Connect with us

Kosova

Të dhimbshme, por duhet të ndodhin, diplomati austriak për kompromiset e Kosovës

Diplomati austriak Wolfgang Petritsch, ish përfaqësues i BE-së në bisedimet në Rambuje, i pyetur nëse pret të ketë përparim zbatimit të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, tha se eshte skeptic dhe se sa më shumë që të ketë përparim në dialog, aq më afër qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do jemi.

“Është e rëndësishme të theksohet se gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në dhjetë vitet e kaluara ka pasur përparime të mëdha. Kjo ka ndodhur edhe kohët e fundit, siç është marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të targave. Pa dyshim, ka ndryshime substanciale, por sidoqoftë, është e pamjaftueshme. Shpresoj se ekipi i ri i Bashkimit Evropian për ndërmjetësimin dhe lehtësimin e dialogut, do të ushtrojë një trysni të madhe tek Beogradi për të shkuar përpara, sepse tashmë kemi një marrëveshje dhe ajo duhet të zbatohet” – theksoi diplomati austriak

I pyetur se si ai I sheh raportet aktuale mes SHBA-së dhe Kosovës, pasi ka pasur disa deklarata të zyrtarëve amerikanë, që kanë folur për dëmtim të marrëdhënieve, Petritsch sqaroi:

– Po, aktualisht ka raporte relativisht të tensionuara mes Uashingtonit dhe Prishtinës, pasi Uashingtoni ka filluar të humbë durimin. Shtetet e Bashkuar, pra Uashingtoni, po thotë se për këtë vend kanë bërë shumë. Janë angazhuar aq shumë për lirinë e popullit të Kosovës dhe tani duan të shohin, thënë ashtu, zgjidhje kompromisi për disa çështje, që mbase mund të jenë të dhimbshme në një mënyrë për Prishtinën, por janë të domosdoshme. Një gjë duhet të dihet: është mënyra amerikane e të menduarit dhe të vepruarit,  që edhe unë e mbështes. Sic e dini, SHBA-ja ka edhe shumë probleme të brendshme. Mendoj se është në interesin e Kosovës që ta mendojë këtë çështje, pasi ende nuk e dimë se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA në muajin nëntor. Nëse do të ketë një rikthim të Trumpit, atëherë kjo të kishte një ndikim shumë të madh për situatën e sigurisë si në Evropë ashtu edhe në Ukrainë, por me gjasë edhe në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, unë mendoj se sa më shumë përparim të bëhet tani në procesin e dialogut për normalizimin e  marrëdhënieve, aq më mirë do të jetë” – potencoi Wolfgang Petritsch

Luftë s’ka, por Banjska mund të përsëritet, Petritsch analizon veriun e Kosovës

Diplomati austriak Wolfgang Petritsch, tha se është shumë e rëndësishme, që Prishtina zyrtare të hapet ndaj serbëve, pavaresisht se ka valë kërcënimesh, por qe fatkeqësisht është pjesë e politikës që ka rrënjët në retorikën, që shkaktuan luftërat të cilat shkatërruan ish Jugosllavinë.

“Me bindje, them se presidenti Vuçiç nuk është prej atyre që do përsëriste gabimet e Millosheviçit për të hyrë në luftë kundër NATO-s, sepse çdo veprim ushtarak kundër Kosovës, do të mobilizonte NATO-n. Jam I bindur por dhe me brengë gjithashtu se incidente të tilla si ai në Banjskë, janë të mundshme dhe ato do ta zhvendosnin procesin paqësor shumë vite prapa. Diçka e tillë, duhet të pengohet patjetër dhe kjo gjatë këtij viti, pra vitit 2024, duhet të garantohet me praninë e KFOR-it në veri” – deklaroi diplomati austriak.

I pyetur nese ai sheh ndonjë rrezik që Kosovës mund t’i bëhet nga Rusia, Petritsch deklaroi: –  Nuk mendoj se Rusia merret drejtpërdrejt me Kosovën. Ajo është e zënë me luftën në Ukrainë ku ka përjetuar humbje të mëdha në njerëz dhe infrastrukturë ushtarake, por mund të thuhet se Rusia është një faktor që shfrytëzon situatën. Ajo dëshiron të pengojë, por jo se ka ndonjë interes për forcimin e Serbisë apo të serbëve. Ajo më shumë ka interes ta dobësojë ndikimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Rusia dëshiron të krijojë bindjen se BE-ja nuk është një organizatë e suksesshme dhe ky në fakt është qëllimi i saj i vërtetë dhe shfrytëzon veçanërisht një tip si Dodiku për ta arritur këtë. Rusia nuk është ndonjë faktor seriozë për Ballkanin Perëndimor, apo për Kosovën, por natyrisht, duhet treguar kujdes.

