Kosova
‘Jemi krenarë që po na sulmon Kurti’/ Përplasja e ashpër në Kuvendin e Kosovës, reagon Lista Serbe

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë tentuar që të pengojnë deputetët e Listës Srpska që shkuan për t’u nënshkruar në mënyrë që të marrin pagën e deputetit dhe të mos e humbin mandatin siç bëjnë tash e një kohë.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka ndërprerë seancën e Kuvendit, duke thënë se kjo është një sjellje e patolerueshme.
“Ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vijnë e provokojnë në këtë mënyrë. E patolerueshme në Kuvend kjo sjellje një herë në gjashtë muaj të vijnë me keqpërdor para të taksapaguesve. Në anën tjetër e luftoni Kosovën me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel [Millan] Radoiçiq. E keni guxim të vini në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë e kërkoj që ta lironi këtë sallë”, tha Konjufca sot.
Për këtë ka reaguar Lista Srpska përmes një deklarate në faqen e saj në Facebook, duke thënë se ky është “një rast i paprecedentë” për të mos lejuar të zgjedhurit e popullit serb të marrin pjesë në seancë. Për më tepër, Srpska ka pretenduar se deputetët janë sulmuar.
“Dënojmë ashpër sulmin e sotëm të paprovokuar ndaj deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Prishtinës nga ana e deputetëve të Kurtit dhe kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, të cilët shpërdoruan pozitën dhe i penguan të zgjedhurit e popullit serb të jenë të pranishëm në seancën e Kuvendit. Theksojmë se gjatë sulmit ndaj deputetëve të Listës Serbe, në mesin e tyre ishte edhe deputetja Olivera Zdravkoviq, e cila është shtatzënë”.
“Ky sulm i paprecedentë është disfatë për demokracinë dhe sundimin e ligjit, por edhe shembullin më të mirë të pozitës së popullit serb në Kosovë nën regjimin e Albin Kurtit, i cili çdo ditë ushtron dhunë institucionale dhe terror fizik nga Prishtina”.
Lista Srpska pretendoi se kryeministri Albin Kurti po “bën gjithçka” për eliminimin e Listës Srpska.

