Connect with us

OPINION

Analiza/ Artur Zheji: Ja pse bomba- Himara, nuk plasi!

Nga Artur Zheji

Duket se pati shumë përpjekje për të destabilizuar Shqipërinë dhe për ta kthyer Himarën në një bombë shpërthyese.
U përdorën të gjitha mjetet e mbidheshme dhe të nëndheshme.

U zgjuan dhe u bënë aktive të gjitha agjenturat e “fjetura”, në Politikë, në Ekonomi dhe në Media, porse themelet nuk çeduan. Shumica shqiptare dhe pakicat që “ndjehen” greke dhe financohen përmes pensioneve si të tilla, e refuzuan në shumicën e tyre këtë skenar.

Institucionet me gjithë difektet e tyre të stërmëdha, rrezistuan dhe shqiptarët, në shumicë: ndërmjet “zarfit” dhe Dinjitetit, zgjodhën dinjitetin.

Kryeministri Mitsotaqis, falë shkollimit të rafinuar dhe falë lidhjeve familjare arvanitase, duket se e ndaloi makinerinë radikale antishqiptare, ndonëse, në varësi të algoritmit të tij të brendshëm politik: “asnjëhrë, nuk duhet të themi asnjëherë”(never say never!)

Shqipëria politike dhe Shqipëria turistike, kaloi një sprovë të vështirë, por duke llogaritur ku jemi sot, të përballueshme.
SPAK-u dhe mbështetja popullore që kjo strukturë ka fituar, rrëfeu muskujt e vet me ADN anglo-saksone dhe po vendos rregulla të reja loje: Kombëtare dhe ndërkombëtare!

Arrestimi i Gjergji Goros, vendosi një qëndrim simetrik ndaj Ligjit dhe ndaj Politikës, si edhe kontrabandohet nga tezat e radikalëve vendas apo helenë. Të mendosh që gjithë ky tension i padëgjuar që u përplas mbi Shqipërinë institucionale dhe opinionin publik arbëror: nuk shkaktoi asnjë incident vulgar me bazë urrejtjen shqiptaro-greke!
Sepse fare thjesht: një urrejtje Shqiptaro-Greke, nuk ekziston! Kush thotë ndryshe, është i paguar që të ndezë një luftë dhe një zjarr artificial, që nuk ka fitimtarë, por vetëm të humbur!

Sepse shqiptarët dhe grekët e dinë mirë që janë ata, dhe vetëm ata, shqiptarët dhe grekët, popujt autoktonë, më të vjetër të Ballkanit dhe pse jo, edhe dy popujt më të vjetër të Europës, së këtyre 3.000 viteve të fundit!
Se çfarë do të ndodhë më pas, askush nuk e di, por deri tash: bombat nacionaliste nuk plasën!
Ky është fakt.

Sepse shqiptarët dhe grekët, me përjashtim të ca mercenarëve në politikë dhe mediatikë, këto bomba i lanë të plasin të vetmuara në laboratorët që i krijuan, duke shkaktuar veçse autogol politik.

OPINION

20 fakte nga Spahiu: A ka Shqipëria familje mafioze apo banda kriminale?

Nga Kreshnik Spahiu

Ja çfarë kuptuam nga përgjimet. Ku ndryshon krimi organizuar shqiptar nga mafia italiane apo mafia ndërkombëtare?

Padyshim që mafia egziston kudo edhe në Shqipëri, por përgjimet e fundit të 7 bandave kryesore në Shqipëri zbuluan qartazi dobësitë e tyre dhe provuan se ato janë shumë poshtë dhe larg një organizimi 100% mafioz.

Qytetarët e thjeshtë në zhargonin ditor, për çdo bandë pëdorin termin “Mafia”, por në thelb ka disa ndryshime esenciale si koncept juridik. 7 bandat shqiptare të arrestuara apo shpallura në kërkim nga SPAK, qartazi janë të dhunshme dhe i përkasin krimit të organizuar por ato nuk mund të quhen kurrësesi “Familje mafioze” për këto arsye:

– Ato nuk kanë një organizim strukturor të centralizuar në formë piramidale me detyra dhe funksione të ndara. Ato nuk kanë as Kanun, as Kod, as “parime” mbi të cilat verpojnë.

