Sport
MILANI PAS SHPINE/ TARE DREJT ARABISE SAUDITE, SHEIKET E DUAN NE KRYE TE PROJEKTIT TE RI
Igli Tare mund të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë në Arabinë Saudite. Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe ish-drejtori sportiv i Lazios raportohet se ka hyrë në negociata me klubin Al Ahly, i cili synon t’i besojë drejtimin sportiv pas largimit të portugezit Rui Pedro në shtator.
Sipas gazetarit italian Francesco Porzio, i cili foli në emisionin “Al-Montasaf”, drejtuesit e klubit saudit kanë nisur bisedimet me Taren për ta emëruar në postin e drejtorit sportiv.
Klubi synon të përfitojë nga përvoja e shqiptarit në futbollin italian dhe aftësia e tij për të identifikuar lojtarë cilësorë e për t’i afruar ata në merkato. Tare ka krijuar emër në futbollin italian, veçanërisht gjatë viteve të punës te Lazio, ndërsa eksperienca e tij e fundit te Milani, sipas raportimeve, u mbyll më herët nga sa pritej dhe pa rezultatet e dëshiruara.
Negociatat me Al Ahly-n kanë tërhequr vëmendjen edhe për shkak të karakterit të Tares. Porzio e ka përshkruar shqiptarin si një drejtues me të cilin mund të jetë e vështirë të punohet, duke iu referuar stilit të tij strikt dhe mënyrës së drejtimit.
Megjithatë, ky vlerësim nuk i ka ndalur drejtuesit e klubit saudit, të cilët po shqyrtojnë mundësinë për ta vendosur Taren në krye të projektit sportiv.
Për momentin, nuk ka një marrëveshje përfundimtare të konfirmuar nga palët. Nëse bisedimet përfundojnë me sukses, Tare mund të largohet nga futbolli italian dhe të nisë një aventurë të re në Arabinë Saudite, ku do të kishte detyrën të ndihmonte në ndërtimin dhe përforcimin e skuadrës.
Për ish-drejtuesin e Lazios, kjo do të ishte një mundësi e re për të vënë në zbatim përvojën e tij në një kampionat që po synon të tërheqë emra të njohur dhe të rrisë ambiciet sportive.