Shkrime
“I dashur” armik apo “i urryer” kundërshtar
Nga Ben Andoni
Kultura e konsensusit ose e respektit në politikë vazhdon të jetë e huaj në Shqipëri. Jo se politikanët tanë nuk e dinë se: në demokraci, kundërshtari s’është armik, pasi këtë e përsërisin shpesh ndaj të huajve, të cilët duam apo s’duam, kanë shumë peshë në proceset e zhvillimit tonë. Mbase mund të jemi i vetmi vend në Evropë, që kremtojmë dy data Çlirimi nga pushtuesit fashistë; teksa jo pak herë, politikanët tanë të dy krahëve, ende duket sikur identifikohen me forcat politike të kësaj lufte!! Në kohët tona, qeveria e PD-së u pengua nga opozita e PS-së, thjesht të mos e kishte mundësinë të identifikohej me procesin e integrimit, pasi socialistët bllokuan tre ligjet e njohura që na kushtëzonin në BE. Përfaqësuesit demokratë ja kthyen edhe më shëmtuar në Bruksel… Ndarja në vend është aq e madhe saqë nëse figurat vlerësohen nga njëra palë do të hidhen poshtë sakaq nga tjetra. Por a është vërtetë një e tillë ndarje apo bëhet që të jetojë politika? Marrëveshja politike Rama-Berisha e vitit 2008 na tregoi se kinse sherri i politikanëve është në dukje. Kjo marrëveshje po ndikon sot e kësaj dite në të gjithë konfigurimin politik të vendit dhe paçka pasojave të saj, kur vjen puna për ta hedhur poshtë, PS dhe PD nuk ndihen, sepse tek e fundit është tandemi që drejton vendin dhe nuk mund t’i lerë fushë të lirë askujt prej forcave të tjera politike shqiptare. Në këtë rast, armiku bëhet “i dashur”, kurse kundërshtari “i urryeri” i nevojshëm. Njësoj kur kemi pasur presione nga ana e autoriteteve të huaja, siç ndodhi me Reformën në Drejtësi, të 140 deputetët shqiptarë ngritën kartonin e gjelbër të aprovimit.
Brukseli, duke e njohur këtë logjikë, shpesh na ka treguar indirekt (dhe jo vetëm ne) se shembulli i integrimit të Sllovenisë dhe Kroacisë në BE është një rrugë që duhet ndjekur. Dhe, realisht në këto vende nëse nuk do të ishte konsensusi politik në parlament, atëherë do të ishte e vështirë që të integroheshin. Kur mendon se çdo reformë me peshë, që do na kërkohet këtej e tutje kërkon mbështetje të gjerë politike, atëherë e kupton qartë këtë logjikë. Kuvendi është institucioni më i lartë, ku do të duhet të kalojnë ligje, por nga ana tjetër duhet të kultivosh kulturën e debatit dhe sidomos të mënyrës së shikimit të problematikave në komisionet dhe depërtimin në ligje, ashtu si duhet ditur si do të adresohen problemet. Në konceptin tonë politologjik-sociologjik të “Kompleksit të Rozafës”, ne zhbëjmë paraardhësit dhe nuk vlerësojmë asgjë të tij, ndërkohë që reformat kërkojnë vazhdimësi dhe jo rikthime nga fillimi, siç ndodh rëndom tek ne. Partia Socialiste në mandatin e tretë do duhet të krijojë mundësi për opozitën që të shprehet dhe të bashkëpunojë, ashtu si duhet që në të ardhmen, kur të mos jetë në pushtet: të përshfaqë aftësinë për asistencë dhe ndihmë në bërjen e ligjeve.
Për fat të keq të dëgjosh debatet në komisionet parlamentare, ku deputetët kalojnë në ofendime të frikshme ndaj njëri-tjetrit apo punimet plenare (qoftë edhe brenda një force, rasti i PD-së), arrin të kuptosh se koncepti i armikut është i rrënjosur në psikologjinë e shumë individëve, kur flitet për mbijetesën e tyre politike. Në këtë frymë, narracioni i Berishës mbushur me shumë simbolika arkaike degjeneruese, fjalë fyese urbaniste përcillen pa asnjë filtër nga ndjekësit e tij. Basha, pasardhësi i tij ka marrë fyerjet më të mëdha. Rama ka provuar në kurriz shumë nga qesënditë e ish-kryeministrit Fatos Nano dhe talljet e tij (Nano e bëri edhe më të ashpër me ministrat e vetë), ashtu si vetë nuk ka lënë pa denigruar në parlament në shumë momente opozitën e vendit. Përqeshja pasens e Palokës, Vokshit dhe e shumë të tjerëve ka qenë shpesh e hidhur, ashtu si ofendimet e këtyre ndaj palës tjetër, përfshirë dhe kryeministrin ka qenë shumë e ulët. Megjithatë, ky nuk është rasti i Shqipërisë sepse edhe në vende të tjera, madje me demokraci më të madhe se ne kundërshtari jo pak herë është armik. Ajo që ndodhi me turmën në Kongresin e SHBA-së të bën të besosh se për demokracinë kanë ardhur ditë të këqia. Vetëm se dallimi është që janë institucionet e pavarura që ndihmojnë ekuilibret. Është sistemi i Drejtësisë në SHBA që shpesh vendos pikat mbi “i”. Ndërkohë që janë vetë kundërshtarët politikë që gjejnë mënyrat të mos i kalojnë caqet, sepse në të ardhmen do e kenë ata rradhën. “Ndër aspektet më pak të studiuara të politikës demokratike janë ritualet, praktikat dhe zakonet e krijuara gjatë viteve, për të parandaluar konkurrencën të bëhet shkatërruese për vetë sistemin demokratik. Këto praktika – nga rregulloret në lidhje me shpenzimet e fushatës dhe reklamat deri te ndalimet e shpifjes, zakonet e mirësjelljes në debat dhe rregullat legjislative të rendit – janë zhvilluar nga vetë konkurrentët demokratë për të parandaluar shkatërrimin e siguruar reciprokisht”, shkruan tek shkrimi “The Politics of Enemies”, autori Michael Ignatieff për “Journal of Democracy”.