– Ato nuk kanë rrugulla dhe norma sesi të organizohen në kohë dhe hapësirë, si të komunikojnë, funksionojnë, antarësohen, punojnë dhe ndajne fitimet apo aksionet e tyre. Ndrageta ndau në vitin 2022 për 1000 antarët e saj jashtë italisë 2.3 milon euro fitim vjetor.

– 7 bandat shqiptare nuk kanë si Mafia e huaj ekskluzivitete në ekonomine shqiptare ashtu sic ndodh ne Itali, Rusi, Meksike etj ku mafia kontrollon sektore monopol në transport, buqesi, industri, eksport. Ne disa raste ato quhen “Agromafia”, “Ekomafia”, Telemafia”, “Mafiabank”. I vetmi ekskluzivitet ishin lojrat e fatit për Ervis Martinajn nga qeveria demokratve por që nga 2014 u shkri si aktivitet. Bandat shqiptare kanë biznese por nuk kanë monopol të një sektori të ekonomisë së vendit.

– 7 bandat shqiptare nuk janë pronare apo aksionere as në banka, as nuk kanë kontroll në dhënien e fajdeve në qytete të caktuara. Atje ku ekziston mafia, shumica e qytetit jetojnë me para me fajde vetëm nga një famije.

– 7 bandat nuk kanë asnje kontrroll ekskluziv në një qytet të caktuar persa i përket “haraçit” qe paguajne bizneset më shume se taksa shtetit. Në disa qytete italiane 200.000 biznese paguajne “gjoben” e mbrojtjes mafies. 150.000 biznese nuk jane mbyllur nga zyra e taksave por nga mos pagesat mafies.

– 7 bandat shqiptare janë totalisht banale dhe amatore në mënyrën si funksionojnë. Kapot e tyre jo vetëm nuk janë diskretë dhe të fshehtë por sillen sikur janë play-boy filmash erotik duke dhe banal gjuajtur femrat e bukura ne instagram. Ata kanë me shumë dashnore sesa ushtarë apo staf te organizuar dhe strukturuar. Gjysma e tyre kanë rënë në kurthe nga të dashurat e tyre. Kapot e mafieve të huaja kanë familje të mëdha dhe shumë autoritet familjar duke bashkjetuar apo funksionuar në mënyrë patriarkale.

– 7 bandat shqiptare nuk kane qëndrueshmërinë e Familjeve mafioze që 100 vjet trashegohen dhe kanë lidhje gjaku apo lidhje “parimesh”. 7 bandat shqiptare çdo 7 dite ndryshonin aleancat dhe ja fusnin njeri-tjetrit. 7 kapot e bandave shqiptare jane banal, te pabese, injorante, mashtrues, llafazan, thashethemaxhi, halabakë, totalisht provincial dhe kanë dhunën primare jo influencen në shtet dhe popull.

– 7 bandat shqiptare jane të urryera në zonat e tyre dhe jo të pëlqyera apo solidare si Mafia. 7 bandat shqiptare nuk e mbrojnë komunitetin ku veprojnë por e dhunojnë. Mafia italiane apo ajo kolumbiane janë të dashura nga komuniteti sepse ndihmohen apo mbrohen shpesh prej saj.

– Dallimi mes bandave shqiptare dhe bandave italiane është që “halabakët” shqiptarë janë të fortit që ecin me xhama të zinj dhe makina të blinduara, ndersa kapot e mafias italiane ecin ne këmbë apo biçikletë duke i pershendetur gjithë qyteti, por duke mos i treguar askush nga banorët policisë se kush është ai “plaku me kollare” që po ha akullore në qendër të qytetit.

– 7 kryebanditët shqiptarë bënin lekë për tu dukur me veshje firmato dhe pushime në Ibiza. Familjet mafioze në botë bëjnë para që të mos duken dhe mos bien në sy.

– 7 bandat shqiptare ranë në rrjetën e policisë sepse të 7 shefat si amatore komunikonin drejtpërdrejt me njëri tjetrin dhe nuk përdornin filtra apo korrierë. Familjet mafioze nuk ka asnjë shanc që “krye-familjaret” të komunikojnë me telefona dhe pa kode.

