Connect with us

Kosova

Veprimet e Qeverisë në Veri, Kupchan tregon gabimet e rënda

Charles Kupchan, akademik në Këshillin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ka paralajmëruar se ekziston rreziku për përshkallëzim të dhunës me motive etnike në rajon, posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ndërsa ka vlerësuar se veprimet e Qeverisë së Kosovës në Veri nuk po e ndihmojnë vendin në arenën ndërkombëtare.

“Ka qartësisht një rrezik për dhunë dhe është e dukshme nga fakti se kemi parë shpërthime dhune së fundmi në Veri të Kosovës dhe në Banjskë. Situata në Kosovë nuk është përmirësuar që kur vendi shpalli pavarësinë dhe në fakt kemi parë regres së fundmi, për shkak të disa veprimeve të Qeverisë në Prishtinë, si ndryshimi i targave, kartave të identitetit, vendosja e kryetarëve në komunat Veriore, pavarësisht se ata u zgjodhën nga një përqindje shumë e ulët e popullatës” –  ka thënë Kupchan

Veprimet e Qeverisë së Kosovës në Veri, sipas ekspertit amerikan, konsiderohen “provokuese nga serbët dhe Beogradi” dhe për pasojë, shtoi ai, “propozimi shumë konstruktiv nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ka ngecur”.

“Kemi dëgjuar raportime për mobilizim të ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, NATO flet për shtim të përhershëm të KFOR. Mund të dalim në përfundimin se rastet e izoluara të dhunës mund të përshkallëzohen”- vlerësoi Kupchan.

I pyetur nëse veprimet e kryeministrit Albin Kurti, janë të drejta në Veri, ai ka theksuar se përtej justifikimit ligjor dhe moral, kreu i ekzekutivit kosovar nuk po vepron në mënyrë të mençur në aspektin politik.

“Nuk ka dyshim se Prishtina ka të drejtën ligjore dhe morale ta dojë territorin që është pjesë e Kosovës sovrane dhe të pavarur, dhe t’ia bashkojë qeverisë qendrore, t’i integrojë ata në një shoqëri më të gjerë multi-etnike. Nëse hapat e ndërmarra nga Kurti janë produktive ose jo, ky është tjetër debat. Mendoj se Qeveria aktuale ka ndërmarrë disa hapa që e kanë dëmtuar pozitën e Kosovës në syrin e opinionit publik ndërkombëtar. Në kohën e ndërhyrjes së NATO-s që çoi në ndarjen e Kosovës nga Serbia, opinioni publik ishte në krahun e Kosovës dhe Serbia, Vuçiç dhe ata që vinin para tij shiheshin si problemi. Mirëpo, tani kemi një situatë ku SHBA dhe BE e shohin Prishtinën si problem”, pasi që qeveria e Kurtit po ndërmerr veprime që nuk e ndihmojnë vendin kur bëhet fjalë për të përparuar drejt marrëveshjes që BE ka vënë në tryezë” – ka theksuar eksperti amerikan, duke shtuar – “Edhe nëse ajo që Kurti po bën është e justifikuar ligjërisht dhe moralisht, nuk është politikisht e mençur”.

Advertisement