Connect with us

Bota

Një vit nga vdekja e Mahsa Amin, në Iran shpërthejnë protestat

Tensionet mbeten të larta në Iran një vit pas vdekjes së Mahsa Amini. E reja me origjinë kurde humbi jetën pasi u arrestua nga policia e Teheranit për shkak se nuk mbante hixhabin siç duhet. Kur edhe pak bëhet një vit nga kjo ngjarje, protestat kanë shpërthyer sërish, pavarësisht ndalimeve dhe arrestimeve të shumta. Në Teheran u shfaqën mbishkrime dhe pankarta kundër Republikës Islamike, ndërsa thirrje kundër liderit suprem Ali Khamenei u brohoritën nga rreth njëqind njerëz në rrugët e Zahedanit.

Imami sunit i xhamisë së Zahedanit, në provincën juglindore të Sistan Baluçistanit, kujtoi në mënyrë eksplicite gjatë lutjeve të së premtes të renë Mahsa dhe valën e protestave që pasuan vdekjen e saj me mbi 500 të vdekur dhe më shumë se 20 mijë të arrestuar. Transmetimi i drejtpërdrejtë i predikimit të tij u censurua me një bllokim të përkohshëm të aksesit në internet, por pas lutjes të paktën njëqind njerëz marshuan nëpër rrugë duke bërtitur parulla.

“Ne nuk do ta harrojmë masakrën e Zahedanit”, thirrën disa, duke iu referuar 30 shtatorit 2022, e kujtuar si “E Premtja e Përgjakshme”, ditë e përleshjeve shumë të ashpra në qytet gjatë protestave antiqeveritare që çuan në vdekjen e katër oficerëve dhe qindra demonstruesve. Revolta për Mahsa, me thirrjen “grua, jetë dhe liri”, vazhdoi me muaj të tërë në qytete të ndryshme të vendit, por në Zahedan demonstratat vazhduan rregullisht pothuajse çdo të premte pas lutjes islame, madje edhe kur aktivistët në qytete të tjera iraniane. ndaluan së demonstruari. Republika Islamike ka frikë se me rastin e përvjetorit të nesërm, protestat do të shpërthejnë edhe në pjesën tjetër të vendit.

Javën e kaluar, rreth tridhjetë aktivistë janë arrestuar tashmë, ndërsa masat e sigurisë janë forcuar ndjeshëm në qytetet kryesore dhe gjithashtu në kryeqytetin Teheran, ku parulla për Mahsan janë parë të varura në mbikalime dhe aktivistë që shkruanin mesazhe proteste kundër Republikës Islamike.

Prej ditësh, provinca e Kurdistanit iranian ka qenë veçanërisht e bllokuar, ku policia iu ka kërkuar qytetarëve të mos protestojnë, duke kërcënuar se do të hapin zjarr në rast mosbindjeje. Në Saqqez, qyteti kurd nga e kishte origjinën Mahsa Amini, hotelet nuk pranojnë mysafirë nga jashtë dhe varri i të resë monitorohet nga kamerat ndërsa familjes i kanë bërë presion për të mos mbajtur ceremoni në ditën e përvjetorit dhe lëvizjet e babait të saj Amjad janë nën kontroll.

Me protesta të reja në horizont, marrëdhënia tashmë delikate mes Iranit dhe Perëndimit, e cila vitin e kaluar kritikoi ashpër Teheranin, duke vendosur edhe sanksione, për shtypjen e demonstratave, është në prag të përkeqësimit. SHBA dhe Britania e Madhe kanë vendosur për sanksione të reja, ashtu si edhe BE-ja, e cila po përgatitet të nisë një paketë të dhjetë masash kufizuese kundër katër personave dhe gjashtë subjekteve përgjegjëse për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Iran.

Advertisement