– 7 kryebanditet shqiptarë janë komplet amator në krimet e tyre. Ata urdherojnë vetë, financojnë vetë, organizojnë vetë, ekzekutojnë vetë. Mjafton kaq për të kuptuar sa larg organizimeve mafioze ata janë. Në botë ka me dhjetra organizata mafioze, drejtuesit e të cilave kanë urdhëruar me qindra vrasje por personalisht nuk kanë prekur pistoletë me dorë.

– 7 bandat shqiptare nuk kanë si mafia nderkombetare një sistem paralel fiskal apo bankar. Ato vazhdojnë të mbajnë paratë nëpër fuçi djathi apo gropa në bahçen e shtëpisë.

– 7 bandat shqiptare ndryshe nga mafia nderkombëtare nuk kryejnë atentate politike apo shtetrore. Nga përgjimet nuk rezulton asnjë aksion dhune apo vrasje për kundershtar politik.

– 7 bandat shqiptare nuk kanë një listë pagesash masive ne shtet ashtu sic kishte Al Capone apo cdo mafie tjetër qe paguajnë mbi 300 pokitikane, gjyqtare, prokurore, police, doganiere me page fikse cdo muaj. Pagesat qe bejne bandat shqiotare kur kane halle nuk quhen finacim i organizuar mafioz. Magesat mujore janë element organizimi dhe jo rryshfeti spontan.

– E fundit 7 bandat shqiotare nuk kanë një sistem organizimi formal si çdo mafie italiane me hierakinë e urdhërave, vendimeve dhe kopetencave: 1- Shefi, 2- Këshilltari, 3- Zv/shefi, 4- Kapitenët, 5- Ushtarët/ekzekutorët. 6- Financieri, 7-Aksionerët. 8-Antarët.

– 7 bandat banale shqiptare nuk kanë arritur dot të krijojnë “legjislacionin” e tyre që të ishte i detyrueshëm në qytete të vaktuara ku ata të ofronin si mafia italiane mbrojtje ekstra ligjore për komunitetin.

Të gjitha këto fakte janë relativisht të debatueshme por kryesisht provojnë se krimi organizuar në Shqipëri është i dhunshëm, është brutal, është famëkeq, është i rrezikshëm, është i fortë, është vrastar por në thelb është larg një strukturimi mafioz klasik. Ky është një lajm i mirë sepse me këputjen e disa kokave, bandat e tyre shpërbëhen dhe çmontohen. Ato nuk trashegohen në drejtim, dhe struktura e tyre nuk mund te vazhdoj funksionimin. Ato lindin dhe shuhen ose copëzohen me vrasjen e kryetarit. E njejta histori ndodhi me bandën e parë të Gaz Muçës, e cila u shkri me vrasjen e tij, dhe njesoj vazhdon me “Naim Zyberi”, “Haklat”, “Zani Çaush” apo deri në ditët e sotme “Ervis Martinaj”… Me zhdukjen e tyre, zhduken dhe bandat. E kundërta do ndodhte nëse do kishin krijuar disa familje mafioze. Tek mafia vdes kryetari por vazhdon trashëgimtari dhe ushtria e tij si shtet paralel me gjithë financat dhe asetet e trashëguara…….

Continue Reading

OPINION

“SPAK-u, sëpata që pret nga dy tehet”/ Analisti: Goditjet mbi emisarët e krimit të organizuar

SPAK-u, sëpata që pret nga dy tehet – Nga Lorenc Vangjeli

SPAK-u është shndërruar në një sëpatë me dy tehe. Vret e pret në viset e politikës, administratës së lartë e pushtetit lokal dhe pret e vret edhe në trojet e helmuara në krimit të organizuar. Në pamje të parë duket se nami e batërdia po ndodh me tehun dhe shënjestrën e parë, por në Tiranë dukja gënjen gjithmonë. Goditjet mbi emisarët e krimit të organizuar, përtej çdo gjëje tjetër, janë sinjali i një strategjie të dukshme, për suksesin e të cilës është ende herët të flitet, por pasojat e saj direkte, janë një ogur i mbarë për shëndetin e politikëbërjes së nesërme: Po spastrohet fusha elektorale nga ndikimi i segmenteve të krimit në zgjedhje.