Duke iu pergjigjur pyetjes se ku ndodhet aktualisht Kosova në lidhje me proceset euro-integruese, diplomati potencoi” –

Unë besoj se Kosova është në rrugë të mbarë. Për afrimin e shpejt drejt BE-së mbetet kusht procesi i dialogut dhe formimi i Asociacionit. Unë gjithashtu mendoj se ekziston tashmë një shumicë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi në këtë organizatë është i rëndësishëm, pasi aty ka institucione që kujdesen për të drejtat e njeriut dhe për të drejtat e minoriteteve në rajon, pra që minoritet të gëzojnë të drejtat e tyre dhe kjo është një përparësi e madhe për serbët kosovarë.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, do të thotë hapi i parë që bëhet edhe drejt integrimit në Bashkimin Evropian, por kjo sjell edhe instrumente të reja për mbrojtjen e të gjitha minoriteteve, prandaj duhet thënë serbëve, ashkalive, romëve dhe të tjerëve, se është shumë me rëndësi që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”.

 

 

 

Kosova

Me kismet, takohemi në nëntor, Franca dhe Gjermania hedhin poshtë betimin e Kurtit

Përkrahja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE) kushtëzohet nga ndërmarrja e hapave konkretë të Francës dhe Gjermanisë drejt krijimit të Komunitetit të Komunave me shumicë serbe, gjë që qeveria e Kosovës deri dje e kishte refuzuar.

Ministria e Punëve të Jashtme tha pak ditë më parë se Kosova nuk është futur në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, si rezultat i ndërhyrjes së dy proceseve të pavarura dhe në të cilat Këshilli i Evropës përdoret si mjet presioni ndaj Kosovës që ta pranojë draft-statutin e Miroslav Lajçakut dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese.

Në qarqet vëzhguese u vlerësua se Kosova është përballur me situata të ngjashme në të kaluarën dhe se në fund i ka pranuar kushtëzimet si në rastin e kthimit të tokave Manastirit të Deçanit. Dhe kështu ndodhi…dje Ministrja Donika Gërvalla u deklarua se qeveria është duke përgatitur një draft statut për asociacionin dhe deri ne fund të muajit do ta dërgojë për konsultimin e ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese. Por për shkak të veprimeve të saj, qeveria e Kosovës ka humbur besimin e partnerëve, pajtohen analistët.

“Një humbje shumë e madhe diplomatike për Kosovën”. Një mundësi historike për të përmirësuar shtetësinë e Kosovës dhe një gabim katastrofik i kryeministrit Kurti që do të ketë pasoja dhe do të ndikojë edhe në të ardhmen. Kjo gjendje negative e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, veçanërisht me Francën dhe Gjermaninë, nuk do të ndryshojë së shpejti. Kosova do t’i ndjejë pasojat dhe do të bllokohet dhe do të duhet shumë kohë për të përmirësuar këto marrëdhënie” – deklaroi analisti Arton Muhaxhiri duke shtuar: – Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të përdoret edhe si presion ndaj Qeverisë së Prishtinës për të përmbushur obligimet e marra në marrëveshjet e mëparshme dhe jozyrtarisht dëgjohet se mund të jetë në rend dite vetëm në nëntor, ose derisa të plotësohen kushtet.

Pak ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi si “absurd” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim dhe kështu e la Kosovën jashtë agjendës së seancës së Komitetit të Ministrave, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Qeveria e Kosovës, të enjten, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit. Vetëm pak ditë më parë autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe se ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e KiE-së”, kurse tani Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në letrën që e ka dërguar më 15 maj Këshillit të Evropës, ka potencuar se në Kushtetuese do ta dërgojnë një draft-statut të përgatitur nga vetë Qeveria dhe jo draft-statutin e Bashkimit Evropian, i cili iu prezantua palëve vitin e kaluar. Marrë për bazë këtë hap konkretë, Gërvalla në letër ka potencuar se “presim që Komiteti i Ministrave të ketë arsye shtesë ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”.

