Kosova
Lajcak: Vendimet e rëndësishme të merren para zgjedhjeve në BE
Emisari sllovak për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, në forumin BE-Ballkani Perëndimor, ka folur për procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Lajcak ka thënë se ka progres në shumë çështje dhe se janë shumë afër përmbylljes së çështjes së energjisë.
Ai gjithashtu ka thënë se ka progres mes Kosovës dhe Serbisë në hapat se si implementohet Marrëveshja për Normalizim.
Emisari sllovak gjithashtu ka thënë se s’duhet të harrohet kalendari politik, duke përmendur zgjedhjet në Bashkim Evropian. Lajcak u shpreh se është e rëndësishme që të gjitha vendimet e rëndësishme të merren përpara nisjes së fushatës elektorale, të mos ketë vonesa dhe të mos pritet krijimi i Komisionit të ri Evropian që do të dalë pas zgjedhjeve.
“Jam shumë i lumtur që ky moment pozitiv ka ndikim në atmosferën aktuale në procesin e dialogut. Po shohim progres në shumë çështje. Jemi afër për të mbyllur çështje shumë të rëndësishme të energjisë, ka progres për targat, ka progres për zgjedhjet lokale në veri, për personat e zhdukur dhe kemi bërë progres në pajtimin për hapat se si të implementohet marrëveshja për normalizim. Jam në kontakt ditor me palët. Është shumë e rëndësishme që të gjitha vendimet e rëndësishme të bëhen përpara se të hyjmë në fushatë elektorale. Por duhen dy për tango, BE-ja është gati dhe shpresoj që edhe Ballkani Perëndimor të jetë gati” , ka thënë Lajcak.