Politike
Mbi 200 të arrestuar për vjedhje/ Balla: Goditje ndaj keqbërësve
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar se goditja ndaj keqbërësve është një sfidë e pandalshme e Policisë së Shtetit.
Ministri Balla ka përshëndetur operacion e Policisë së Shtetit “Piketa”, i cili bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal të cilët akuzohen për vjedhje, duke e çuar kështu në mbi 200 numrin e të arrestuarve për këtë vepër penale, vetëm në gjashtë muajt e fundit.
“Ndërsa jemi në pikun e sezonit turistik, Policia e Shtetit duhet të rrisë goditjen ndaj keqbërësve që shfrytëzojnë këtë moment. Një tjetër grup kriminal u vu në pranga me akuzën e vjedhjeve, duke e çuar mbi 200 numrin e të arrestuarve për këtë vepër penale, vetëm në gjashtë muajt e fundit”, shkruan Balla.
Operacioni “Piketat” u zhvillua nga Policia e Himarës dhe e Durrësit, gjatë të cilit u bë e mundur zbardhja e vjedhjeve në një sërë vilash, si dhe vënia në pranga e dy prej pjesëtarëve të grupit kriminal dhe shpallja në kërkim e pjesëtarit tjetër, të tre me precedent të theksuar kriminal, brenda dhe jashtë vendit.