë se Serbia nuk e ka ndërmend të bëjë hapin kryesor – atë të vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Madje, ai shkon edhe aq larg sa të besojë se edhe po qe se Serbia do t’i vendoste këto masa kufizuese, vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndaj Kosovës nuk do të hiqej. Daçiç, ndonëse thotë se edhe po qe se Serbia do t’i vendoste sanksione regjimit të Putinit, “Federata Ruse nuk do të ndryshonte pozicion ndaj Kosovës”, vëren se “marrëdhëniet nuk do të ishin më të njëjta”. Duke folur për televizionin kryekëput nën kontrollin e të qeverisë serbe “Tv Prva”, kryediplomati serb thotë se mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë “është për çështje parimore” por se “respektojmë integritetin territorial të Ukrainës”. Daçiç permendi pretendimin e kahershëm të tij se nga 196 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, “Kosova ka vetëm 84 njohje”.  Kosova, në uebsajtin të saj zyrtar të Ministrisë së Jashtme ka 117 njohje ndërkombëtare, ndërsa Serbia pretendon të ketë korrur dhjetëra çnjohje që nga viti 2017, ndonëse njohja është akt i pakthyeshëm. “Nëse dikush do ta ngrinte çështjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB, gjëja e parë është deklarimi i Këshillit të Sigurimit, ku Kina dhe Rusia kanë të drejtën e veto-s”, thotë Daçiç i bindur. Duke folur për Marrëveshjen për Normalizim të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shefi i politikës së jashtme serbe tha se u qëndron “vijave të kuqe” të paraqitura nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Politika jonë është korrekte. Ne po ashtu kemi pranuar lavdërime nga Perëndimi për qasjen më konstruktive ndaj Prishtinës. Presidenti Vuçiç ka thënë se ne jemi të obliguar t’i zbatojmë parimet deri te vijat tona të kuqe, që janë: nuk ka njohje de facto e as de jure dhe nuk ka anëtarësim të Kosovës në OKB”, ka thënë Ivica Daçiq. Daçiq ishte i pari i cili doli në kundërshtim të hapur të asaj që fillimisht quhej si plani frankogjerman për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovë-Serbi. Megjithatë, plani kaloi prej Plan-Propozimi në marrëveshje “merre ose leje” për palët, ku ishte vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi se tashmë ky plan ishte bërë “kornizë zyrtare” e dialogut. Vuçiq disa here ka artikuluar “tri vija të kuqe” në raport me Marrëveshjen – se nuk do të ketë njohje (as de jure as de facto), nuk do të zbatohet plotesisht Neni 4 ku Serbia zotohet të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përkatësisht moslejimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, si dhe themelimi si “parakusht i të gjitha parakushteve” i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

 

Advertisement