Connect with us

Aktualitet

Java më e nxehtë e vitit nisi në Shqipëri, deri të premten si në Afrikë edhe ditën, edhe natën

Java që nisi pritet të jetë edhe java më e nxehtë në shumë vite në Shqipëri. Të paktën në dy ditë temperaturat do kapin 42 grafë në qytete si Titana, Elbasani, Fieri, Berati, Shkodra.

“Kjo situatë vjen si pasojë e ndikimit të theksuar të Anticiklonit Afrikan (dhe jo vetëm pasi gradualisht bashkohet edhe me Anticiklonin e Azoreve) shoqëruar me masa ajrore të nxehta me origjinë nga Afrika e Veriut (shkretëtira e Sahara-së).

Kjo javë pritet të jetë “torturuese” për disa arsye dhe ndër më kryesoret është se vala e të nxehtit po zgjat (duke marrë parasysh ditët që lamë pas) dhe do të zgjasë deri dhe në fund të javës. Thënë kjo pasi vendi ynë për periudhën që ndodhemi ka përjetuar edhe herë të tjera temperatura 40 apo 42-43°C por për një periudhë kohore jo më shumë se disa ditë (kryesisht 3-4 ose maksimumi 5 ditë).

Arsyeja tjetër është se depërtimit i këtyre masave të nxehta mbi detin Mesdhe bën që ato të mbartin me vehte një sasi relativisht të lartë lagështire. Në këtë mënyrë nëse në kafazin meteorologjik zhiva e termometrit mund të shënojë deri në 42°C për trupin e njeriut kjo temperaturë ndjehet disa gradë më e lartë për shkak të lagështirës së lartë. Ndryshe do të ishte situata nëse masat ajrore do të ishin të thata dhe trupi ynë do të ndjente këto temperatura disa gradë më të ulëta”, njofton Shërbimi Metereologjik Ushtarak.

Përveç vapës gjatë ditës do zënë vend edhe netët tropikale me zagushi dhe temperatura që nuk zbresin më poshtë se 26-27°C (kryesisht zonat urbane) dhe lagështirën e lartë në ajër.
“Netët pritet të jenë “mbytëse” njësojë si në vendet tropikale ku në mesditë temperaturat arrijnë 38-40°C ndërsa në mbrëmje nuk zbresin më poshtë së 28-30°C”, thekson Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Advertisement