Connect with us

Kosova

‘Stoltenberg ra në grackën e Zakharovas, shumë i butë ndaj Serbisë’

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka kritikuar Perëndimin se po e ndihmon presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe se në këtë mënyrë po i jep krahë Serbisë të veprojë në mënyrë të dhunshme.

Këto deklarata Haradinaj i bëri kur u pyet për mosvënien e sanksioneve ndaj Serbisë, ndonëse kanë kaluar tre muaj nga agresioni serb në Banjskë të Zveçanit.

Sipas saj, krejt kjo po ndodh pas deklaratave të Ministres së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, se gjoja Perëndimi “po ushqen shqiptarët me serbo-fobi”. Ajo konsideron se është pikërisht Perëndimi që ka rënë në grackën e Zakharova-s.

“Ministrja e Punëve të Jashtme të Rusisë, Zakharova ka thënë se Perëndimi po inkurajon shqiptarët drejt ‘serbo-fobisë’ aggressive. Nga ana tjetër, Perëndimi po punon për t’i provuar Rusisë se ky pretendim nuk qëndron dhe se ata në fakt po punojnë drejt pajtimit me Serbinë. E dëgjuam sekretarin e Përgjithshëm  Stoltenberg se po punon drejt fuqizimit të marrëdhënieve të NATO-s me Serbinë. Ishte tronditëse, sidomos për ne në Kosovë, veçanërisht pas sulmit të 24 shtatorit, kur të gjitha faktet tregojnë se  orkestruese e gjithckaje që ndodhi ishte Serbia. Ishte ajo organizatore dhe ekzekutuese të atij akti agresioni” – deklaroi ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj.

 

Advertisement