Aktualitet
Dom Gjergj Meta rrëfen momentin e thirrjes: Si u thashë prindërve që do bëhem prift
Dom Gjergj Meta në një rrëfim në “Top Story” ka treguar për thirrjen e tij për t’u bërë prift dhe dëshirën e të atit për t’u bërë mjek.
Duma: Kam parë pak apo aspak se kush ishte thirrja jote që të bëheshe prift. ’95, ’96 ka nisur…
Dom Gjergj Meta: Më herët…
Duma: ’95, ’96 ka nisur arsimimi juaj formal për t’i shërbyer në mënyrë krejtësisht religjoze, ideologjike kishës, ndërsa je sot një klerik i lartë, një funksionar i lartë i kishës dhe një njeri shumë i referuar sa i përket besimit dhe shumë i pranuar në popullatën e gjerë shqiptare, aqsa edhe ata që janë mysliman edhe ata që janë katolik të ndjekin me vëmendje. Si ndodhi që vendose ti shërbeje Zotit, kishës dhe të pranoje këtë thirrje?
Kanë qenë disa muaj në të cilat mendoja, rimendoja, flisja nuk flisja, qëndroja më i heshtur, saqë edhe prindërit në familje u bënë merak me idenë ‘ça ka’, derisa ua thashë diku nga janari i vitit 1994 që unë dua të ndjek këtë rrugë. Nganjëherë mendoj që kanë të bëjnë shumë edhe me inkroshencën rinore disa gjëra, ashtu sikurse njeriu vendos të martohet, ose vendos të shkojë në universitet, por që jeta, rrugëtimi në këtë rast është i gjatë dhe të nxjerr përballë shumë gjëra të bukura por edhe vështirësi dhe pengesa. Ndaj them që sa më shumë kalon koha, aq edhe më e vështirë është ta përcaktosh saktësisht se çfarë ka ndodhur në ato momente.
Ishte elementi racional, sepse unë në atë kohë kisha disa pika referimi, persona që më ndiqnin nga afër, persona që klerik që më jepnin një shembull shumë të mirë, por kisha edhe historinë e kishës katolike të Shqipërisë, gjithë ato meshtarë që ishin vrarë, që ishin pushkatuar, dhe në një moment thash që unë do zëvendësoj njërin prej këtyre.
Duma: E ndjeve këtë?
Dom Gjergj Meta: Po, ky është elementi racional. Ai që është në sipërfaqe, që duket që unë e kam elaburuar gjithmonë në mendjen time. Pastaj ka gjithmonë diçka të pashprehshme, të pathënshme, diçka që duhet të mbetet mister sepse unë e kam vetë mister, vetë për veten time. Sado që të mundohem ta shpjegoj mbetet mister edhe për të tjerët, si një i ri vendosi të marrë një thirrje të caktuar në jetën e tij dhe në këtë rast të bëhet prift. Pra të totalizojë jetën e tij.
Duma: Ky momenti që ti ke marrë thirrjen dhe s’po e them moshën…
Dom Gjergj Meta: 18-vjeç, diku 17-18 vjeç kam qenë.
Duma: Çdo njeri si krijesë besoj që duhet të ketë një thirrje, dhe një nga gjërat me brezin e ri është se mundohen që diçka ta bëjnë të shpjegueshme për të tjerët. Po kjo që the tani ‘le të mbetet mister’ është një nga përgjigjet më të mira që duhet të marrin ata të rinj që e kanë jetën para. Pra në momentin që ndjen një gjë, është e panevojshme të shpjegosh gjithçka, është e panevojshme nëse vendos të dëgjosh këtë gjë.
Dom Gjergj Meta: Duhet të mbetet me patjetër diçka te ne që duhet të rrijë aty e pazbuluar, i shërben jetës. Në momentin që unë vendosa të merrja një vendim të tillë, babai im thotë ‘po pse?! Unë kam dëshirë që të bëhesh mjek dhe pasi të mbarosh mjekësinë shko. Vendos atëherë.’ Unë i them, por unë e kam thirrjen tani. ‘Atëherë ma shpjego këtë thirrje sepse unë nuk e kuptoj’, më thotë. Ky është problemi i thashë që nuk ta shpjegoj dot as unë tani që po ma kërkon.
Duma: Por ti e dëgjoje?
Dom Gjergj Meta: Është si një forcë e brendshme, është si një shtytje e brendshme, nuk ka një motiv racional nganjëherë.
Duma: Çfarë është e ngjashme me këtë? Dashuria.
Dom Gjergj Meta: Po mendoj që po, mendoj që kur dashurohesh me dikë shpesh herë nuk është racionale dhe nuk ka ‘po sepse’. Sepse ne si natyrë njerëzore jemi racionale.