Connect with us

Bota

Blinken merr pjesë në samitin e organizuar nga OSBE në Shkup

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të marrë pjesë në një darkë joformale në Këshillin Ministror të shteteve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që mbahet në Shkup më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, tha të shtunën ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Më herët është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e një delegacioni rus, ku do të duhet të jetë edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov. Por, për ardhjen e tij të mundshme ende nuk ka konfirmim zyrtar. Më 24 nëntor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim për ta hequr ndalesën e fluturimeve të avionëve rusë vetëm për fluturimin e delegacionit rus.

“Sigurisht që nuk duhet të presim që të gjithë të qëndrojnë për tri ditë. Këta janë njerëz të rëndësishëm që do të vijnë në një pjesë të ngjarjes dhe do të largohen. Se a do të përkojnë datat e qëndrimit të tyre, nuk mund të them, sepse ende jemi duke i përcaktuar ato”, tha Osmani në konferencën për media.

Osmani ka thënë më herët se Lavrovi ia kishte dërguar një letër në fillim të nëntorit në të cilën, “ka treguar interes dhe kërkesë për të siguruar praninë e tij në Shkup”. Para disa ditësh, Osmani tha se kërkesat për viza të delegacionit rus janë duke u proceduar dhe sapo të ketë informacione, opinioni do të informohet.

“Vendimi për sanksionet e Bashkimit Evropian nuk vlen për ngjarjet e natyrës shumëpalëshe siç është OSBE-ja, prandaj është vendim i qeverive që duhet ta sjellin, por ka një bazë ligjore në BE. Tani, ne dhe të paktën një nga vendet tona fqinje duhet të marrim një vendim të tillë. Bullgaria apo Greqia për të mundësuar një fluturim të tillë”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, më 15 nëntor.

Këshilli Ministror i OSBE-së, që do të mbahet në Shkup, shihet si një ngjarje kyçe në të cilën do të vendoset se si do të funksionojë organizata në të ardhmen, duke pasur parasysh pengesat dhe bllokadat e vazhdueshme të vendosura nga Rusia që nga nisja e pushtimit të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar. Një nga sfidat kryesore është gjetja e një vendi që do të marrë presidencën nga Maqedonia e Veriut për vitin e ardhshëm.

 

Advertisement