Një listë e pafundme me emra nën hetim, një pjesë në arrest, të tjerë në arrati dhe pothuaj të gjithë nën peshën e frikës, tanimë e ka humbur Eldoradon e tyre shqiptare dhe po humbet vlerën e saj si ofertë për ndikim në politikë. Pjesë të legjendës urbane të krijuar rreth tyre si rezervuarë të pasosur votash, të njohur për bëmat dhe gjëmat nga publiku, bejlerë arrogantë në çifligjet e tyre lokale, “bankierë” dhe sponsorizues të listave të pabesueshme me njerëz publikë në Tiranë, ata kanë kohë që janë dëshmuar si një pol jashtëzakonisht i rëndësishëm në shoqëri. Të pasur përtej përfytyrimit, herë diktues dhe kontrollues të trafikut të drogës, herë fajdexhinj që kreditojnë hallexhinj apo dhe biznesmenë që fitojnë tendera me kobure, miq që shkëmbejnë favore me njëri-tjetrin dhe armiq që shpërndajnë plumba e tritol ndaj njëri-tjetrit, ata tashmë kanë radhën të provojnë në lëkurë fatin e kthyer kundër tyre. Të egër dhe të pamëshirshëm, me një tentativë konstante për të hyrë në biznesin “normal” e për t’u shndërruar në biznesmenë në Shqipëri, shpesh pothuaj krejt analfabetë, ndryshe nga “kolegët” e tyre në Perëndim që përgjithësisht zgjedhin hijen në publik, ata kanë rrëmbyer vëmendjen provinciale të Tiranës duke demonstruar e duke u lëvduar me pasurinë gjigante apo të dashurat e famshme, makinat apo udhëtimet, ndikimin në politikë, në ekonomi apo në drejtësi. Për të arritur në ditën kur veç e veç e të gjithë bashkë, do të nisin të vërtetojnë për veten një aksiomë ndërkombëtare: Asnjë bandit nuk bëhet dot gjysh! Asnjë bandit nuk arrin moshën e pensionit! Përdorues dhe të përdorur nga segmente të politikës, në mos lufta brenda llojit, goditja e ligjit, po bën që jeta e tyre e shkëlqyeshme, mes luksit dhe vanitetit qesharak që kanë zgjedhur të bëjnë, të shuhet shpejt.

Falë dekriptimit të komunikimeve të tyre të dikurshme, gjithë jetëshkrimi i tyre është tashmë një “ditar” i lexuar nga shumëkush dhe jo vetëm në shqip. Në këtë lloj ditari të zi gjen konfliktet dhe miqësitë mes tyre, vrasjet dhe vëllazëritë, punët e kryera dhe aleancat me personazhe të rëndësishëm të politikës, por dhe policisë, provat e korruptimit të dhe bashkëjetesës hibride me shtresa të ndryshme të shoqërisë. Pronarët më të mëdhenj realë të Real Estate-s në Shqipëri dhe gjetkë, zotërues apartamentesh, vilash e trojesh të pafundme, ata janë gjithashtu posedues të një sasie të frikshme cash-i, i pamundur për t’u llogaritur, por përtej masës që mund të lëkundë edhe ekuilibrin makroekonomik të vendit. Deri më sot, në bashkëjetesën kriminale të tyre me segmente të politikës, të sistemit gjyqësor, të policisë dhe më gjerë, ata kanë qenë çakalli që ka bërë kërdinë kur vëmendja e publikut ulërinte për ujqërit e foltoreve politike.

Të pafuqishëm për të ndaluar, kontrolluar dhe devijuar goditjen dy tehëshe, segmente të politikës në veçanti dhe krimi në përgjithësi, tani po ballafaqohen me goditjen seriale për të spastruar fushën elektorale për zgjedhjet e ardhshme nga ndikime kriminale.

Eshtë urgjencë kombëtare dhe çështje e sigurisë kombëtare që të shprishet përfundimisht simbioza e frikshme mes politikës dhe krimit. Kush duhet të ikë në fillim në këtë marrëdhënie si ajo mes pulës dhe vezës, në dilemën kush shpiku kë? Me të gjitha gjasat, në politikën që e votojnë shqiptarët, por nuk e zgjedhin, nuk janë më shumë se një duzinë me njerëz politikë që kanë realisht peshë publike. Të tjerët peshojnë më pak se një qime mjekre dhe shtrydhen më lehtë se një puçër shpine. Në botën e krimit është ndryshe. Ata janë shumë më shumë dhe shumë më të vështirë për t’u goditur. Duke nisur me ta, duke sekuestruar paratë dhe rezidencat e krimit, simbioza krim-politikë që i merr frymën vendit, mund të mbetet pa frymë.

