Connect with us

Lifestyle

Kur e arrijmë kulmin e jetës sonë?

Gazetari amerikan Don Lemon u kritikua shumë kohët e fundit kur deklaroi se Niki Halej, kandidate presidenciale nga radhët e Partisë Republikane, 51-vjeçe, që ka bërë thirrje për kryerjen e testeve të aftësisë mendore për politikanët më të moshuar se sa 75 vjeç, nuk ishte as vetë “në kulmin e saj”.

Ai theksoi se “një grua mund të konsiderohet në kulmin e saj në të 20-at dhe të 30-at, apo ndoshta në të 40-at”. Lemon, që është vetë 56 vjeç, e mbrojti deklaratën e tij duke thënë se kjo ishte ajo që tregon edhe një kërkim rastësor në internet. Natyrisht, edhe unë vetë kërkova në google mbi pyetjen “Kur një grua është në kulmin e saj?”, dhe rezultati i parë që del tani është pretendimi i Lemon.

Duke lënë mënjanë paragjykimet patriarkale, seksiste dhe moshore të komentit të Lemon, nuk është ndonjë lajm që shoqëria perëndimore është shumë e fiksuar pas rinisë së përjetshme. Por ky moment më nxiti të mendoja mbi këmbënguljen e fortë dhe deri diku qesharake të jo pak grave për të dukur sa më të reja.

Sikurse pyeti me të drejtë kolegu i Lemon në atë emision: ”E për çfarë kulmi po flasim?”. Çdo stinë e jetës sonë ka vokacionin dhe dhuntitë e veta. Prandaj çfarë mund të humbasim të gjithë ne si individë dhe shoqëri, kur e kufizojmë kaq shumë imagjinatën tonë, dhe kur luftojmë kundër procesit natyror të plakjes?

Tabloja me titull “The First Wrinkle” (Rrudha e parë) nga piktori impresionisti italian Federiko Zandomenegi, tregon një grua të re, epshore, që është e përqendruar tek një pasqyrë dore, duke ekzaminuar në detaje fytyrën e saj. Përballë saj shohim një kavanoz, me sa duket i mbushur me një lloj kremi.

Pra jemi duke parë një skenë intime. Jo vetëm sepse e shohim gruan e veshur me këmishën e saj të lirshme të natës që i rrëshqet mbi njërin sup, por edhe sepse po e shohim në një moment meditimi të thellë mbi veten. Duke njohur presionet me të cilat përballen gratë për ta zgjatur sa më gjatë rininë e tyre, nga frika se mos plaken më shpejt, unë nuk mund të mos pyes veten se çfarë mendimesh mund të rrjedhin nëpër kokën e saj.

Në një moment të jetës sonë si të rritur, ne mund të fillojmë të ndeshemi me një përplasje midis asaj se kush ndiejmë që jemi nga brenda, dhe asaj që ne apo ose bota na sheh nga jashtë. Plakja është diçka e pashmangshme. Trupat tanë e fillojnë procesin e tyre të konsumimit që nga momenti që lindim.

Por kultura perëndimore na mëson që sapo të fillojmë të njohim shenjat fizike të plakjes, atëherë është koha për t’u shqetësuar. Në vend se të pranojmë mundësitë për rritje shpirtërore që mund të vijnë nga plakja si proces natyr, bota na inkurajon të përpiqemi të zgjasim stinët e jetës që në fakt janë duke ecur natyrshëm në rrjedhën e tyre.

Në vend se ta falënderojmë trupin tonë që na ka sjellë deri këtu, dhe të vërejmë dhe gëzohemi për avantazhet që vijnë me plakjen, ne fillojmë një mini-luftë kundër trupit tonë, duke luftuar kundër vetes në mënyra që janë të lodhshme, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht.

Unë e dua shumë tablonë tjetër të famshme “Burimi i rinisë” (1546) të Lukas Kranash Plakut. Ai përfaqëson një përshkrim sa komik aq edhe të tmerrshëm të denigrimit shekullor që i ka bërë plakjes bota perëndimore, por dhe i standardeve seksiste dhe patriarkale me të cilat vendosen vlerat e grave të reja dhe të vjetra.

Skena në atë tablo zhvillohet në një peizazh të gjerë. Në sfond shtrihet një varg malor, së bashku me një kështjellë të largët mbi një kodër. Në qendër ndodhet një pishinë e madhe e cekët, me një shatërvan të vogël të ngushtë në mes. Ana e majtë e pikturës është e mbushur me gra të moshuara.

Ata mbërrijnë atje duke transportuar ujë me tezga, kuaj dhe karroca dore. Disa nga gratë janë duke u inspektuar apo zhveshur përpara se të hyjnë në pishinë. Ndërkohë, ana e djathtë e tablosë është plot me vajza të reja. Gratë e moshuara transformohen nga ujërat kuruese, duke dalë të rinuara prej andej.

Pasi hyjnë brenda një tende aty pranë, ato vishen me fustane të reja, dhe gjejnë sërish në dispozicion një shumëllojshmëri përvojash të këndshme dhe sensuale. Disa marrin pjesë në gosti dhe vallëzime. Ne shohim edhe një grua të re duke u joshur nga një djalë i ri.

Piktura sugjeron që nëse mund të lihet pas pleqëria, atëherë jeta jonë do të jetë sërish plot kuptim, marrëdhënie dhe aktivitete jetëdhënëse. Ky zhvlerësim i të moshuarve, ka një jehonë të fortë në kulturën e sotme, e cila na mëson që t’i hedhim poshtë me lehtësi dhe pa shumëceremoni gjërat që besojmë se e kanë tejkaluar dobinë e tyre, përfshirë njerëzit.

