Kosova
Daçiç ngatërron postet, parashikon fatin e Kosovës nëse do ishte sot në OKB
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç tha se rezoluta për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nën maskën e luftës kundër gjenocidit po politizohet si temë.
Ai për TV Prva theksoi se nëse çështja e Kosovës do të ishte në agjendën e këtij organi, Perëndimi me siguri do të përjetonte fiasko dhe se sipas tij, është e vështirë të thuhet nëse numërimi i votave pro dhe kundër rezolutës për Srebrenicën duhet të trajtohet nga këndvështrimi i marrëdhënieve dypalëshe apo nën hijen e presionit të ushtruar mbi ato vende.
“Ka vende jashtëzakonisht mike me Serbinë që janë në një situatë shumë të vështirë presioni nga vendet perëndimore. Jo vetëm nga ato që propozuan zyrtarisht rezolutën, por edhe nga ato vende që i qasen çështjes duke mos toleruar që dikush të përpiqet ta përmbysë atë rezolutë. Po të ishte çështja e Kosovës në rendin e ditës të Asamblesë së Përgjithshme, mund të themi me bindje të plotë se do të përjetonin një fiasko, prandaj nuk është në rend dite, sepse ata e dinë se nuk mund ta kalojnë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së” – theksoi Ivica Daçiç