 

Continue Reading

Kosova

Vuçiç ka frikë, akuza për gjakderdhje votohet në OKB, ja çfarë shkruan Associated Press

“Një rezolutë e OKB-së e sponsorizuar nga Gjermania-Ruanda që propozon shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit për të përkujtuar gjenocidin e më shumë se 8000 muslimanëve boshnjakë nga serbët e Bosnjës në vitin 1995, shkaktoi protesta dhe një fushatë të fortë lobimi kundër miratimit të saj nga Presidenti i Serbisë dhe lidershipi i serbëve të Bosnjës”-kështu shkruan agjencia Associated Press duke shtuar se OKB-ja tashmë ka caktuar edhe debat për temën në datën 23 maj, që do të pasohet me votim në këtë organizëm botëror prej 193 anëtarësh.

Drafti kërkon nga Kombet e Bashkuara të përgatisin një program informacioni dhe u bën thirrje shteteve, organizatave, shoqërisë civile dhe të tjerëve që ta shënojnë këtë ditë me ceremoni dhe aktivitete të veçanta për të përkujtuar dhe nderuar viktimat.

Kujtojmë se më 11 korrik 1995, serbët e Bosnjës pushtuan Srebrenicën që ishte nën mbrojtjen e OKB-së dhe vranë të paktën 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjykata më e lartë e OKB-së, gjykoi në vitin 2007 se aktet e kryera në Srebrenicë përbënin gjenocid. Ky ishte gjenocidi i parë në Evropë që nga Holokausti nazist në Luftën e Dytë Botërore, kur u vranë gjashtë milionë hebrenj.

Presidenti populist serb Aleksandër Vuçiç, si dhe lidershipi serb i Bosnjës, janë ashpër kundër miratimit të rezolutës, duke thënë se ajo i cilëson të gjithë serbët si një “komb gjenocidal”, megjithëse drafti nuk e thotë këtë gjë.

“Analistët vendas thonë se udhëheqësit serbë, përfshirë Vuçiçin, kanë frikë se mund të gjykohen për pjesëmarrje aktive në gjakderdhje.

Projekt-rezoluta dënon “pa asnjë rezervë çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si një ngjarje historike dhe gjithashtu “dënon pa rezerva veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, duke përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë” – thuhet në shkrimin e Associated Press.

Udhëheqësi politik serb i Bosnjës Karaxhiç gjatë kohës së luftës dhe komandanti i tij ushtarak Ratko Mlladiç u dënuan për gjenocid nga gjykata speciale e OKB-së për krimet e luftës në Hagë.

Megjithatë, shumica e zyrtarëve serbë dhe serbë të Bosnjës ende i konsiderojnë Karaxhiçin dhe Mlladiçin si heronj kombëtarë.

Zëvendës ambasadori i SHBA Robert Wood tha se “veprimet e rrezikshme të Dodik dhe retorika secesioniste kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon” dhe “mohimi i gjenocidit gjithashtu pengon pajtimin”.

Continue Reading

Kosova

Kurti ha kurthin me bukë, nxjerr Donika Gërvallën për të derdhur kupën

Këtë të enjte, Qeveria e Kosovës i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku zotohet se do përgatisin një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe do ta dërgojnë atë në Kushtetuese deri në fund të majit, por vetëm disa muaj më parë kryeministri Albin Kurti, kishte refuzuar që të shkruante një draft për këtë mekanizëm, teksa dhe tregonte rreziqet që mund të vinin nëse do ta bënte një gjë të tillë.

Ndonëse i ishte kërkuar vazhdimisht si nga aktorët e jashtëm, ashtu edhe nga ata të brendshëm, Kurti nuk kishte propozuar në emër të Kosovës një draft-statut për Asociacionin, çka kishte bërë që ndërmjetësi, në këtë rast Bashkimi Evropian, të sjellë një të tillë, atë që “Pesëshja e Madhe” ia solli në zyrë kreut të ekzekutivit më 21 tetor të viti të kaluar, të cilin njohësit e Kushtetutës e kanë konsideruar si tejet të dëmshëm për vendin, madje si një autonomi të zgjeruar për komunitetin serb.

