Shkrime
Aventurat pan-serbe dhe oktapodi Vuçiç/ Stuhia nis në vitin 2024
“Serbia është një shtet i militarizuar, i radikalizuar dhe i rusifikuar. Ajo nuk i ka ndërprerë lidhjet dhe bashkëpunimin e saj të thellë me Rusinë, as nuk do ta bëjë këtë, dhe është në gjendje të përfitojë nga një plejadë e favorshme gjeopolitike në të cilën Rusia do të ishte në gjendje të mbështeste aventurat e ardhshme pan-serbe, madje edhe të armatosura, secesioniste në rajon” – kështu ka vlerësuar Srdjan Susnica, jurist, kulturolog dhe publicist nga Banja Luka, që gjithashtu njihet si njohës i shkëlqyer i çështjeve politike dhe të sigurisë, veçanërisht i ndikimeve të jashtme malinje në rajon.
Susnica theksoi se Serbia, në raport me fqinjët e saj, veçanërisht me Kosovën, vepron nga pozita e dhunës dhe provokimit të vazhdueshëm të krizave, dhe më pas u ofrohet aktorëve perëndimorë si ndërmjetësues dhe gjoja aktor konstruktiv dhe paqësor.
“Kjo është pozita e një shantazhi, jo paqebërësi. Analistët dhe aktorët që barazojnë politikën e Beogradit dhe Prishtinës, apo dhe barazojnë nacionalizmat, janë të tjetërsuar si nga historia ashtu edhe nga politika dhe nuk duan të shohin se të gjitha krizat e brendshme në Kosovë e kanë origjinën nga Beogradi” – u shpreh Susnica.
Beogradi, theksoi ai, thjesht ka rrëmbyer jetën e serbëve të Kosovës, i ka izoluar ata nga normaliteti, duke përhapur frikë ekzistenciale, psikozë lufte dhe ndjenjë vulnerabiliteti mes tyre.
“Ata janë pronë e Beogradit politik, i ka bërë skllevër të tij politikë, siç bënte dikur me serbët e Dalmacisë, Sllavonisë, Banisë dhe sot po e bën me serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës” – Kujtoi analisti nga Banja Luka, duke nënvizuar se Vuçiç ka zhvilluar kapacitete të forta për të shantazhuar Perëndimin.
“Ai forcoi sigurinë, propagandën dhe praninë ekonomike ruse në Serbi dhe Republika Srpska dhe mbështet regjimin pro-rus të Milorad Dodik në aktivitetet e tij antikushtetuese, secesioniste dhe parashtetërore” – deklaroi Susnica, sipas të cilit, “është e qartë për të gjithë në Perëndim, por askush nuk do ta thotë me zë të lartë se Beogradi nuk po vepron me mirëbesim në procesin e Brukselit”
I pyetur se pse ndodh kështu, ai tha se “Beogradi nuk ka qenë kurrë i gatshëm, as tani dhe as nuk do të jetë gati ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur. Në kuadër të procesit të Brukselit, pasi Serbia nuk mund ta shmangë atë, Beogradi nuk dëshiron normalizim thelbësor, por po përpiqet të fitojë leva efektive të ndikimit në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës, për të siguruar mjete për të vazhduar ndikimin e saj malinj dhe destabilizues në politikën e brendshme”
“Ajo që dëshiron fshehurazi Beogradi, ndërsa pretendon në mënyrë patetike të jetë një negociator i drejtë, është një Republika Srpska e re dhe një mekanizëm i ri kontrolli mbi Kosovën” – theksoi njohësi i çështjeve politike.
Serbia, pretendon ai, ka arritur të armatoset aq shumë sa të jetë e paprekshme ndaj NATO-s, më saktë duke marrë sisteme kundërajrore kineze dhe ruse, teksa dhe ka ngritur pragun e tolerancës ndaj kërcënimit të forcës që mund të vinte nga perëndimi si një mjet frenimi dhe presioni.
“Aleanca Perëndimore është e vetëdijshme se Serbia dhe nacionalizmi pan-serb kanë kapacitete, burime, fanatizëm dhe vullnet për të demonstruar forcë dhe për të ndezur një konflikt të armatosur, të vogël apo të madh, në Ballkan, nëse gjykohet se është në interesin e saj apo nëse mendon tani ose kurrë” – tha Susnica, duke shtuar se Rusia, me ndihmën e Serbisë dhe Milorad Dodik mund të ndezë lehtësisht një front të ri në Evropë,
“Ka mundësi që në fund të vitit 2024 dhe në fillim të vitit 2025 të krijohen kushtet për një stuhi të përsosur politike, e cila do të favorizonte shpërthimin e konfliktit në Ballkan” – theksoi Susnica