Connect with us

Aktualitet

Parashikim korriku/ Artan Hoxha: Smart City do t’i japë qeverisë kontroll mbi qytetarët

Gazetari i kronikës Artan Hoxha ka shprehur rezerva të forta për projektin “Smart City”, të promovuar nga qeveria si një sistem që do të rrisë sigurinë dhe do të ndihmojë në luftën kundër krimit.

I ftuar në podkastin “Ma Shqip” me Flamur Vezajn, Hoxha tha se përvoja ndërkombëtare tregon se kamerat nuk e parandalojnë krimin, ndërsa ngriti shqetësime se sistemi mund të shndërrohet në një mekanizëm të kontrollit masiv të qytetarëve.

Smart City si model e kemi parë në Dubai. Ka edhe vende të tjera, si Kana në Francë, ku janë vendosur rreth 60 mijë kamera dhe është një nga qytetet më të mbuluara në botë. Por kjo nuk do të thotë se janë parandaluar ngjarjet kriminale. Ato që kanë për të ndodhur, do të ndodhin. Problemi është se ky model merret nga një vend që nuk është demokratik. Emiratet e Bashkuara nuk janë një shtet demokratik. Aty je i identifikuar në çdo cep të vendit, të ndjekin në çdo lëvizje dhe në çdo takim. Në vendet demokratike kjo nuk lejohet, sepse cenon privatësinë e qytetarëve. Në regjimet autoritare kamerat përdoren për të mbajtur nën kontroll popullsinë“, u shpreh Hoxha.

Gazetari ngriti pikëpyetje edhe mbi teknologjinë që do të përdoret, duke kujtuar se sistemi është zhvilluar nga kompani kineze dhe se Shqipëria do t’i besojë një infrastrukture të huaj të gjitha të dhënat e lëvizjes së qytetarëve.

Ne po i japim softuerin e të gjithë lëvizjes së shqiptarëve brenda territorit dikujt tjetër. Pastaj është edhe kostoja. Flitet për 140 milionë euro për të instaluar një sistem kamerash, ndërkohë që sot në Shqipëri ekzistojnë disa sisteme monitorimi dhe nuk është se mungojnë kamerat“, tha gazetari.

Hoxha theksoi se grupet kriminale shqiptare kanë investuar prej kohësh në teknologji shumë më të avancuar sesa ajo që synon të ndërtojë shteti.

Grupet kriminale i kanë kamerat prej vitesh, sepse ruajnë veten. Mbaj mend operacionin ‘Fijet e Krimit’, kur policia shkonte dhe ua hiqte kamerat, por ato rivendoseshin menjëherë. Sot në Shqipëri ka sisteme survejimi nga më të sofistikuarat. Unë kam parë dhoma operative më të mëdha se salla operative e Policisë së Shtetit, të ngritura nga grupe kriminale që monitorojnë hyrje-daljet në zona të tëra. I kontrollojnë nga telefoni celular. Në momentin që afrohet policia, ata e marrin menjëherë informacionin. Sa më shumë para të kesh, aq më të avancuar e ke sistemin. Dhe sot grupet kriminale shqiptare kanë buxhete më të mëdha se Ministria e Brendshme“, tha ai.

Advertisement