Kosova
Lufta për Edi Ramën, Kurti dhe Fronti Europian
Vizita e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut u konsiderua private dhe u pa në kuadër të bashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje me opozitën shqiptare atje. Ali Ahmeti, kryetari i partisë më të madhe shqiptare atje, me të cilin Kurti nuk pati takim, ka bërë thirrje për bashkim rreth asaj që ai e quajti ‘Fronti Europian’ dhe me rastin e 22-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ai u shpreh se është “Koha për të krijuar raporte të reja shoqëroro-politike për të ndërtuar atë që sot quhet Maqedonia e Veriut.”
Nga kabineti i kryeministrit Kurti nuk i janë përgjigjur pyetjes se përse kryeministri Kurti kësaj radhe nuk u takua me Ahmetin. Kryeministri nga ana e tij tha se po të ishte ftuar edhe nga ndonjë komunë tjetër për diçka të ngjashme, do ta kishte përfshirë në kuadër të kësaj vizite.
I pyetur se në çfarë cilësie shkoi në Maqedoninë e Veriut, Kurti me nënqeshje tha se ishte ftuar si kryeministër. Por Qeveria e Maqedonisë së Veriut e konsideroi private vizitën e Kurtit, ashtu si edhe eksponentët e rëndësishëm të BDI-së së Ali Ahmetit në pushtet.
Kjo vizitë e Kurtit në Maqedoninë e Veriut u pa edhe si reflektim i mosmarrëveshjeve të tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka marrëdhënie shumë të mira me Ali Ahmetin, të cilin e konsideronte “pionier të Ballkanit të Hapur” dhe të cilin gjen rastin ta citojë jo rrallë herë. Ahmeti, ndërkaq, e quan Ramën “mik të madh”.