Përtej dyshimeve se çdo të ndodhë nesër, kohët kanë ndryshuar. Kush nuk e kupton, ka kohë ta kuptojë edhe më pas, qoftë në rolin e spektatorit skeptik të llojit: “Ky vend nuk bëhet!”, qoftë në rolin e protagonistit që duhet të përgatisë triko të bollshme leshi për dimrin që këtë vit po vjen shumë më herët në Shqipëri. Aty ku Real Estate i burgjeve, po mbushet me viktima të sëpatës me dy tehe.

Continue Reading

OPINION

Fitorja shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Nga Arber Cejku

Pas disa orësh Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të konfirmojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, që u zhvilluan dje, por duket që nuk do të ketë surpriza nga ato të dhëna që janë publikuar deri tani. Mozaiku i forcave politike tashmë shihet i qartë dhe lirisht prej sot mund të nisë një analizë gjithpërfshirëse për gjithë procesin, para se të formatohet qeveria e re.
Fillimisht mund të themi se Maqedonia e Veriut, kaloi një test të suksesshëm të demokracisë elektorale. Në këtë arritje pozitive, një rol domethënës luajti faktori politik shqiptar, i organizuar në dy blloqe koalicioni para-elektoral, siç ishin “Fronti Europian”, i dominuar nga BDI dhe “VLEN”, të cilat zhvilluan nje fushatë zgjedhore intensive dhe europianiste dhe qytetare, pavaresisht disa retorikave apo emocioneve politike të pranueshme.
Edhe dy kandidatët për president nga këto subjekte, z. Bujar Osmani i “FE” dhe z. Arben Taravari nga VLEN, me llojin e garës që bënë dhe me gjuhën që përdorën, u dëshmuan si vlerë e shtuar e kontributit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut!
Për fat të keq, edhe këtë herë Maqedonia e Veriut tregoi se votimet presidenciale apo parlamentare, i dikton vota etnike, e cila e dominon pluralizmin politik dhe nuk ndihmon në harmonizimin e alternativave dhe programeve, por udhëhiqet nga flamujt e etno-politikës…
Pavarësisht se analizën më të mirë për këto zgjedhje do ta bëjnë aktorët dhe faktorët, që morën pjesë në këtë proces dhe ekspertët e politikës, unë përfitoj nga rasti, që të bëj një ftesë publike sipas së cilës, rezultatet zgjedhore në RMV t’i shohim nga një këndvështrim pozitiv dhe t’i lexojmë ato si një fitore shqiptare! Kjo fitore specifikohet më tej nga numrat e dy grupimeve dhe në qasjen që do të kenë në raport me qeverinë e re.
Kjo fitore konsiderohet e tillë, nisur nga sprova që kaloi përgjegjësi kryesor i këtyre zgjedhjeve – Kryeministri Talat Xhaferri, si kryeministri i parë shqiptar në RMV dhe pavarësisht se ishte në krye të ekzekutivit, u përpoq të ruaj ekuilibra dhe të mos nxisë tensione.
Së dyti, dy kandidatët shqiptar për president (që në fakt duhet të kishte unifikim tek një figurë) nuk humbën për shkak të vlerave të tyre individuale, por u penalizuan nga ndarja etnike e votës dhe secili prej tyre do të ishte një president më i mirë se ajo që fitoi nga kampi opozitar maqedonas. Ata ishin fituesit moral të kësaj gare!
Drejtuesit politik të subjekteve elektorale, sidomos kreu i BDI-së, z. Ali Ahmeti, udhëhoqi me mençuri dhe urtësi një konglomerat grupimesh partiake dhe etnike, në kuadër të koalicionit “FE”, duke siguruar një fitore politike shumë të rëndësishme. Fronti Europian (FE) është grupimi i dytë parlamentar pas mazhorancës së VMRO-DPMNE dhe, pavarësisht zhvillimeve në vijim, ai dëshmoi një lidership me përvojë dhe do të mbetet edhe më tutje faktor kyç për zhvillimet politike në RMV si garanci e orientimit euro-atlantik dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit (2001).