Më 3 nëntor të vitit të kaluar, Kurti kishte deklaruar se nuk ka propozuar draft-statut për Asociacionin, për shkak se kishte besuar se ky do të ishte opsioni më i mirë, në mënyrë që ndërmjetësit mos të vinin me një mesatare aritmetikore midis Danijela Vujiçiçit – e cila kishte propozuar një draft për këtë mekanizëm në cilësinë e kryesues së Ekipit Menaxhues Serb– dhe propozimit të kryeministrit të Kosovës.

Albin Kurti në seancën parlamentare të 3 nëntorit të vitit të kaluar, ku ishte ftuar nga opozita që të raportonte për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, posaçërisht pas pranimit të draft-statutit evropian për Asociacionin, në tentativë për të shpjeguar pranimin – të cilin, për ta kundërshtuar gjatë kohës së tij si opozitar, kishte organizuar edhe madje protesta masive si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës në kuvend – shpjegoi se pse nuk e kishte propozuar një të tillë draft në emër të Kosovës.

Arsyeja, pohoi atë kohë Kurti, “është se unë e konsideroj gabim dhe nëse ne si Kosovë do ta shkruanim draftin, atherë ndërmjetësuesi Lajçak ka tendencën të gjejë mesataren mes dy drafteve, dhe do ishte shumë më keqe për ne”, dhe ishte i bindur se po ta bënte një gjë të tillë do ishte “kurth” për të.

Por dje, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku zotohet që Qeveria e Kosovës do të përgatisë një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe do ta dërgojë atë në Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Marrë për bazë këtë hapë konkret Gërvalla në letër ka potencuar se pret që Komiteti i Ministrave të ketë arsye shtesë që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”.

Continue Reading

Kosova

Bilbili ra…nuk ka shtesë loje për Kosovën, Knaus: Letra e Qeverisë erdhi vonë

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se nuk pret që Kosova të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë. Kjo, me gjithë faktin se Kosova tha të enjten se i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Mendoj se letra ka ardhur pak me vonesë”- theksoi Knaus, i cili ka përcjellë nga afër rrugëtimin e Kosovës drejt KiE-së.

“Por, mendoj se vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti – me shpresë brenda disa javësh”- shtoi Gerald Kanus

I pyetur nëse ky hap i fundit i Kosovës është një ndryshues loje, ai deklaroi se më herët Kosova ishte zotuar në letrën e tri institucioneve të saj – presidenti, kryeministri dhe kryetari i Parlamentit – drejtuar Këshillit të Evropës, se do të ndërmarrë një hap për ta bërë këtë të mundur sa më shpejt. Por, në letër nuk thuhet se ky asociacion duhet të jetë i tillë që të pranohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse nuk do të ketë kurrë një të tillë. Prandaj, me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të një drafti që kanë hartuar dy institutet më të shquara në Evropë – Instituti Evropian për Paqe dhe organizata FES – Kosova e përmbush obligimin e saj. Pastaj, u takon komunave me shumicë serbe të thonë se duan ta krijojnë apo jo këtë asociacion. Nëse nuk duan ta krijojnë, ai nuk mund t’iu imponohet. Por, Kosova e ka përmbushur obligimin” – deklaroi Knaus, i cili gjithashtu duke folur se sa janë shanset që Gjermania dhe Franca të binden me këtë draft, theksoi se: Demokracia dhe diplomacia kanë të bëjnë me argumente. Kosovës i duhen argumente të fuqishme dhe ajo i ka ato. Ka prej atyre që thonë se Serbia duhet të ketë veto. Ka prej atyre që fshihen pas kërkesës për Asociacionin.

Ka prej atyre që e kanë përcjellë vizitën e Vuçiçit në Paris, ku ka thënë se do t’i kërkojë presidentit të Francës, Emmanuel Macron që të mos e lejojë hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke premtuar se do të blejë 12 avionë luftarakë, se do të nënshkruajë kontrata me biznesin francez etj etj. Nuk mendoj se Franca – një demokraci krenare që e ka krijuar Këshillin e Evropës për të mbrojtur të drejtat dhe vlerat e njeriut – mund të manipulohet kaq lehtë nga presidenti serb. Pres që të ketë debat. I takon Qeverisë së Kosovës që të bindë këdo dhe gjithashtu duhet dëgjuar raportuesja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën, Dora Bakoyannis. Ajo vjen nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën dhe në raportin e saj ka thënë se nuk ka pasur kandidate më të përgatitur se Kosova”.

