Connect with us

Aktualitet

Përfundoi ciklin e parë të Programit për Ekselencën e Grave në Këshillat Bashkiakë

Shtatëmbëdhjetë gra këshilltare nga mbarë vendi përfunduan me sukses modulin e tretë dhe të fundit dyditor të Programit për Ekselencën e Grave në Këshillat Bashkiakë të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, i cili u mbajt në date 6 dhe 7 nëntor 2020, me praninë e personave dhe në përputhje strikte me rregullat dhe protokollet e sigurisë shëndetësore për parandalimin e COVID-19. Moduli kishte për synim ndërthurjen e rritjes së aftësive dhe zhvillimit vendor me barazinë gjinore. Programi shkrinte në një këshillat lidhur me problemet e punës së përditshme me trajnimet e drejtpërdrejta. Ky ishte moduli i tretë i programit pas dy të mëparshmëve të mbajtur në Dhjetor 2019 dhe Tetor 2020.

Programi i ndihmoi gratë këshilltare që të identifikonin sfidat dhe pengesat në punën e tyre të përditshme, vendosnin objektiva vetjakë dhe përmirësonin performancën e tyre në këshillat bashkiakë. Pjesëmarrësit mësuan se si të bënin lidhje strategjike mes politikave gjinore dhe buxheteve bashkiake si një burim kryesor për financimin e nismave me ndikim të drejtpërdrejtë në nevojat e ndryshme të burrave dhe grave në nivel vendor.

 

Këshilltaret mësuan se si të hartonin projekte individuale për t’i paraqitur më pas ato përpara këshillave bashkiakë, në sajë të një ushtrimi praktik gjatë trajnimit i cili e plotësoi teorinë me propozime që mund të përdoren në punën e tyre të përditshme.

“Programi më ndihmoi që të njihesha me dinamikat e zhvillimit vendor. Më ndihmoi gjithashtu që të vendosja ura lidhëse mes planifikimit afatgjatë dhe angazhimit të përditshëm në këshillin bashkiak”, tha Edlira Kapllanaj nga Këshilli Bashkiak Vlorë. Duke përdorur aftësitë e fituara gjatë modulit, Kapllanaj ka filluar një projekt me synim luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke vendosur kontakte me administratën bashkiake dhe duke e reklamuar rëndësinë e nismës së saj me kryetarin e këshillit dhe këshilltarët e tjerë.

 

Propozimet individuale të këshilltareve përpiqen që të trajtojnë aspekte të rëndësishme të zhvillimit bashkiak, të cilat shkojnë nga monitorimi i veprimtarive të ndihmës dhe rindërtimit pas tërmetit në Durrës në themelimin e skemave të kredive sociale për gratë në nevojë të Selenicës. Po ashtu, gjenden mes tyre edhe projekte në mbështetje të nismave për transparencë, programe kundër bullizmit dhe për edukimin mjedisor në Tiranë, si dhe nisma për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e një kopshti të ri në Cërrik.

 

Gjatë javëve të fundit, gratë pjesëmarrëse u angazhuan në hartimin e projekteve dhe nismave të tyre për t’i paraqitur ato në Këshillat Bashkiakë me synim sigurimin e financimeve për realizimin e tyre me anë të projekt buxhetin e vitit 2021.

 

Pas suksesit të ciklit të parë të Programit për Ekselencën e Grave në Këshillat Bashkiakë, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të botojë thirrjen për aplikime për brezin e dytë të këtij Programi, gjë që pritet të ndodhë në mesin e muajit nëntor duke synuar përzgjedhjen e 25 këshilltareve bashkiake të motivuara, krijuese dhe proaktive nga mbarë vendi.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *