Bota
Hezbollahu i përgjigjet Izraelit, lëshon 300 raketa të fuqishme, Irani refuzon ta ndihmojë
Fshatrat në kufirin paralel mes Libanit Jugor dhe Izraelit Verior janë rrafshuar të gjtiha nga raketat e panumërta të lëshuara përgjatë 23-24 Shtatorit nga IDF-ja. Numri i viktimave përcaktohet mes 560-600, (ende jo zyrtar dhe përfundimtar), mes të cilëve edhe të paktën 50 fëmijë. Izraeli pretendon se ka goditur bazat e Hezbollah të vendosura në shtëpitë kufitare libaneze, që i kanë shndërruar edhe në depo armatimesh të rënda, gati për sulm, por Bejruti akuzoi për vrasje masive të civilëve. Bombardimet mësohet se kanë vijuar edhe përgjatë mëngjesit të sotëm (25 Shtator). Edhe disa punonjës të OKB-së dyshohet se mund të kenë rënë viktima të sulmeve me bomba. Por as Hezbollah nuk ka mbetur pas, edhe pse me intensitet më të ulët. Organizata ushtarake u përgjigj me një breshëri raketash në veri të Izraelit, 300 sipas IDF, vëllimi më intensiv i zjarrit në një ditë të vetme që nga fillimi i luftës tetorin e kaluar.
“La Repubblica” shkruan se Hezbollah përdori armë të reja, raketat Fadi 3, me një rreze më të madhe se 100 km të Fadi2, të lëshuara kundër njësisë izraelite Samson, e cila strehon një qendër komanduese ushtarake.
Gjithashtu tre dronë mbërritën në bazën detare Atlit, në jug të Haifa, pasi forcat ajrore izraelite shënjestruan jugun e Bejrutit. Në Dahieh izraelitët vranë komandantin e larë të Hezbollah, Ibrahim Qubaisi dhe IDF tha se bashkë me të u vranë edhe 2 komandantë të tjerë, të rangut më të ulët.
Faqja e internetit “Axios” shkruan se “kreu i Hezbollahut, Nasrallah, u ka kërkuar iranianëve mbështetje, një sulm i Teheranit ndaj Izraelit që lehtëson presionin ndaj luftëtarëve të tij, por mori përgjigje të pakapshme, “nuk është koha e duhur”.
Presidenti iranian Pezeshkian ndodhet në Nju Jork, në asamblenë e Kombeve të Bashkuara, ku ka lëshuar mesazhe se “nuk duhet të lejojmë që Libani të bëhet një Gaza e dytë” dhe akuzoi Izraelin.
Nga ana tjetër, libanezët vazhdojnë të ikin nga Jugu dhe Lugina Beqaa, drejt Sirisë dhe përtej kufirit poroz lindor. Deri tani ka të paktën 20 mijë persona të zhvendosur. Izraeli deklaron hapur se “sulmet do të vazhdojnë derisa Hezbollahu të ndalojë lëshimet e raketave në veri të vendit”.
“Ne jemi të hapur ndaj ideve për de-përshkallëzimin e konfliktit”, deklaroi ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon. Izraeli mohon se ka qëllim një pushtim të territorit libanez.