Kronike
U godit me thikë në zemër, zbardhet motivi i vrasjes së 22-vjeçarit shqiptar në Londër
Zbardhen detaje të reja nga vrasja e 22-vjeçarit Lorik Abazi në Londër, i cili humbi jetën pasi u godit me thikë në zemër gjatë një konflikti në orët e para të 15 shkurtit 2026.
Gjatë procesit gjyqësor në Old Bailey, prokuroria britanike ka ngritur dyshime se përplasja mund të ketë nisur pas një komenti për pamjen e partneres së personit të akuzuar për vrasjen.
Sipas prokurorit Anthony Orchard KC, viktima kishte kaluar mbrëmjen e Shën Valentinit me partneren dhe miqtë e tij në sallën e bowlingut Tenpin Croydon. Në të njëjtin ambient ndodheshin edhe 29-vjeçari Ellis Anim-Annor, i akuzuar për krimin, dhe partnerja e tij, Ines Bernado.
Megjithëse mes dy grupeve nuk kishte pasur konflikt brenda lokalit, situata dyshohet se u tensionua pas largimit të tyre, rreth orës 01:00. Sipas akuzës, Anim-Annor shkoi fillimisht në një McDonald’s aty pranë, por më pas u kthye dhe u përball me grupin e Abazit.
Sipas prokurorisë, një person nga grupi i viktimës kishte bërë më herët një koment për pamjen e partneres së 29-vjeçarit, çka mund të ketë shkaktuar konfliktin. Megjithatë, motivi i saktë i përplasjes mbetet ende i paqartë.
Ngjarja përshkallëzoi në dhunë në parkimin e Valley Retail Park, në Croydon, ku sipas prokurorisë, Anim-Annor goditi me thikë në zemër 22-vjeçarin. Nga përleshja mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, të cilët u transportuan në spitalin St George’s.
Shërbimet e emergjencës u njoftuan në orën 01:19, ndërsa Abazi u dërgua me urgjencë në spitalin universitar të Croydon. Pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, i riu ndërroi jetë në orën 02:01.
Familjarët e viktimës kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e tij, duke deklaruar se vdekja e 22-vjeçarit ka lënë një boshllëk të madh në jetën e tyre.
Ndërkohë, Ellis Anim-Annor, banues në Bromley, ka mohuar akuzat për vrasje dhe plagosje me dashje. Procesi gjyqësor vijon, ndërsa rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësia penale e të akuzuarit mbeten për t’u përcaktuar nga gjykata.