Sport
“Diamanti” i Partizanit, Arbër Abilaliaj ka ecurinë më të mirë si i kuq, barazon Colelën
Partizani i këtij sezoni ka treguar shenjat e mira, duke filluar nga ndeshja e parë në fazën kualifikuese të Champions League përballë BATE Borisov, por forma e skuadrës njohu një luhatje brenda një ndeshjeje të vetme. Gjithsesi, me kalimin e sfidave të kuqtë ndryshuan duke u rritur në lojë dhe pati një konsolidim të ndjeshëm, për të shkuar te seria e gjashtë fitoreve radhazi, një ecuri e paprecedentë prej shumë sezonesh.
Zekiç e nisi i pari në përballjen ndaj Kukësit, por më pas, prej largimit të tij drejt Kroacisë, punën e vijoi Arbër Abilaliaj me një “karikator” triumfesh. Pesë ndeshje dhe po aq fitore në startin e tij si trajner i Partizanit. Kjo është hera e parë që ish-sulmuesi i Partizanit e Tiranës drejton një ekip të parë. Gaz Demi i besoi dhe duket se nuk ka bërë keq, pasi 37-vjeçari ka startin më perfekt, krahasuar me trajnerët e 5 viteve të fundit të Partizanit, siç duket qartë edhe në tabelë.
Statistikat e krahasojnë atë me trajner të ndryshëm që kanë provuar së paku njëherë eksperiencën në stolin e Demave dhe i pari që vjen ndërmend është italiani Giovanni Colela, i cili e nisi me një seri prej 3 fitoresh radhazi e më pas pësonte një humbje ndaj Erzenit, para se të regjistronte një tjetër fitore ndaj Kukësit. Në total, italiani siguroi një ecuri prej 4 fitoresh dhe 1 humbjeje.
Një tjetër trajner kampion është Skënder Gega, që megjithëse në fund triumfonte me diferencë ndaj rivalëve, e niste jo në mënyrën më të mirë, ndikuar edhe nga fakti se startonte në Europë dhe eliminohej ndaj Mariborit në Champions League. Më pas mposhtej nga Skënderbeu në kampionat, para se të niste rrugëtimin drejt titullit.
Dy shqiptarë të tjerë që kanë drejtuar Partizanin në këto 5 vite janë Ilir Daja dhe Dritan Mehmeti. Ky i fundit qëndroi vetëm gjysmë sezoni, ndërsa Daja një vit e gjysmë, trajneri më jetëgjatë në këtë gjysmë dekade. Por sërish, as kjo dyshe nuk e nisnin si Abilaliaj dhe hasnin vështirësi në start.
Dy italianë të tjerë, që kanë drejtuar Partizanin gjatë kësaj periudhe janë Lerda dhe Sormani, me këtë të fundit, që regjistronte dy aventura, në 2016-ën dhe 2020-ën. Gjithsesi, asnjëri prej tyre nuk kishte nisje të suksesshme.