Po ashtu, drejtuesit e subjekte politike, në kuadër të VLEN, nga kushtet e vështira të opozitës, arritën një fitore historike, të cilën duhet ta ruajnë dhe ta përdorin për të mirën e shqiptarëve dhe të vendit ku jetojnë!
Edhe pse ata patën një udhëheqësi të vështirë kolektive dhe në mungesë të një lideri drejtues, siç FE e kishte zotin Ahmeti, përsëri arritën të zhvillojnë një fushatë elektorale dinjitoze dhe disavantazhin e mungesës së një lideri të fortë në grup, e kthyen në avantazhin e policentrizmit elektoral duke qenë aktiv në disa vende njëherësh duke konsideruar se secili lider subjekti anëtar i VLEN është i barabartë mes të barabartëve! Uroj që ky unitet dhe përgjegjshmëri politike të ruhet edhe në procesin e paralajmëruar të negociatave me Mickocskin. Natyrisht, nuk mohohet as ndikimi dhe mbështetja e dhënë nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili u shfaq shpesh si udhëheqës politik me korrespondencë i VLEN dhe ndoshta ai do të udhëzojë këtë subjekt edhe më tutje në proceset që janë para.
E lexuar nga këndvështrimi i numrave si shifër elektorale on block, vota e FE + VLEN shkon në 32 vende, në parlamentin me 120 anëtarë, duke dëshmuar një fuqi të madhe politike, që ka në dorë shumë më tepër se bashkqeverisjen me Mickovskin. Në çdo rast, ky numër është një lloj garancie për ta mbajtur Maqedoninë e Veriut në drejtimin euro-atlantik dhe larg retorikës nacionaliste, që u përdor në fushatën elektorale!
Nisur nga kjo platformë e leximit pozitiv të rezultateve zgjedhore, ftoj të gjithë politikanët shqiptarë, sidomos ato që kanë përgjegjësinë e lidershipit të subjekteve të caktuara, t’u bëjnë një ftesë të hapur strukturave dhe mbështetësve të tyre, që prej sot të bëhet një analizë me gjakftohtësi dhe në themel të sjelljes me kundërshtarët politik, të dominojë kultura qytetare, tradita shqiptare e pajtimit e bashkëpunimit – larg hakmarrjes dhe revanshizmit si dhe principet demokratike!
Sjelljet dhe retorikat agresive, kërcënimet, fyerjet, gjuha acaruese dhe përçarëse, nga kushdo që do përdoret, vetëm sa do ta gërryente këtë fitore, e cila është aty në parlamentin e ri të MV për t’u pëdorur për të mirën e qytetarëve dhe jo për interesa të vogla partiake e personale!
Këto nuk janë zgjedhjet e para dhe as të fundit në MV dhe humbja e thellë e LSDM-së, është pasqyra ku duhet të shohin të gjithë fundin që i pret, nëse abuzojnë me besimin e qytetarëve!
Gjithmonë ka kohë për të fituar, ashtu siç humbja nuk është fundi i botës! Përkundrazi, në momentin e daljes në opozitë, fillon beteja për t’u rikthyer në pushtet, ashtu si kundër në momentin që zë vend në qeveri, populli nis e mban shënim gabimet apo mashtrimet!
Ky sukses zgjedhor, kryesisht në kampin elektoral shqiptar në RMV, mendoj se duhet të shërbejë si platformë dialogu të brendshëm politik, në emër të interesave të qytetarëve dhe të shtetit!
Shfrytëzoj rastin t’u uroj suksese gjithë deputetëve të Frontit Europian dhe të VLEN-it, që sot me 9 Maj, në ditën historike të Europës së Bashkuar, të frymëzohen dhe udhëhiqen nga modeli i bashkëpunimit, dialogut dhe përfaqësimit më të mirë te atyre që i votuan! A. Ç
Continue Reading

