Shkrime
Mos e arrestoni Sali Berishën, më keq të ketë shef Gazin
Nga Martin Leka
Të Hënen u mblodh Këshilli i Imuniteteve dhe Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, i cili kërkon lejen e Kuvendit të Shqipërisë për arrestimin e deputetit Sali Berisha. Kjo kërkesë vjen pas refuzimeve të vazhdueshme të deputetit për tu paraqitur para prokurorëve e gjykatësve të kësaj strukture të drejtësisë, të miratuar nga të 140 deputetët e Kuvendit, përfshirë edhe vetë Berishën. Madje edhe këtë të Hënë, Berisha e sfidoi drejtësinë e re, me këmbënguljen dhe kokëfortësinë që vetëm atij i shkon.
Ky Komision, ashtu siç edhe pritej, dha pëlqimin e tij për heqjen e imunitetit të zotit Berisha. Me gjasë, ajo që për shumë kënd ishte e pabesueshme dhe jashtë parashikimeve, po ndodh. Sali Berisha, i konsideruar i paprekshëm nga shumëkush, dhe nga vetë ai i bindur që zgjatjen e dorës do ta kishte vetëm ta puthnin të tjerët, këtë herë do ta shtrijë për tjetër gjë para togave blu të policisë. Do të jetë pa imunitet dhe ndaj tij do të vendoset masa e arrestit. Pak rëndësi ka nëse kjo masë është në shtëpi a burg.
Nga pikëpamja humane, kjo e fundit, arresti me burg, nuk do të ishte komode për një 80 vjecar, i cili, duam s’duam, ka lënë gjurmë në historinë 33 vjecare të pluralizmit politik. Anipse edhe gjurmët që ka lënë kanë vraga që përmbajnë edhe dhimbje, edhe gjak. Viti i mbrapshtë ’97 me viktima të shumta, shpërthimi i Gërdecit dhe vrasja e cilësuar shtetërore e katër protestuesve të pafajshëm në bulevard para zyrës se ish-kryeministrit, janë kujtesa e paharrueshme për këdo.
Vetë Berisha kishte shansin, ndoshta shumë vite më parë, ta “arkivonte” emrin dhe trashëgiminë e tij politike, e bashkë me të, të “amnistonte” shumë nga punët e tij të bëra keq. Duke e lënë historinë të qetë të shkruante për të. Për të mirat dhe të ligat. Për rrugët dhe gropat. Ndërtimet dhe shkatërrimet. E bëri një hap 13 vjet më parë, të pakten formalisht. Por duket se subkoshienca e tij nuk e pranoi asnjëherë tërheqjen nga politika. Atij i mungonte protagonizmi i liderit. Atij i mungonin turmat, para të cilave ai ndihet vetë Zoti mbi qiell. Egoja e tij nuk e pranon dot dyshin. Vetëm njëshin. Fiks si ajo thënia e moçme: më mirë i pari i fshatit se i dyti i qytetit.
Këtë frakturë të Partisë Demokratike, për fat të keq, e ka shkaktuar vetë Doktori, sot pacient. Nuk besoj të jetë e pa ditur që demokratët më tej u ndanë në tre grupime. I pari është zyrtari, që drejtohet nga Lulzim Basha. I dyti është Rithemelimi që drejtohet nga Sali Berisha. I treti që duket mobil apo si lavjerrës dhe kryesohet nga Gaz Bardhi, i cili për nga frekuenca e qëndrimeve, herë bëhet gazmend e herë bëhet gazmor a gaztor.
A do ti interesonte Edi Ramës arrestimi i kundërshtarit politik? A ka mundësi e fuqi Edi Rama të kontrollojë SPAK, në rastin Sali Berisha? Fundja, ku i duhet Berisha? Në burg apo jashtë tij? Të gjitha këto pyetje kanë një përgjigje analitike.
E para. Politikisht, Edi Ramës më pak se kujtdo i intereson arrestimi i kundërshtarit politik. Precedenti është i njohur: arrrestimi 30 vjet më parë i liderit të opozitës së kohës Fatos Nano e fuqizoi opozitën sa më shumë ai kalonte ditënetët e qelisë.
E dyta. Nëse ai kontrollon SPAK, prokurorët nuk do ta shtrëngonin më tej masën e parë ndaj Berishës. E vetmja mundësi hipotetike (dhe e pamundur në këto kushte) do të ishte votimi kundër heqjes së imunitetit të Enjten në Parlament.
E treta dhe e fundit. Nëse militantëve u duhet në burg, Edi Ramës, Berisha i duhet jashtë tij.
Sali Berisha mund të mbetej kalorës në politikë, në fillim të dekadës së parë apo në fund të dekadës së dytë të viteve ‘90. Ta nderonin. Zgjodhi të marrë rolin e “Sanços” e të mbledhe rreth vetes anonimë e pa konstruktin e duhur politik.
Për Berishën, më keq se arresti është të ketë shef Gaz Bardhin.