Shumëçka konsiderohet sot e zëvendësueshme:ne nuk jemi një shoqëri që vlerësojmë realisht potencialin afatgjatë të gjërave. Ne i ndryshojmë tanë çdo vit telefonat për versionin më të fundit. Ne presim pemë që janë shekullore, për të ndërtuar në çdo hapësirë ??të gjelbër të disponueshme. Ne e ndryshojmë garderobën tonë në çdo sezon të ri të modës. Dhe ishmangim njerëzit për të cilët nuk jemi më të interesuar.

Ndonjëherë duket sikur po e humbasim kuptimin tonë mbi atë që do të thotë të vlerësosh diçka, dhe kjo gjë vërehet në çdo fushë të jetës, nga mjedisi, njerëzit, dhe deri tek shpalosja e jetës sonë. Mua më ngjan me një krizë shpirtërore dhe të imagjinatës.

Perspektiva hapësinore e pikturës dhe numri i madh i njerëzve në këtë tablo, synojnë të ekzagjerojnë natyrën komike dhe tragjike të këtij fiksimi pas rinisë së përjetshme. Në mungesën e vullnetit tonë për t’u përballur me sfidat e pashmangshme që vijnë me plakjen dhe realitetin e vetë vdekshmërisë sonë si qënie, ne rrezikojmë të humbasim mundësinë paralele për forcim shpirtëror dhe për takime të thelluara të jetës, të cilat gjenden të fshehura në peripecitë e jetesës.

Ne e ngatërrojmë rininë me përsosmërinë dhe përsosmërinë me jetën e mirë. Nëse e shihni me vëmendje pikturën, do të shihni 2 plaka në anën e majtë, që të dyja pjesërisht të mbështjella me peshqir. Njëra ulet buzë shkallëve të pishinës, me gjunjët e saj të mbledhur kruspull në gjoks; ndërsa tjetra i ka zhytur këmbët në ujë dhe po bisedon me një grua plotësisht të veshur, e cila duket se po përpiqet ta bindë që të zhytet plotësisht.

Këto dy gra hezituese, janë për mua elementët më intrigues të kësaj pikture. Ndonëse tashmë të zhveshura, ata nuk duken plotësisht të bindura se plakja është aq kufizuese dhe e padëshirueshme sa synon që të na e imponojë shoqëria. Këto dy gra ngurruese, mund të kenë fituar mençurinë për të përfytyruar liritë dhe mundësitë e reja që i presin në vitet e tyre të mëvonshme.

Një vepër tjetër më ka bërë shumë përshtypje në lidhje më këtë temë titullohet “Le VeçhieComari” (Gratë e moshuara) nga piktorja italiane e shekullit XX-të Feliçe Kasorati. Tetë gra të moshuara, të mbuluara nga qafa deri në kyçin e këmbës me fustane, shalle dhe batanije, janë mbledhur së bashku deri në skajet e kanavacës.

Njëra prej tyre është kthyer me fytyrë nga ne, me dorën e saj në ijë, një gjest që ilustron dhimbjet fizike të plakjes. Një grua tjetër shfaqet e ulur dhe mbështjellë me batanije, me vështrimin e saj të ashpër drejt dyshemesë dhe si e përhumbur në soditje. Gjashtë gratë e tjera qëndrojnë në këmbë, disa me ndihmën e një bastuni.

Ajo që adhuroj më së shumti në këtë tablo janë shprehjet në fytyrat e grave. Një grua me një shall rozë rrotull qafës së saj, na vështron me një buzëqeshje të sigurt. Një grua tjetër në anën e majtë na vështron me një buzëqeshje disi ironike, si të pyeste shoqet e saj se për çfarë është gjithë kjo bujë.

Por është figura qendrore, një grua e veshur e tëra në të zeza dhe që mban një bastun, ajo që duket se e përmbledh gjithë atmosferën e tablosë. Koka e saj është përkulur dhe na shikon me bisht të syrit, me një buzëqeshje djallëzore e të fshehtë. Këto gra të moshuara janë të kënaqura në vetvete, dhe duket se dinë gjëra që ne nuk i dimë.

Buzëqeshja e tyre tregon se ne do ta zbulojmë se çfarë dinë ato, vetëm nëse kemi fatin të arrijmë moshën e tyre. Por ndërkohë, ajo dhe mikeshat e saj ka të ngjarë të kenë gjëra të vlefshme për të na mësuar ne të tjerëve. Një pjesë e dhuratës së plakjes, të kultivimit të njëfarë mençurie nga përvoja e jetës, është ajo që na ofron ne që jemi ende në rrugën tonëdrejt asaj faze të jetës.

Kuptohet, jo të gjithë ata që plaken fitojnë mençuri apo edhe pjekuri, por një jetë e gjatë sjell shpesh mësime të vlefshme. Nuk mund të mos mendoj se pavarësisht sfidave që bart, mosha e thyer përmban edhe ftesën e saj për të zbuluar një shpalosje të re të vetes dhe për të përqafuar më lehtë misterin e pakuptuarit të gjithçkaje.

Shpresa është që ndërsa plakemi, mund të hyjmë në atë sezon më me hijeshi, më të përgatitur për t’u përballur me pasiguritë dhe kompleksitetet e jetës, me më pak frikë dhe ankth që ato gjëra mund të shkaktojnë në vitet tona të rinisë. Dhe me një aftësi më të thellë për të kapur bukurinë e fshehur tek të gjitha gjërat:bukuria është ajo që ndihmon në zgjerimin e imagjinatës sonë, dhe na bën thirrje për një reflektim më shpirtëror për të jetuar me veten dhe të tjerët.

Advertisement