I pyetur: A mund ta vendosë hapi i fundit Kosovën në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës të premten, Gerald Knaus u shpreh qartë: Jo, mendoj se letra e Kosovës drejtuar Këshillit të Evropës ka ardhur pak me vonesë. Por, mendoj se vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti – me shpresë brenda disa javësh. Pra, nëse Kosova e dorëzon këtë draft në Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç ka thënë, atëherë duhet të ketë së shpejti një samit dhe Kosova duhet të pranohet këtë verë. Kjo duket reale. Është vonë, por nuk është shumë vonë”.

Duke iu përgjigjur hipotezës – “Dhe, nëse nuk ka takim të jashtëzakonshëm, do të duhet të pritet deri në majin e ardhshëm?”, Knaus deklaroi: Nëse nuk ka takim të jashtëzakonshëm të KiE, atëherë kemi një problem të vërtetë. Është shumë e rëndësishme të argumentohet tani. Është, po ashtu, e rëndësishme që vendet të thonë se me nismën për Asociacionin, me dërgimin e draftit në Gjykatën Kushtetuese, Kosova e ka përmbushur atë që i është kërkuar. Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se drafti është kushtetues, atëherë topi kalon te komunat me shumicë serbe. Ato do të duhet ta krijojnë Asociacionin, sepse nuk mund t’iu imponohet. Dhe nëse nuk e krijojnë, ky nuk do të jetë faj i Qeverisë së Kosovës”.

Continue Reading

Kosova

Albin Kurti si ushtari Shvejk, ç’më duhet mua se çfarë them unë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 16 prill, në ditën kur Kosova kaloi testin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, vlerësoi se “nuk është në rregull të flitet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pa e përdorur në të njëjtën fjali paraprakisht Marrëveshjen Bazike”.

Sipas tij me Asociacionin duhet proceduar vetëm brenda pakos – pra brenda Marrëveshjes Bazike – jo duke e ndarë atë prej andej, sepse në vlerësimin e tij një gjë të tillë po e kërkonte Serbia.

Ndërkohë, ekzaktësisht një muaj më pas, Qeveria e Kosovës deklaroi se do dërgojë në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të Asociacionit deri në fund të muajit maj, kështu duke vepruar krejtësisht në shpërputhje me deklaratat paraprake të Kurtit.

Kryeministri duke e cilësuar si “absurd” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese për shqyrtim e la Kosovën jashtë agjendës së seancës së Komitetit të Ministrave, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndërsa tani vetëm pak ditë pasi autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe se ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e KiE-së”, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në letrën dërguar më 15 maj Këshillit të Evropës, potencoi se në Kushtetuese do dërgojnë një draft-statut të përgatitur nga vetë Qeveria dhe jo draft-statutin e Bashkimit Evropian, i cili iu prezantua palëve vitin e kaluar.

Marrë për bazë këtë hap konkretë Gërvalla në letër ka potencuar se “presim që Komiteti i Ministrave të ketë arsye shtesë ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”.

Këtë manovër politike të Qeverisë së Kosovës lidhur me draft-statutin e Asociacionit, analisti politik, Agon Maliqi e ka cilësuar si një tallje me aleatët perëndimorë kurse ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, veprimin e fundit të Qeverisë së Kosovës e ka cilësuar si gabim kardinal.

NTV. AL javë më parë kishte raportuar se dërgimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është kusht për Kosovën që më pas edhe me 16-17 maj Komiteti i Ministrave, saktësisht qeveritë e shteteve anëtare të KiE-së ta pranojnë Kosovën shtet anëtar të organizatës, apo, siç është procedura, t’i bëjnë thirrje për anëtarësim.

Menjëherë më pas Gjermania dhe Franca kërkuan publikisht që Kosova të bëjë hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese për shqyrtim – në rast se dëshiron anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës por kjo kërkesë u injorua pasi sipas Kurtit, qeveria i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING