Connect with us

Aktualitet

Sindroma e ‘alienit prindëror’, fëmijët si viktima të divorcit

Në një proces divorci në Shqipëri, fëmijët janë viktimat e vërteta të konfliktit.

Në shumicën e rasteve prindërit i përdorin fëmijët për egoizmin e tyre duke shkaktuar tek të vegjlit atë që njihet si Sindroma e Alienimit Prindëror, që vjen nga fjala “Alien” apo “i huaj”. Prej 20 vitesh si psikologe gjykate dhe eksperte në çështjet e divorcit Valbona Treska, thotë se keqtrajtimi që iu bëhet fëmijëve është vepër penale që dënohet nga 3 muaj deri në 2 vjet burg.

Kemi prindër që urrejnë partnerin, janë të zemëruar më njëri tjetrit dhe në këtë proces urrejtje, iu thonë fëmijëve që siç e kam unë inat mamin duhet ta kesh edhe ti. Mami është e keqja, mami e solli gjithë këtë zallamahi, gjithë këtë dramë në shtëpi. Arrijnë deri aty sa edhe dhuratat, çokollatat apo lodrat që ua jep mami apo babi, i hedhin në kosh të plehrave, vetëm për t’i krijuar fëmijës idenë e urrejtjes ekstreme.

Sindroma e Alienimit Prindëror është një sindromë që përveçse deformon personalitetin e fëmijës, deformon plotësisht figurat prindërore në psikikën e fëmijës. Kemi prindër që tjetërsojnë me dashje figurën e prindit tjetër vetëm që fëmijët t’i përdorin si trofe dhe ata të jenë pjesë e urrejtjes që ata ushqejnë kundër njëri-tjetrit. Ata nuk kuptojnë që në këtë mënyrë rrisin fëmijë që nesër mund të kenë probleme të shëndetit mendor, por edhe probleme sociale dhe me kriminalitetin. Ajo që këshillojmë është që prindërit të mos i përfshinë kurrsesi fëmijët në problemet e tyre. Inatet janë të të rriturve, fëmijët mbajini larg.“-shprehet Valbona Treska, Psikologe Gjykate./TopChannel

Advertisement