Kosova
Publicisti Milaim Nela paralajmëron qeverinë Kurti
Publicisti Milaim Nela, u shpreh se nuk e kupton se si Kosova pranon të dialogojë me Serbinë, kur presidenti Vuçiç dhe kryeministrja Brnabiç, në vazhdimësi deklarojnë se nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.
“Ata të dy nuk lënë dalje publike pa deklaruar se Serbia në asnjë rrethanë dhe asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën shtet dhe bëjnë presion për implementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”
Duke përmendur disa drafte të Asociacioneve që po qarkullojnë në media, dhe teksa qeveria e Kosovës ende nuk ka publikuar zyrtarisht asgjë për këtë çështje, Nela tha se ka shumë djallëzi mbi raportimet, pasi po zbutet termi kompetenca ekzekutive në vetëmenaxhim.
Gjithashtu, ai tha se është e dhimbshme që tani nuk diskutohet a do ketë Asociacion, por si do duket ai, dhe për këtë, fajësoi politikanët e opozitës.
“Tani nuk shtrohet më çështja a duhet të ketë asociacion apo jo, që për mua, siç e kam thënë në të shkuarën, është vrasës i pavarësisë së Kosoves, por si do jetë ai. Kjo është e dhimbshme. Ndërkohë politikanë naivë apo të shantazhuar të opozitës kosovare, vazhdojnë melodinë e vjetër se “Kosova e ka detyrim asociacionin”!
“Për një çështje kaq të rëndësishme, të paktën elita politike dhe Kuvendi i Kosovës duhet me patjetër jo vetëm të kishin dijeni por të kishte një debat me themel rreth kësaj çeshtje. Fakti që drafti mbahet sekret, do të thotë që në ato bisedime apo draft statut ka lëshime nga ana e Kosovës. Të paktën kjo është logjika dhe frika dhe dyshimi ynë” – vlerësoi publicist, duke kërkuar të ketë marrëveshje mes pozitës dhe opozitës për çështje jetike të Kosovës, siç është rasti i Asociacionit.