OPINION

‘Kryeministri i shikon vartësit si minj’/ Reagim i fortë nga Endi Tafani

Nga Endri Tafani
Përmbledhja e konferencës së shtypit të Kryeministrit sot.
1. Kryeministri i shikon vartësit si minj dhe qeveria dhe administrata është thjesht një grumbull minjsh. Dikush duhet ti tregoje Kryeministrit që minjtë nuk rrinë në vende të pastra se ngordhin për bukë.
2. Kryeministri e ndjen veten në rrethim në një kështjellë dhe dikush po tenton t’i helmojë ujin. Është kuriozitet normal të zbulohet kush do jete kali i bardhë që do gjeje ujësjellësin, sipas romanit të Kadaresë, por krahasimi i qeverisë me një kështjellë, fortifikata, ushtarë, agjent, armiq luftë tregon shumë për mentalitetin e Kryeministrit përtej pallavrave bajate për bashkëqeverisje, podcaste trendy etj.
3. Kryeministri i ekzekutivit nuk mburret dot me rezultatet e ekzekutivit, por mburret me rezultatet e gjyqësorit. Mund të ishte mburrur dhe me rezultatet e Interit në kampionat, ishte e njëjta gjë.
4. Kryeministri kreu i ekzekutivit nuk di gjë për vjedhjet,por çuditërisht opozita që nuk ka lidhje fare me ekzekutivin i di te gjitha. Logjikisht i bie që mbase duhet opozitë në krye të vendit. Minimumi opozita do dije se çfarë ndodh brenda ekzekutivit. Një hap i vogël por pozitiv në krahasim me ku jemi.
Nuk e di kush ia bën së fundi fjalimet Kryeministrit por kishte aq shumë fiasko logjikë sa alternativat mund të jenë dy. Ose është intoksikuar totalisht e nuk di çfarë thotë, ose e di që populli prapë do e votojë e nuk ia ndjen për budalliqet që lëshon nga goja, mjafton që të mbushë kohë televizive.
Continue Reading

OPINION

Çfarë na kanë mësuar tragjeditë si ajo e Shkodrës

Çfarë na kanë mësuar tragjeditë si ajo e Shkodrës

1. Ajo që thuhet ditën e parë është e paplotë. Komunikatat, lajmet dhe deklaratat e ditës së parë janë shpesh kontradiktore dhe rrallë “qëllojnë në shenjë”.

2. Nuk ka vetëm një shkak. Tragjeditë rrallë kanë një arsye të vetme. Fokusi vetëm te një shkak çon në shpjegime të thjeshtëzuara dhe të mangëta.

3. Reagimi politik dhe institucional mbetet vetëm në nivel retorike. Përgjigja nga politikanët dhe institucionet shpesh mbetet te fjalët, me deklarata ku dënohet dhuna, apo me thirrjet për ndëshkim nga drejtësia.

4. Etika, është gjëja e fundit që i shkon në mendje medias. Në ngutin për të raportuar mbi një tragjedi, sensacionalizmi merr përparësi ndaj etikës. Fotot, videot, raportimi i detajuar apo edhe spekullativ ndikon jo vetëm te familjarë e përfshirë në tragjedi.

5. Rrënjët e krizës familjare, shoqërore, institucionale dhe politike mbeten të pa analizuara.

6. Reagimi opinionit, i shpejtë por sipërfaqësor. Pas një tragjedie, shpesh ka një valë empati dhe solidariteti, por kjo valë fillestare zbehet shpejt. Vëmendjen e opinionit e marrin “skandalet e radhës”

7. Ekspertët flasin, por nuk degjohen? Në ngjarjen e Shkodrës disa ekspertë (psikologë dhe sociologe) analizuan shkaqet dhe dhanë një tablo më të gjerë të rrënjëve të tragjedisë. Fatkeqësisht, nuk i dëgjon kush deri në tragjedinë e radhës.

8. Përgjegjësia mungon—Fillimisht, bëhen thirrje për përgjegjësi dhe drejtësi. Por me kalimin e tri ditëve prozhektorët e medias kalojnë në skandalin e radhës dhe zelli për të gjetur përgjegjësit tretet si vesa mëngjesit.

9. Fatalizmi i pa shmangshëm. Kur mbetesh te konstatimi dhe te veprimet “më ka çu nona me la gojën”, nuk ka asnjë shpresë për ndryshim.

10. Në pritje të tragjedisë së radhës. Në mungesë të reflektimit dhe veprimit tragjedia e radhës është çështje kohe.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING