Politike
Sherr mes grave socialiste! Ish-zv.ministrja e Ramës i kthehet Ibrahimajt: S’kam mllef ndaj teje, por keqardhje
Ish-zëvendësministrja e Financave dhe ish-drejtoresha e Doganave, Irena Beqiraj një ditë më parë erdhi me një postim në rrjetet sociale, ku kritikoi dhe analizoi deklaratat e bëra nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj sa i përket zhvlerësimit të euros por dhe parave të ardhura në vendin tonë nga turizmi. (POSTIMI)
Mjaftoi ai postim që një “sherr” virtual të hapej mes dy ish-kolegeve dhe mesa duket edhe dy ish-mikeshave, Delina Ibrahimajt dhe Irena Beqirajt.
Reagimi nuk vonoi dhe ministrja Ibrahimaj iu përgjigj Beqirajt me një analizë të gjatë, ku përtej shifrave dhe argumenteve ekonomike, nuk munguan as thumbimet personale. Ibrahimaj la të kuptohej se kritikat e ish-zëvendësministres nuk buronin nga një analizë e ftohtë profesionale, por nga “mllefi”. Me ironi, ministrja u përpoq të rrëzonte një për një argumentet e ngritura nga ish-drejtoresha e Doganave, duke këmbëngulur se shifra prej 8.5 miliardë eurosh ishte rezultat i thjeshtë i aritmetikës dhe jo i “botanikës”, siç ironizoi ajo.
“Ah Irena, 8.5 miliardët nuk i gjen “botanika”. I gjen aritmetika.E dashur Irena, uroj të jesh mirë me shëndet, se u bënë shumë kohë që nuk jemi parë dhe besoj se të ka marrë malli edhe ty si mua, përderisa më kishe nxjerrë me emër në këndin e fletë-rrufeve të tua.
Po unë nuk kam një fletë-rrufe për ty, sepse nuk kam mllef me askënd. Pastaj do të ishte e tepërt që, pasi njësoj si shumë të tjerë edhe ti u promovove në detyra të larta nga Kryeministri, të të pyesja pse je kaq e mllefosur sa zemërohesh edhe me faktet.
Kështu që përqendrohemi te faktet, duke përfituar nga rasti që më dhe për të treguar se sa e ligë, përveçse absurde, është narrativa e “narko-zhvillimit”, shkruan Ibrahimaj ndër të tjera, (POSTIMI), por nëse kjo e fundit mendoi se replika e saj do t’i vinte kapakun debatit, ndodhi e kundërta.
Kundërpërgjigjja e Irena Beqirajt ka ardhur pothuajse menjëherë dhe këtë herë nuk ka qenë thjesht një debat mbi ekonominë. Ish-drejtoresha e Doganave ka zgjedhur të hapë një kapitull drejt tjetër, duke e rikthyer në vëmendje periudhën kur u emërua në krye të Doganave dhe nië bisedë me ish-ministrin Shkëlqim Cani.
Përmes rreshtave në këtë reagim të sajin, Beqiraj ka treguar se para se të merrte detyrën i ishte folur për dy “teste” që sipas saj kalonin ata që synonin të ngjiteshin në hierarkinë politike, të mbanin mbi supe barrët e të tjerëve pa kërkuar shpërblim dhe të ishin të gatshëm të shkelin mbi këdo, madje edhe mbi miqtë, për hir të karrierës.
Mirëpo sipas saj ajo kishte zgjedhur të mos i kalonte kurrë ato “teste”, duke theksuar se për të reputacioni, familja dhe miqtë kanë vlejtur gjithmonë më shumë se çdo post apo karrige pushteti. Një mesazh që pa e përmendur drejtpërdrejt, është lexuar si një thumbim ndaj Ibrahimajt dhe mënyrës se si, sipas saj, ndërtohet karriera në politikë.
Më tej, ish-zëvendësministrja hodhi poshtë akuzën për “mllef”, duke thënë se nuk ushqen inat ndaj askujt, por se ndjen keqardhje për të dhe ish-kolegë që sipas saj, zgjedhin të mbrojnë narrativa politike në vend të argumenteve profesionale.
“Unë për fatim tim e njoh penën tënde edhe atyre mbi ty . Ty të kanë detyruar ta shkruash atë status e unë ta kuptoj pamundësinë për të thënë jo ! Por uroj që të vij një ditë që ti të dalësh që andej, e të kem sërisht kolegen edhe mikeshën që e dua shumë”, e përmbyll kështu postimin e saj ish-zv.ministrja e kabinetit Rama.
Reagimi i plotë i Beqirajt:
Delinë e Dashur !
Po e filloj me një histori të vërtetë edhe shumë interesante .
Kur Kryeministri vendosi të më emëronte drejtoreshë doganash në datën 7 mars 2015 , shkova tek Ministri Cani edhe e pyeta – Përse unë drejtoreshë edhe zëvendës ministre, maxhoranca ka shumë emra që mund ta bëjnë atë detyrë?!
Nënqeshi edhe më tha – Ti do të bëhesh edhe ministre financash edhe pse nuk vjen nga partia . Por, para se të bëhesh ministre të ka çuar në doganë për të kaluar dy teste :
1- të pranosh të bësh skeletet në dollap, të përdoresh e mos të kërkosh shpërblim në fund, edhe
2- të jesh e gatshme të shkelësh mbi këdo, edhe mbi miqtë edhe të mos e kthesh kokën mbrapa .
A ke vënë re ti Delinë që të gjithë ministrat edhe ministret që nuk vinin nga partia kanë kaluar nëpërmjet testeve të Profesor Canit ?
E pra Delinë, me vullnet të plotë unë vendosa të mos i kaloj të dy testet , objektivi im ishte vetëm emri i mirë. Ambicjen e ushqej aq sa duhet jo aq sa mundem sepse reputacioni, familja , miqtë, për mua vlejnë me shumë se çdo post .
Ndaj mllef nuk kam, me ty jo e jo , por as për ato që më kanë sulmuar . Keqardhje për ty e shumë miq e kolegë të tjerë që flasin si Zeqineja kam shumë .
I lexova argumentet e tua por nuk di a ja vlen të të përgjigjem.
Sërisht më vjen keq që shumica e ekonomistëve që kanë lexuar statusin më poshtë do të mendojnë gabimisht për ty siç mendonte edhe Bela Balluku që- “Ti nuk merr vesh nga makro-ekonomomia “!
Unë nuk mendoj kështu ! Ti merr vesh nga makro ekonomia madje shumë . NDAJ nëse dëshiron të përmirësosh ca imazhin pas këtij statusi copë copë , mund të bëjmë një debat publik për aritmetikën , botanikën , produktivitetin , investimet e huaja kontabilizimin e fitimeve të pashpërndara , pensionet, buxhetin si llogaritet oferta monetare etj….. ekranin kohën zgjidhe ti .
Unë për fatim tim e njoh penën tënde edhe atyre mbi ty . Ty të kanë detyruar ta shkruash atë status e unë ta kuptoj pamundësinë për të thënë jo !
Por uroj që të vij një ditë që ti të dalësh që andej, e të kem sërisht kolegen edhe mikeshën që e dua shumë !