Bota
Fruthi në Evropë, OBSH bën thirrje për vaksinime urgjente ndërsa rastet rriten ndjeshëm
Ka pasur 30 herë më shumë raste të fruthit në 10 muajt e parë të 2023 krahasuar me një vit më parë, paralajmëroi të martën zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Evropë, teksa u kërkoi vendeve të zbatojnë fushata urgjente të vaksinimit.
Organizata shëndetësore e Kombeve të Bashkuara tha se rënia e niveleve të vaksinimit është fajtore për ringjalljen e virusit jashtëzakonisht infektiv që shkakton ethe, kollë dhe në raste të rralla pneumoni, inflamacion të trurit dhe vdekje.
Rajoni i Evropës i OBSH-së regjistroi më shumë se 30,000 raste të fruthit midis janarit dhe tetorit 2023. Kjo krahasuar me 941 raste në të gjithë vitin 2022. Rastet janë bërë më të shpeshta muajt e fundit dhe rritja pritet të vazhdojë nëse nuk merren masa të menjëhershme, tha OBSH.
“Duhen përpjekje urgjente vaksinimi për të ndaluar transmetimin dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme. Është jetike që të gjitha vendet të jenë të përgatitura për të zbuluar me shpejtësi dhe për t’iu përgjigjur në kohë shpërthimeve të fruthit, të cilat mund të rrezikojnë përparimin drejt eliminimit të fruthit,” tha drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, shkruan Politico.
Sipas OBSH-së, pandemia Covid-19 ndërhyri në imunizimin rutinë të fëmijëve në vitet midis 2020 dhe 2022. Ajo vlerëson se më shumë se 1.8 milionë foshnja nuk ishin vaksinuar kundër fruthit në këtë periudhë. OBSH tha se rastet janë regjistruar në vendet ku fruthi është hequr zyrtarisht si sëmundje endemike.
Javën e kaluar, Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) deklaroi një incident kombëtar për një rritje të rasteve të fruthit në të gjithë vendin. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i vendit nisi të hënën një fushatë të madhe vaksinimi.