Rajon
Vuçiç mesazh ndërkombëtarëve: Nuk do e lëshojmë kurrë Kosovën
Në fushatën elektorale për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, Vuçiç i është kthyer temës së Kosovës. Në fjalimet elektorale, ai ka deklaruar se qeveria e partisë së tij dhe ai si president nuk kanë firmosur asnjë akt që e njeh Kosovën shtet i pavarur.
Kundërshtarët politikë të Partisë Progresiste Serbe që drejtohet nga Vuçiç, e akuzojnë këtë të fundit, se me politikat që ka ndjekur, ka çuar drejt njohjes së Kosovës.
Por Vuçiç deklaron se prej 11 vitesh që është në pushtet, si kryeministër dhe më pas si president, nuk ka lëshuar asgjë nga sovraniteti i Serbisë.
Në fjalën e tij, Vuçiç pati dhe një mesazh për ndërkombëtarët.
“Pas 11 vitesh na kërkohet sërish që të njohim Kosovën. Unë u them atyre se nuk do t’a njohim kurrë dhe do të ndjekim një politikë të kujdesshme” – theksoi presidenti serb.
Vuciç gjithashtu ka dalë me një teori tjetër. Ai ka thënë se me sanksionet ndaj Kosovës po i bëhet presion Serbisë.
“Prandaj i vunë shqiptarët nën sanksione, të cilat nuk janë aq serioze, dhe me këtë në fakt, ata po shantazhojnë Serbinë, sepse ne kemi diçka për të humbur”, tha presidenti serb
Ndërkohë kryetari i partisë progresive serbe, Milosh Vuçeviç, sulmoi opozitën duke deklaruar se ata që premtojnë mbrojtje të Kosovës, do ta njohin atë brenda pak kohësh dhe do vendosin sanksione ndaj Rusisë.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi kanë ndaluar procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Partia serbe që qeverisë vendin ka ashpërsuar tonet ndaj ndërkombëtareve për çështjen e Kosovës, për të mos lejuar votën kundër të elektoratit nacionalist.